E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pozita dhe opozita kundër aksionit të Vetëvendosjës

Më 14 janar Vetëvendosja nuk do të merr përkrahjen nga partitë e tjera në vend, për thirrjen që kanë bërë për të bllokuar pikat kufitare Merdarë dhe Dheu i Bardhë. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka këshilluar që secili duhet të ketë kujdes me kompetencat që ka.

“Protestat janë e drejtë qytetare, por sigurisht që edhe partitë parlamentare kanë obligimet e veta mbi të drejtën kushtetutës dhe mbi ligjet që janë në fuqi”, ka thënë Krasniqi pas mbledhjes së kryesisë të mbajtur të mërkurën.

Jo vetëm Krasniqi e ka thënë këtë. Edhe partitë opozitare kanë deklaruar që duhet ndarë kompetencat, dhe se bllokimi i pikave kufitare duhet bërë nga institucionet.

Ismet Beqiri, nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), mendon se institucionet duhet bllokuar pikat kufitare, edhe pse sipas tij, këto institucione janë të lodhëta për të marrë këso veprime.

“Ne veprimet tona i kemi vetëm brenda institucioneve dhe si të tillë edhe do të sillemi. Ne kërkojmë që Qeveria, pra institucionet përkatëse, t’i kryejnë obligimet që kanë dhe marrja në dorë e kësaj pune jashtë institucioneve nuk konsiderojmë se mund të ketë efekt. Përkundrazi, ne institucionet nuk mund t’i zhveshim sado që janë të lodhëta dhe nuk e kryejnë punën e tyre, ato janë institucione dhe duhet të kryejnë punën e tyre”, ka thënë ai.

Por edhe AAK-ja është e një mendimi me LDK-në. Ardian Gjini nga kjo parti ka deklaruar se pikat kufitare nuk i kanë fajet, por faji është tek institucionet.

“Mendoj se forcat politike parlamentare duhet të provojnë që t’i detyrojnë institucionet e Kosovës që ta kryejnë punën e vet. Kjo është rruga demokratike, kjo është rruga që duhet ta përdorin forcat politike që janë në Kuvendin e Kosovës. Veprimet e popullit nuk mund të jenë të tilla, nëse i atribuohen një force politike parlamentare, atëherë nuk kemi të bëjmë me proces popullorë për bllokimin e pikave, por kemi të bëjmë me një ide të një parti politike për bllokimin e pikave”, ka thënë ai.

Vetëvendosja u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që më 14 janar të bllokojnë dy pikat kufitare, Merdarë dhe Dheu i Bardhë, pas sipas tyre nuk po zbatohet vendimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës, për reciprocitetin politik, ekonomik dhe tregtar me Serbinë. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›