E Diel, 1 Nëntor 2026

Krasniqi vë në dyshim mbajtjen e zgjedhjeve këtë vit

Në mbledhjen e parë për këtë vit të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, është vendosur që të ndryshohet Neni 84 i Kushtetutës dhe kërkesa e Komisionit për amandamentim t’i adresohet Kuvendit që të marrë mandat shtesë për ndryshimin e këtij neni, i cili ka të bëjë drejtpërdrejtë me kompetencat e presidentit. Ndërsa kryeparlamentari Krasniqi ka vë në dyshim mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve këtë vit.

Debati i kësaj mbledhje që ka zgjatur rreth një orë e gjysmë, i cili ka rezultuar se kërkesa nuk është e plotë, por prapëseprapë do t’i dërgohet Kuvendit.

Ndryshimi i këtij neni është kërkuar meqenëse sipas tyre nuk reflekton vetëm në kompetencat e presidentit, por reflekton edhe tek Qeveria dhe Kuvendi.

Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi ka deklaruar të mërkurën se nuk është kundër ndryshimit të Nenit 84, por që sipas tij ky nen ka reflektime edhe tek disa nene të tjera dhe duhet të bëhen që të gjitha njëkohësisht.

Ndërsa ka deklaruar se zgjedhjet presidenciale, ndoshta zgjedhjet nuk do të mbahen në këtë vit.

“Ndoshta zgjedhjet nuk do të mbahen në këtë vit, duhet të bëhet një amandamentin i plotë i Kushtetutës dhe zgjedhjet të mbahen ashtu siç e parasheh Kushtetuta. Nuk do të duhet të nguteshim, por na duhet një dokument bazik i shtetit dhe jo ta ndryshojmë çdo 6 muaj, e kjo varet nga partitë dhe Kuvendi”, ka thënë ai.

Edhe shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ismet Beqiri pranon se nga dëgjimi Kushtetutës ka një dualizëm në mes presidentit dhe kryeministrit.

“Ne jemi që të bëhet amandamentimi për Nenin 84 të Kushtetutës, kjo pjesë të ndryshohet si edhe nëse ka eventualisht ndikim edhe në ndonjë nen, edhe ajo mund të bëhet, sidoqoftë përsëri jemi të bindur se kjo nuk duhet të merrej si pretekst për shtyrjen e zgjedhjeve presidenciale”, ka thënë ai.

Por shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini shprehë dyshime nëse mund të ndërhyhet tek palët që marrin vendimin për zgjedhje. Sipas tij nëse palët, i cili me këtë fjalë u referohet partive politike, duan t’i shtyjnë zgjedhjet, do e bëjnë me apo pa amandamentimin e Nenit 84.

“Meqenëse është marrë një vendim mes partive politike, ato duhet të bëjnë çmos që të zbatojnë atë vendim të vetin, atë marrëveshje që e kanë bërë vet dhe që zgjedhjet në Kosovës të mos shtyhen. Për Kosovën janë shumë më të rëndësishme zgjedhjet parlamentare se ato presidenciale”, ka thënë ai.

Në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit është vendosur që seanca e radhës do mbahet më 20 janar. /Kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›