Negociata deri në mëngjes, në zgjidhje Komisioni i Venecias
PE vë në tavolinë draftin e kompromisit
Për herë të parë Shqipërisë iu kërkua mbrëmë një zgjidhje politike larg Tiranës. Negociatat deri në mesnatë u zhvendosën në Strasburg, ku Parlamenti Evropian urdhëroi si rrallë ndonjëherë dy liderët e politikës shqiptare, që të takohen në prani të tyre për ti dhënë zgjidhje përfundimtare ngërçit të tejzgjatur politik që erdhi si pasojë e bojkotit të opozitës ndaj institucionit të Kuvendit, e pasuar më pas nga një vendim ekstrem, siç ishte greva e urisë përgjatë 19 ditëve. Burime konfidenciale brenda takimit në restorant Crocodile bëjnë të ditur se bashkëbiseduesit kanë diskutuar deri në detaje çështjet e ngritura nga palët, ndërkohë që mësohet se është mbështetur qëndrimi i Kryeministrit Sali Berisha për një zgjidhje kushtetuese. Po ashtu bëhet e ditur se përfaqësuesit e PS-së kanë kritikuar z. Rama për qëndrimin bojkotues ndaj Kuvendit dhe marrjen e vendimit për një grevë urie, e cila bllokoi për ditë me radhë qarkullimin e automjeteve të makinave. Burimet sqarojnë se gjatë darkës është analizuar çdo pretendim i palëve, ndërkohë që vëmendja kryesore është përqendruar pikërisht tek çështja e problematikës zgjedhore, për të cilat është theksuar fakti se çdo kompromis duhet të vijë në përputhje të plotë me ligjet dhe Kushtetutën e vendit. Berishës dhe Ramës mësohet se u është bërë e ditur se zgjedhjet e 28 qershorit u certifikuan nga ndërkombëtarët dhe u cilësuan si të lira dhe demokratike. Tentativave të herëpashershme të Ramës për të kundërshtuar këtë fakt, mësohet se nuk i kanë dhënë hapësira përfaqësuesit e PE-së, të cilët janë detyruar të përsërisin shpesh faktin se 28 qershori ishte një progres. Kryetarit të PS-së i është kërkuar llogari se pse nuk i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për pretendimet që ai paraqet dhe në bazë të saj të kërkohet opinioni i Venecias. Burimet konfidenciale sqarojnë gjithashtu se në draftin e propozuar thuhet se "PS-së do t'i jepet shumica në komisionin hetimor parlamentar për zgjedhjet, opozita do të ketë kryetarin, komisioni do të hapë materialet zgjedhore e nëse do të vërejë parregullsi në materialet zgjedhore, atëherë ai do të kërkojë një opinion nga Komisioni i Venecias, nëse të hapen apo jo kutitë e votimit". Në këtë mënyrë, Kryeministri Sali Berisha dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, qëndruan përballë njëri-tjetrit për orë të tëra, duke shijuar ushqimin francez, në tryezën e bisedimeve të organizuar nga ndërkombëtarët për zgjidhjen e ngërçit. Takimi u bë tek restorant Crocodile në Strasburg, ku u shtrua darka për dy liderët shqiptarë, në të cilën janë edhe Joseph Doul, kryetar i Grupit të Partisë Popullore Evropiane, Martin Schulz, kryetar i Grupit të Partisë së Socialistëve Evropianë në Parlamentin Evropian dhe Komisioneri për Zgjerimin e BE-së, Stefan Fule. Burime nga PE-ja bëjnë me dije se darka në Strasburg do të vijojë me një takim të premten në mëngjes, gjatë së cilës të dy palët janë të ftuar të punojnë në arritjen e një zgjidhjeje kompromisi, ku është i ftuar edhe Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fule. Pritet që palët të arrijnë në një marrëveshje që i jep fund ngërçit në vend, ndërsa mësohet se sot do të dilet me një rezolutë përfundimtare. Udhëheqësit e dy grupimeve të madha politike në Parlamentin Evropian bëhen bashkë për herë të parë, duke shprehur të njëjtin qëndrim për krizën aktuale politike që po kalon Shqipëria. Në deklarata të veçuara publike dy liderët e grupimeve politike kishin kërkuar zgjidhjen e krizës politike, duke mbështetur grupimet respektive në politikën shqiptare. Ndërkohë zëvendëspresidenti i grupit të majtë evropian, Hanes Svoboda, deklaroi se është i bindur që nga kjo tryezë, pavarësisht faktit nëse përfundon sot, nesër apo në ditët e ardhshme, do të arrihet një konsensus.