E Shtunë, 31 Tetor 2026

Negociatat - Berisha-Meta, pakt për qeverinë e re

 

ADI SHKEMBI

Partia Demokratike garanton katër votat e Lëvizjes Socialiste për Integrim për të formuar kabinetin qeveritar të dalë nga zgjedhjet e 28 prillit. Ekzekutivi i ri do të quhet “Qeveria e Integrimit Evropian”, një term mjaft i afërt me atë të pjesës tjetër të kësaj qeverie, Lëvizjes Socialiste për Integrim. Një ditë pas deklaratës së kryeministrit Sali Berisha se do të kërkojë të bëjë koalicion me parti parlamentare, për shkak se sovrani nuk i dha votat e mjaftueshme, ka ardhur edhe marrëveshja në parim mes tij dhe kryetarit të LSI-së, Ilir Meta. Negociatat e tri ditëve të fundit mes PD-së dhe LSI-së nga njëra anë dhe PS-së dhe LSI-së nga ana tjetër, duket se i kanë shkuar për shtat vetëm kryeministrit Sali Berisha, i cili ka tashmë më shumë se gjysmën e votave në Kuvend, ndërsa kreu i PS-së, Edi Rama, nga dita e sotme nuk do t’i shtojë më të majtës edhe katër votat e LSI-së, të cilat i përdori si argument se e majta nuk i kishte humbur zgjedhjet dhe rezultati ishte 70-70. Burime pranë PD-së e LSI-së bëjnë të ditur se partia e ish-kryeministrit Meta do të marrë dy deri në tre poste ministrore si dhe postin e kryetarit të Parlamentit, i cili në protokollin shtetëror vjen menjëherë pas Presidentit të Republikës. Gjithashtu kjo parti pritet të ketë edhe disa poste në nivelet e dyta dhe të treta të administratës.
Berisha
Mesditën e djeshme, rreth orës 11:10, zyra e shtypit e Partisë Demokratike lajmëroi një dalje para mediave të kreut të kësaj partie Sali Berisha. “Jam këtu për të ftuar publikisht Lëvizjen Socialiste për Integrim për të krijuar së bashku një qeveri të re, që do të mund ta quanim qeveri e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian. Siç deklarova dy ditë më parë, sovrani na dhuroi fitoren, por diktoi koalicion. Nga partitë me të cilat programet janë më afër është LSI”, u shpreh kryetari i PD-së në hyrje të deklaratës. Sipas Berishës, LSI-ja ka në qendër të programit të saj pikërisht integrimin e vendit në Bashkimin Evropian si dhe punësimin e shqiptarëve, dy prej premtimeve elektorale të Partisë Demokratike para zgjedhjeve të 28 qershorit. Nisur nga këto të përbashkëta, kreu i qeverisë tha se programi i PD-së, më shumë se me çdo program tjetër, afrohet pikërisht me atë të LSI-së. Por një tjetër arsye për këtë koalicion, sipas Berishës, është fakti që LSI-ja është një përfaqësuese e denjë e të majtës dhe që vetëm për shkak të persekutimit nga sistemi zgjedhor si katër vjet më parë ashtu edhe tani, nuk ka marrë mandate aq sa vota ka marrë. “Nuk jemi ne që e dëmtuam atë përmes ‘Dushkut’ në 2005. Nuk jemi ne që imponuam grevën e urisë. Jeni dëshmitarë që kam bërë thirrje të përsëritur në atë periudhë, që të gjendet gjuha e përfshirjes dhe jo e përjashtimit. Në këtë kontekst shpreh kënaqësinë që ato rreth 47% të votave që sovrani i ka dhënë koalicionit të parë, i shtohen tani edhe rreth 6% të votave, tërësisht të spektrit të majtë dhe faktikisht ky koalicion fiton një bazë elektorale edhe më të gjerë sesa koalicioni që ishte 4 vitet e shkuara”, vijoi më tej Berisha. Por përkundër kësaj, Berisha ka hedhur poshtë çdo hipotezë për t’ia lënë Metës postin e kryeministrit gjysmën e dytë të mandatit. “Jam i bindur se koalicioni nuk funksionon në atë mënyrë. Jam i sigurt se koalicionet janë transparente. Shqiptarët kanë Sali Berishën njeriun më të votuar, e kanë pasur gjithnjë kështu. Pra, kjo nuk është vetëm si mirënjohje e imja ndaj tyre, nuk mund t’i qortoj pse më votojnë mua në këtë shkallë. Ky koalicion nuk është pazar karrigesh. Ky është koalicion integrimi”, u përgjigj Berisha, teksa përcaktimin ‘gjysma tjetër e kalbur e mollës’ për LSI-në e konsideroi vetëm një limonatë elektorale.
Meta
Dy orë më vonë, nga selia e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta pranoi ftesën e kryeministrit Berisha. “E pranoj ftesën e kryetarit të koalicionit fitues, z.Berisha për të filluar negociatat paraprake dhe për të realizuar me transparencë të plotë programin e Qeverisë së integrimit evropian”, theksoi Meta teksa renditi një sërë faktorësh që e çuan në këtë vendim, si kriza ekonomike që kalon vendi apo rëndësia e stabilitetit politik e institucional në vend. “Kjo është zgjedhja më e vështirë që më duhet të bëj si politikan dhe si lider. Në gati 2 dekada kam qenë shumë i qeshur, kur kam ikur nga detyra e kryeministrit për të ndihmuar zgjidhjen e krizave të asaj kohe që nuk ishin për shkakun tim. Kam qenë shumë i qetë, kur jam larguar nga qeveria nga detyrat e zv.kryeministrit dhe të ministrit të Jashtëm, jam i vendosur, sepse ky është një vendim që i intereson vendit dhe Shqipërisë”, vijoi më tej kreu i LSI-së. Ai përmendi para mediave një sërë iniciativash për të bashkuar të majtën, por e përbashkëta e të gjitha atyre ishte pikërisht mungesa ose heshtja e PS-së. Më tej Meta theksoi se një tjetër marrëveshje me Ramën do të prodhonte krizë, siç ishte sipas tij marrëveshja e Ramës me Berishën. Kreu i LSI-së tha se i vetmi kusht për Berishën është t’i përmbahet angazhimeve për integrimin e vendit, ndërkohë që premtoi se, “marrëveshja Berisha-Meta do të jetë shumë transparente, nuk do të jetë si marrëveshja e Natës së 21 Prillit”.

Berisha: Pse e kërkoj Metën

    Nga partitë me të cilat programet janë më afër është LSI     LSI në programin e saj ka si yll polar integrimin e Shqipërisë në BE     LSI në programin e saj ka punësimin si kryefjalë të reformave dhe përpjekjeve të saj     LSI është një përfaqësuese dinjitoze e spektrit të majtë     LSI në dy zgjedhjet e fundit ka qenë objekt real i një persekutimi të pamerituar ligjor     Koalicioni me LSI varianti më i përshtatshëm për vendin

Meta: Pse e pranoj Berishën

    Marr në konsideratë rezultatet e zgjedhjeve të 28 Qershorit     Marr në konsideratë krizën ekonomike që po kalon vendi     Vlerësoj rëndësinë e stabilitetit politik institucional dhe qeverisës     Vlerësoj domosdoshmërinë e një qeverisje më efiçente     dhe përfaqësuese     Jam konsultuar edhe me aktorë të rëndësishëm vendas dhe ndërkombëtarë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›