E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vasili: Rama na premtoi se do të blinte deputetë nga e djathta

 

Lëvizja Socialiste për Integrim reagoi menjëherë pas deklaratës dhe akuzave të kryetarit socialist, Edi Rama, në lidhje me bashkëpunimin e LSI-së me PD-në. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, tha dje se Rama dështoi në përpjekjen për të blerë deputetë të djathtë dhe për të bërë koalicion me Berishën. “Opinioni publik duhet ta dijë se deri dje Edi Rama i çonte emisarë Ilir Metës për t’u bërë kryeministër i vendit, duke blerë deputetë nga e djathta, duke mos u çliruar dot nga filozofia e trafikimit të votave dhe njerëzve, filozofi e cila ishte edhe baza e mekanizmit mafioz dhe policesk manipulativ të tij në dëm të mijëra e mijëra votave të LSI-së, ai dështoi edhe në tentativën e ndërtimit të një qeverie PS–PD që do të destabilizonte thellë vendin dhe do ta zhyste atë në krizë të thellë politike, ekonomike dhe sociale dhe doli më pas nën trysninë e dështimit që të hidhte baltë dhe mllef mbi marrëveshjen parimore dhe kushtetuese ndërmjet LSI dhe PD”, tha Vasili. Sipas tij, “Edi Rama duhet të skuqet e turpërohet kur i përmend 87 mijë votat e LSI, sepse ato ishin votat e sakrificave të njerëzve të LSI-së që i shpëtuan thonjve manipulative të mafiozëve të paguar me miliona euro nga Edi Rama”. “Ne kemi qindra fakte që provojnë manipulimin e turpshëm të komisionerëve të paguar nga Rama, të cilët do të ndiqen edhe penalisht dhe në qoftë se Edi Rama kërkon sinqerisht t’u shkojë të vërtetave deri në fund, e ftojmë të hapim së bashku të 4700 kutitë e votimit dhe jo vetëm ato ku skema manipuluese e tij ka dështuar”, tha Vasili.
Sipas tij, Rama duhet të administrojë me dinjitet humbjen dhe të mos vazhdojë më të përdorë si mburojë PS-në për interesat e tij të brendshme personale dhe partiake. “Është gjithashtu momenti që Edi Rama të reflektojë për hartimin e një reforme zgjedhore të re, të thellë dhe të ndershme thellësisht të ndryshme nga ky Kod Zgjedhor i pandershëm që sakrifikoi dhe përdhosi mijëra vota opozitare për hir të ambicies së papërmbajtur të Ramës për të fituar i vetëm dhe për të pasur në grushtin e tij të gjithë shtetin shqiptar”, tha sekretari i Përgjithshëm i LSI-së në përgjigje të akuzave të Edi Ramës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›