E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fullani: Ja masat për krizën

 

Fabiola Çela

Kriza globale ka dhënë efektet e saj negative edhe në ekonominë e vendit. Eksportet kanë rënë, po ashtu edhe të ardhurat e emigrantëve. Si pasojë e krizës është rritur portofoli i kredive me probleme. Në një situatë të tillë, Banka e Shqipërisë ka rekomanduar masat që duhen marrë për kapërcimin e krizës. Sipas BSH-së, duhet të krijohet një kuadër i fortë ligjor titujt dhe të drejtat e pronësisë. Në fakt një gjë e tillë është kërkuar shpesh herë edhe nga ndërkombëtarët.
Rekomandimet
“Lidhur me sektorin financiar, besojmë se edhe ai ka nevojë për vendosjen e rregullave të caktuara, që në të ardhmen do të mbështesin një zhvillim më të sigurt dhe më të ekuilibruar të industrisë financiare në përgjithësi dhe të sektorit bankar në veçanti”, është shprehur kreu i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, gjatë një Samitin Rajonal të Guvernatorëve dhe Bankierëve të organizuar pak ditë më parë në Mali të Zi. Sipas tij, BSH-së do të mbështeste çdo masë të tillë që do të kontribuonte në: krijimin e një kuadri të fortë ligjor për titujt dhe të drejtat e pronësisë në Shqipëri, të cilat nga ana e tyre do të ndihmonin në zhvillimin e tregut të mjeteve jofinanciare dhe në rritjen e transparencës për çmimet dhe së fundi, do të forconin procesin e vlerësimit të rrezikut. Së dyti, duhet të bëhen përpjekje për të zhvilluar tregun financiar jobankar dhe tregun e kapitalit në përgjithësi. “Kur bëhet fjalë për kuadrin mbikëqyrës dhe rregullator të sektorit bankar, jam në favor të ndryshimeve të nevojshme, për ta bërë atë më pak prociklik. Në rastin e Shqipërisë – ku nivelet minimale të kapitalit të kërkuar janë tashmë të larta, unë do të isha në favor të futjes së një modeli provigjonimi dinamik, të përshtatur me strukturën e biznesit dhe me nivelin e sofistikimit teknik të sektorit bankar. Madje, në një pozicion më të përgjithshëm, do të mbështesja rishikimin e kuadrit rregullator drejt qartësisë dhe thjeshtësisë, ndonëse kjo mund të interpretohet sikur po mbështes më shumë një metodë të mbikëqyrjes të bazuar në rregulla”, ka thënë guvernatori. Ai ka rekomanduar që të rritet kredidhënia në monedhën vendase. “Kur bëhet fjalë për të zgjedhur ndërmjet huadhënies në monedhën vendase apo në atë të huaj, duhet të mbahen parasysh shumë gjykime lidhur me natyrën e rrjedhjes së monedhës në vend, problemet në mekanizmin e transmetimit të politikës monetare, natyrën e regjimit të kursit të këmbimit, përbërjen e monedhës së mjeteve dhe detyrimeve të sektorit bankar etj. Në këtë drejtim, ne duhet të mbështesim një rol më të fuqishëm të monedhës vendase në kredidhënien bankare, duke e bërë kredidhënien në valutë më të kushtueshme për bankat, nëse ajo nuk mbështetet nga kursimet me pakicë në valutë. Kështu, mbështetja e tepërt e bankave në burime financiare me shumicë në valutë për të mbështetur kredidhënien e shpejtë, duhet të trajtohet dhe menaxhohet në kohën e duhur”, është shprehur guvernatori.

Rekomandimet

• Të krijohet një kuadër i fortë ligjor për titujt dhe të drejtat e pronësisë në Shqipëri.
• Të bëhen përpjekje për të zhvilluar tregun financiar jobankar dhe tregun e kapitalit në përgjithësi.
• Autoritetet publike në vend, pra autoritetet mbikëqyrëse dhe qeveria duhet të kenë plane të shëndosha për ngjarjet e paparashikuara për menaxhimin e ndonjë krize të mundshme financiare.
• Kuadri mbikëqyrës dhe rregullator i sektorit bankar, të ndryshojë për t’u bërë më pak prociklik.
• Të rritet kredidhënia në monedhën vendase

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›