E Diel, 1 Nëntor 2026

Negociatat Beograd-Kosovë pas krijimit të qeverisë

Drejtori i Qendrës për Politika të Reja në Beograd, Vladimir Todoriç, ka thënë se Beogradi është i gatshëm për një dialog me palën kosovare, madje sipas tij Beogradi është i etur për të nisur dialogun në këtë moment. Një deklaratë e tillë është dhënë gjatë intervistës së Todoriç për radion Europa e Lirë.
“Mendoj se krijimi i qeverisë në Kosovë nuk do të jetë një proces i lehtë, duke pasur parasysh mungesën e qartësisë për jehonën që ka pasur raporti i Dick Martyt. Një nga pasojat e këtij raporti është se Hashim Thaçi nuk do të jetë personi, me të cilin krerët e shteteve anëtare të BE-së do të dëshirojnë t`i shtrëngojnë duart apo të bëjnë fotografi.
Pra, mendoj se partnerët apo rivalët e tij politikë në Prishtinë janë të vetëdijshëm për këtë dhe supozoj që kjo është një kuti problematike sa i përket formimit të koalicionit të ardhshëm qeveritar në Kosovë. Beogradi është shumë i qartë lidhur me fillimin e dialogut” theksoi Todoriç. Në pyetjen se a mendon që raporti i Dick Martyt do të mund të prodhonte efekte afatgjata për Kosovën, ai është përgjigjur se ai raport në fakt është hartuar për të qenë raport politik. Drejtori i qendres për politika të reja në Beograd tha se Kosova duhet ta ndërpresë politikën e saj të varësisë nga politika e SHBA-së dhe se ajo nuk do të tolerohet siç është bërë më parë dhe kjo duhet të merret parasysh nëse lexohen mesazhet e raportit.
Todoric tha se bëhet fjalë për akuza shumë serioze politike të një autoriteti të lartë, akuza të zhvendosura që do të mbesin për një kohë të pacaktuar, që do ta pengojnë Hashim Thaçin në të ardhmen dhe do ta pengojnë Kosovën nëse Hashim Thaçi vazhdon ta udhëheqë Kosovën për një periudhë të pacaktuar. Megjithatë po sipas tij, Boris Tadiç ka thënë se do të vazhdojë të flasë me Hashim Thaçin, pavarësisht akuzave derisa të ketë një verdikt zyrtar.
Ndërkaq, lidhur me pyetjen se a do të jetë veriu i Kosovës një nga temat e bisedimeve, Todoriç ka thënë se parimisht, veriu i Kosovës do të jetë pika kryesore e bisedimeve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, sapo të ketë përfunduar e ashtuquajtura pjesa teknike e dialogut.
 
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›