Kosovë, KQZ jep të dhëna për pjesëmarrjen në zgjedhje

Komisioni Qëndror Zgjedhor në Kosovë ka bërë të ditur rezultatin paraprak të përqindjes së daljes së votuesve në rivotim në pesë komuna të Kosovës.
Nga shifrat e prezantuara sot në mëngjes shihet se dje ka pasur një pjesëmarrje më të vogël të zgjedhësve se sa para katër javëve, përkatësisht më 12 dhjetor. Zyrtarët e KQZ-së thanë se votat janë ende duke u numëruar, por kanë shprehur besimin se të hënën në mbrëmje do të mund të dalin me rezultate paraprake.
"Dalja e votuesve sipas komunave është: në Deçan kemi gjithsej 12.881 votues, ose 34. 59 për qind, në Drenas 27 mijë e 377 votues, ose 58.68 për qind, në Lipjan, në një qendër të votimit, kanë votuar 1 256 votues ose 53.31 për qind, në Skenderaj 30 mijë e 379 votues ose gjithsej 61.60 për qind dhe në Malishevë, në një qendër votimi, kanë votuar 1 120 votues, ose 36.36 për qind", ka thënë kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka.