E Shtunë, 31 Tetor 2026

Negociatat, Berisha në tryezë me ekspertë ligjorë

Aspekti ligjor për kreun e qeverisë, Sali Berisha, merr shumë më tepër rëndësi sesa ai politik, në rastin konkret të ngërçit që ka krijuar opozita me bojkotin e saj ndaj Kuvendit. E majta e kryesuar nga Edi Rama pretendon se me mos-hapjen e kutive, mazhoranca po dhunon Kushtetutën. Por i bindur në të kundërtën dhe për ta mbrojtur pikërisht dokumentin themeltar të shtetit në mënyrën më të mirë të mundshme, Kryeministri i vendit ka vendosur të hyjë në negociata me opozitën nën arbitrimin e Presidentit Bamir Topi, me këshilltarët e tij ligjorë. Burime pranë Kryeministrit Berisha bëjnë të ditur se bashkë me të në tryezën e negociatave do të jenë edhe ekspertët ligjorë jo vetëm si argumentim ndaj mosdaljes mbi vendimet e gjykatës, por edhe si një mbrojtje ndaj Kushtetutës së vendit. Fillimit i negociatave dhe ulja në tryezë e Berishës dhe Ramës tashmë është çështje ditësh. Para pak ditësh Presidenti i Republikës njoftoi se po ndiqte me vëmendje zhvillimet politike në vend dhe se ishte i gatshëm që të inicionte tryezën, duke filluar kontaktet ditët në vijim. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, duke ndjekur me vëmendje zhvillimet më të fundit politike në vend, mirëpriti gatishmërinë dhe vullnetin e shprehur për dialog të Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha dhe udhëheqësit të opozitës, Edi Rama. Në kontekstin e ri politik, Presidenti i Republikës do të vijojë në ditët në vazhdim kontaktet paraprake të punës me Kryeministrin e Shqipërisë dhe udhëheqësin e opozitës, si dhe me bashkësinë ndërkombëtare për të përgatitur termat e bisedimeve, që do të zhvillohen gjatë tryezës së përbashkët. Pas këtij momenti palët po bëhen gati për bisedimet, të cilat duket se nuk do të jenë të lehta pasi opozita nuk tërhiqet nga kërkesa për hapjen e kutive të 28 qershorit, ndërkohë që rezoluta e Këshillit të Evropës e bën të qartë se nuk mund të dalë askush mbi vendimet e gjykatës. Gjithsesi kreu i shtetit tashmë është në lëvizje për mbarëvajtjen e negociatave, ku çasti final i tyre do të jetë pikërisht marrëveshja PD-PS dhe shtrëngimi i duarve mes dy kundërshtarëve politikë, Sali Berisha dhe Edi Rama. Deri atëherë mbeten në fuqi deklaratat e dy drejtuesve të politikës në vend, të cilat duket se nuk reflektojnë zbutje të ngërçit politik në vend. Berisha ka deklaruar: "Nuk ka njeri të lirë në botë, që të thotë të rinumërohen votat. Rama thotë e njoh rezultatin, por të hapen kutitë, kjo është e pamundur. Është e pamundur që të pranojë vlerësim politik për një çështje që e kanë ndaluar gjykatat". Kurse Rama gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët bëri të qartë se shkonte në tryezë pikërisht me qëllimin e vetëm për të hapur kutitë e votimit, ndërsa në anën tjetër, Kryeministri i vendit u kundërpërgjigj se një kërkesë e tillë nuk do të pranohej nga mazhoranca, pasi nuk do të shkelë ligjin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›