Negociatat PDK-AKR, pa rezultate

(E plotësuar) Ka përfunduar pa ndonjë rezultat konkret takimi i drejtuesve të PDK-së dhe atyre të AKR-së në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës në lidhje me negociatat për formimin e koalicionit qeverisës.
Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli ka bërë të ditur se nuk heq dorë nga posti i presidentit, ndërkohë që bisedimet do të vazhdojnë edhe ditëve të ardhshme. Ai ka thënë se presidenca do të jetë në fushëveprimin e koalicionit të AKR-së dhe ka shprehur bindjen se do ta ketë postin e presidentit.
“Posti i presidentit do të jetë në fushëveprimin e koalicionit të AKR-së”, ka thënë ai, duke shprehur shpresën se për postin e presidentit do të ketë mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare.
Pacolli ka paralajmëruar vazhdimin e bisedimeve edhe gjatë ditëve në vijim, pasi që siç është shprehur ai, për formimin e një qeverie funksionale duhet të sqarohen edhe shumë çështje tjera përveç postit të presidentit.
Ndërkaq, Muhamet Mustafa nga E 15, pjesë e koalicionit parazgjedhor të AKR-së, ka thënë se koalicioni ka propozuar Pacollin për president dhe se nuk pranohet asnjë ofertë tjetër.
PDK-AKR vazhdojnë negociatat
Drejtues të lartë të Partisë Demokratike të Kosovës dhe atyre të Aleancës për Kosovën e Re (AKR) janë duke mbajtur një takim në ndërtesën e ekzekutivit në lidhje me arritjen e mundshme të marrëveshjes për koalicionin qeverisës.
Në këtë takim nga PDK-ja po merr pjesë kryetari Hashim Thaçi, ndërsa nga AKR-ja është kryetari i kësaj partie Behgjet Pacolli dhe zyrtarë të tjerë nga Koalicioni për Kosovën e Re.
Zyrtarë të AKR-së janë takuar më herët në restorantin “Rings”, prej nga kanë vazhduar rrugën drejt ndërtesës së Qeverisë së Kosovës për të mbajtur takimin me drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), raporton KosovaPress.
AKR këmbëngul në postin e presidentit për të hyrë në koalicion qeverisës me PDK-në, përderisa kjo e fundit i ka kërkuar Pacollit të heqë dorë nga kjo kërkesë, duke i ofruar postin e zëvendëskryeministrit dhe atë të shefit të diplomacisë kosovare, si dhe udhëheqjen e tri ministrive.
Oferta e PDK-së është refuzuar nga AKR-ja, e cila dëshiron postin e presidentit, një zëvendëskryeministër, gjashtë ministri dhe gjashtë zëvendësministra, në të kundërtën preferon të mbetet në opozitë.