Marty akuzon Brukselin
“Fakti i vrasjes së dëshmitarëve në Kosovë nuk e ka prekur askënd në Evropë dhe paraqet skandal që të gjithë kanë heshtur për këtë, e nuk është skandal raporti im për tregti me organe të njerëzve”, ka deklaruar raportuesi special i Këshillit të Evropës Dick Marty, sipas të cilit në Kosovë janë vrarë disa dhjetëra njerëz të cilët kanë dëshmuar për krimet.
Në një intervistë për të përditshmen Delo, ai ka thënë se të gjithë emrat që i ka cekur në raport, në mesin e të cilëve edhe ai i Hashim Thaçit, me vite janë paraqitur në raporte policore, telegrame diplomatike, studime kriminologjike dhe raporte të shumë shërbimeve të fshehta. “Pra, në Perëndim tërë kohën e kanë ditur shumë mirë se çfarë po ngjan në Kosovë, por askush asgjë nuk ka ndërmarrë”, ka theksuar Marty.
Ai ka përkujtuar se shefi i parë i UNMIK-ut, Bernard Kouchner, në pyetjen e gazetarëve për tregtinë me organe të njerëzve, ka qeshur zëshëm.
“Njeriu që qesh për tema kaq tmerruese flet mjaft për veten e tij”, ka thënë zvicerani.
Ai ka përsëritur deklaratën e mëhershme se më shumë u beson amerikanëve lidhur me hetimet se sa evropianëve, për shkak se, sipas tij, kosovarë më shumë i dëgjojnë amerikanët.
Ai ka vlerësuar se Brukseli do të bëjë çmos që të harrojë këtë rast dhe se kurrë nuk do të pranojë “zgjidhjen e vetme” – formimin e një njësie të posaçme hetuese jashtë Kosovës, me autorizime të veçanta dhe me program shumë serioz për mbrojtjen e dëshmitarëve.
Sipas tij, “Evropa kurrë nuk do ta pranojë këtë, sepse e di që dëshmitarët e mi do të flisnin dhe zbulonin se një pjesë e mirë e politikës evropiane tërë kohën e ka ditur se çfarë po ngjan në Kosovë. Mendoni se në Bruksel vërtetë dëshirojnë të dëgjojnë diç të tillë?”, ka thënë pos tjerash Marty në këtë intervistë.