Rilindja shënon simbolikisht 66-vjetorin
Ish-punonjës të “Rilindjes” shënuan sot 66-vjetorin e daljes së gazetës tradicionale të Kosovës, në ambientet e punës që po bëhen në ish-Pallatin e Medieve.
Duke përkujtuar 12 Shkurtin e vitit 1945, kur në Prizren doli numri i parë i “Rilindjes”, ish-punonjësit duan të dërgojnë masazh për të ardhmen e gazetës tradicionale të Kosovës, të mosshuarjes së emrit dhe traditës - të ridaljes së përditshme pas viteve të daljes me numra të jashtëzakonshëm protestus të kundërshtimit të dëbimit të kundërligjshëm e detyrimisht mbylljes nga UNMIK-u në ditën e 21 shkurtit 2002, theksohet në një komunikate shtypi.
“Gazeta historike Rilindja, e cila nuk u ndal edhe kur u ndalua në vitet e pushtimit duke qëndruar gazetë e rezistencës dhe e luftës për liri, pavarësi e demokraci, e lindur në kohën e frymën e Konferencës së Bujanit, pasi doli edhe për ngjarjen historike të shpalljes së pavarësisë dhe njohjet ndërkombëtare që pasuan, ka përmbyllë daljet e mëse 40 numrave të jashtëzakonshëm të kohëpaskohshëm me paralajmërimin në ballinën e saj: Duke besuar në sundimin e ligjit në shtetin e Kosovës presim që nga numri i ardhshëm Rilindja të dalë përditë”, thuhet më tutje në komunikatën, e nënshkruar nga Behlul Jashari, kryetar i Këshillit Drejtues të NSH Gazetare “Rilindja”.
“Këtë paralajmërim e dhamë pasi qeveria aktuale e Pavarësisë së Kosovës i dha fund gjendjes së dëbimit dhe shkatërrimit të Pallatit të shndërruar thuaja në gërmadhë pas uzurpimit nga UNMIK-u, dhe mbështetur në zotimet e qeverisë, që po e merrte në rinovim dhe shfrytëzim Pallatin, si dhe të Agjencisë Kosovare të Privatizimit si autoritet mbi ndërmarrjet e pronat shoqërore se Rilindja dhe punëtorët e saj do i realizojnë të gjitha të drejtat e ligjshme”.
Behluli thekson se e drejtë e ligjshme e Rilindjes e garantuar edhe me Kushtetutë, bazuar në statusin e saj të ndërmarrjes shoqërore, është: privatizimi dhe ridalja e përditshme.
“Për këtë është edhe shembulli i gazetave në rajon dhe në botë, që kishin statusin si të Rilindjes, e që janë privatizuar dhe kanë vazhduar të dalin, madje pa asnjë ndërprerje.
Privatizimi i gazetës Rilindja, me traditën dhe me emrin që ishte dhe mbetet edhe si një shenjë identiteti, mund të bëhet edhe pa u lidhur domosdo me objektin – Pallatin, i cili aktualisht është një zgjidhje e mirë për institucionet e shtetit te ri. Emri dhe tradita e gazetës Rilindja është një vlerë shumë e madhe, e krijuar gjatë 66 viteve, është pasuri me vlerë më të madhe se e çdo pallati, dhe kjo duhet të vlerësohet edhe në procesin e privatizimit”.
Deri në privatizim, Rilindja pret realizimin e të drejtës ligjore të krijimit të kushteve për të ridalë edhe me statusin që ka dhe realizimin e të drejtave të tjera të ligjshme, përfshirë kompensimin-qiranë për shfrytëzimin e lokaleve të saj nga disa ministri.
Rilindja pret që Agjencia Kosovare e Privatizimit, nga e cila po ashtu ka mbështetje, ta kryejë punën e vet pa vonesa për të drejtën e zgjidhjen e duhur ligjore për Ndërmarrjen Shoqërore Gazetare Rilindja.
Rilindja pret që ta kryejnë punën e vet edhe gjykatat për paditë që ka bërë për dëbimin kolektiv nga puna të gazetarëve e punëtorëve të tjerë të saj, mbylljen e kundërligjshme dhe dëmet e shkaktuara, përfshirë dëmtimin e arkivit-pasuri kombëtare e pazëvendësueshme dhe shkatërrimin e gjithë teknikës, të hedhura në bunkerin e errët e me lagështi.
“Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja është një pasuri kombëtare, është një traditë aq sa ka gazeta e njohur Le Monde e Parisit, e që krahasohet edhe me traditat e gazetave të tjera të shteteve euroatlantike, të demokracive më të përparuara në botë. Çdo vend normal në botë e ka gazetën e vet të traditës, dhe duhet ta ketë edhe Kosova. Rasti i Rilindjes është edhe shkelja më e rëndë e të drejtës dhe lirisë së shtypit, e pashembullt në botën e lirë dhe demokratike. Është edhe kulturocid”, thuhet në komunikatë.
Në shënimin simbolik të 12 Shkurtit, 66-vjetorit të Rilindjes, nga gazetarët e punëtorët e saj u përkujtua edhe se para 20 viteve, më 18 Janar 1991, doli në Prishtinë numri i parë i gazetës së përditshme “Bujku”, në një kohë kur gazeta e vetme e përditshme shqipe në Kosovë Rilindja ishte ndaluar dhe mbyllur me dhunë nga regjimi pushtues dhe kriminal serb i Slobodan Milosheviqit, i cili ka përfunduar në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë.
E nxjerrë pikërisht nga gazetarët dhe punonjësit e tjerë të Rilindjes, me guxim dhe sakrifica, “Bujku” ishte gazetë e rezistencës, e lëvizjes gjithëpopullore për liri, pavarësi e demokraci, gazetë e parë e pavarur kosovare, me orientim të fuqizuar demokratik properëndimor.
Në vitet e daljes së gazetës së përditshme “Bujku”, pjesë e rezistencës ishte edhe grava e urisë më se dy javëshe, e prirë nga simboli i rezistencës kombëtare, Adem Demaçi, në Pallatin e Rilindjes, ku Beogradi pretendonte ta instaloj ndërmarrjen fantome “Panorama” të dhunës, kulturocidit e gjenocidit antishqiptar.
Gazeta e përditshme “Bujku”, e cila afër një dekadë mbajti gjallë informimin shqip në Kosovë, doli deri në prag të vitit 1999, derisa u dëbua me dhunë nga Pallati i Rilindjes nga administrata dhe forcat okupatore serbe.
Por, përsëri, gazetarët dhe punonjësit e tjerë të Rilindjes nuk u ndalën, në muajt e parë të vitit 1999, në kushtet e luftës, rikthyen dhe nxorën gazetën e ndaluar Rilindja në Prishtinë, duke punar nëpër shtëpitë e tyre, dhe në këto rrethana përkundër rreziqeve të mëdha gazeta doli derisa gazetarët dhe punonësit e saj u dëbuan bashkë me popullin edhe nga shtëpitë e tyre dhe nga Kosova.
Gazeta Rilindja u rikthye në Kosovë me tanket e para të NATO-s më 12 Qershor 1999 dhe vazhdoi të dalë përditë, derisa UNMIK-u me pretekstin se po e rinovonte Pallatin për vendosje të përkohshme aty të Insitucioneve të Përkohshme Vetëqeverisëse, kundërligjshëm dhe detyrimisht e mbulli më 21 shkurt 2002, duke e dëbuar nga shtëpia e saj – Pallati i Rilindjes, pa i siguruar as lokalet alternative të punës për të cilat zotohej edhe me shkresa zyrtare se do ia siguronte për kohën derisa të rikthehet në Pallat.
Por, gjatë viteve të administrimit nga UNMIK-u Pallati i Rilindjes vetëm u shndërrua thuaja në gërmadhë nga e ashtuquajtura “zhveshje e brendshme”, punimet në rinovim u ndërprenë dhe në ndërtesën e uzurpuar e shkatërruar as nuk u vendosën Institucionet e Përkohshme Vetëqeverisëse e as nuk kishte ku të rikthehej Ndërmarrja Shoqërore Gazetare - gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja, përfundon komunikata.