E Shtunë, 31 Tetor 2026

Negociatat e Krishtlindjeve prodhojne shprese per zgjidhje

Katër ekspertët bëjnë një “përparim cilësor”. Të hënën, takimi final

Kanë vazhduar edhe ditën e “Krishtlindjeve” negociatat mes delegacioneve të PD-së dhe PS-së për arritjen e një marrëveshjeje në lidhje me hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit të 2009-s. Gjatë ditës së djeshme, çiftet Rusmali-Gumi dhe Xhafa-Gjiknuri janë takuar edhe fizikisht gjatë paradites, ndërkohë që pasdite kanë vazhduar kontaktet me telefon, por ende nuk është arritur në një draft që të votohet nga palët. I vetmi përparim është se nuk është ndërprerë kontakti, por është rënë dakord që bisedimet të vazhdohen edhe gjatë ditës së nesërme kur dhe do të mblidhet seanca plenare. Burime pranë grupeve negociatore pohuan për “Shqip” se palët kanë rrëzuar draftet e propozuara, në pikën që hyn në lojë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Asgjë e re nuk është prodhuar dje në ndryshim nga një ditë më parë, përveç faktit se katër negociatorët Ilir Rusmali, Viktor Gumi, Fatmir Xhafa dhe Damian Gjiknuri kanë “prishur” festën e tyre private të Krishtlindjeve për hir të misionit politik, por nuk i kanë dhënë asnjë rezultat teknik procesit të ngritjes së komisionit. Negociatorët dje janë takuar, por të katërt kanë zhvilluar edhe biseda telefonike mes tyre, madje edhe gjatë mbrëmjes. Realisht për një draft final palët presin një “OK” nga krerët e mëdhenj,

Seanca e 27 dhjetorit

Edhe dita e sotme nuk do të jetë pushim për politikën shqiptare, edhe pse parashikimet për arritjen e konsensusit janë zero. Ditën e hënë, përfaqësuesit e PS-së do të dorëzojnë përballë përfaqësuesve të PD-së variantin e tyre përfundimtar një orë përpara fillimit të seancës kuvendore. Në orën 10 të mesditës është parashikuar fillimi i seancës parlamentare, e cila në axhendën e ditës do të ketë vetëm ngritjen e komisionit hetimor. Shpresat për ngritjen e këtij komisioni, pavarësisht garancisë së premtuar të së djathtës dhe përpjekjeve të së majtës janë të vakëta. Seanca e 27 dhjetorit, pritet të japë si produkt vetëm ‘copypaste’ seancën e 23 dhjetorit, ku palët u lëshuan në akuza ndaj njëra-tjetrës, ndenjën deri në orën 5.20 të mëngjesit dhe nuk ofruan asnjë rezultat konkret. Seanca maratonë e të enjtes së shkuar i nxori deputetët e majtë dhe të djathtë nga seanca të përgjumur, Kryeministrin Berisha e detyroi që pavarësisht problemeve shëndetësore të qëndronte në sallën e Kuvendit deri në orët e para të mëngjesit, ndërsa drejtuesen e seancës të maskonte syrin e saj të majtë pas problemeve me lodhjen. Duket se një ndër arsyet e zvarritjes së negociatave është edhe shpresa që PS të tërhiqet nga kërkesa e saj, ndërkohë që kjo e fundit nuk jep asnjë sinjal për tërheqje.

Çështjet në negocim

Pika e vetme ku palët bëjnë ‘shkëndijë’ janë materialet zgjedhore. Vendosja në dispozicion nga KQZ apo nga Arkivi janë dy çështjet që ndajnë edhe ketë herë partinë Demokratike nga Partia Socialiste. Opozita kërkon që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të vendosë në dispozicion të Komisionit Hetimor materialet zgjedhore, dhe jo t’i lërë ato në dorë të Arkivit dhe më pas t’i marrë në shqyrtim komisioni. Partia Demokratike nuk e ka pranuar deri në këtë moment këtë kusht dhe pak shanse ka që të ndodhë ndonjë surprizë e mundshme që do t’i japë oksigjen procesit deri ditën e hënë. Vlen të theksohet se festat e pas Krishtlindjeve do rikthejnë në Tiranë në zyrat e punës ambasadorët e huaj. E vetmja shpresë është interferimi i faktorit ndërkombëtar për t’i detyruar palët të japin kompromisin në tavolinë. Demokratët kërkojnë që hetimi i zgjedhjeve të shkuara të bëhet vetëm në përputhje me Kodin Zgjedhor dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Demokratët dhe socialistët kanë gjetur gjuhën e përbashkët vetëm në idenë e ngritjes së Komisionit Hetimor Parlamentar për zgjedhjet e 28 qershorit për hetimin e materialeve zgjedhore, drejtimin e komisionit nga opozita dhe vendimmarrja në jetë me shumicë të opozitës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›