Krishtlindje pa drita ne qytetin e UNESCO-s
Në qytetin e Beratit janë festuar si çdo vit Krishtlindjet, por sivjet, ndryshe nga vitet e tjera, nuk kanë pasur shkëlqimin e duhur, pasi gjatë gjithë ditës ka munguar energjia. Ishin orët e para të mëngjesit ku besimtarët ortodoksë u janë drejtuar faltoreve të këtij besimi, kishave të qytetit, duke kryer ritet e kësaj feste mbarëbotërore. Por ndryshe nga vitet e tjera, në qytetin e UNESCO-s festa nuk ka pasur atë tempin dhe bukurinë e viteve të mëparshme. Sivjet Krishtlindjet janë mjaftuar me një ceremoni të thjeshtë në katedralen në qendër të qytetit, atë të “Shën Gjergjit”, e ndërtuar një vit më parë. Ceremonia më pas ka vijuar në vizitat në mitropolinë e qytetit. Në ambientet e kësaj mitropolie kanë vizituar dhe kanë bërë urimin e tyre besimtarë të fesë ortodokse, si dhe drejtues të pushtetit vendor. Kryetari i Bashkisë së Beratit, Fadil Nasufi, ka uruar të gjithë besimtarët dhe i ka ftuar për një bashkim në këtë vit. Nuk kanë munguar urimet edhe nga krerë të forcave të ndryshme politike në Berat, si dhe qytetarë të thjeshtë. Më tej festa ka vijuar dhe në gjithë qytetin, ku besimtarë të shumtë janë drejtuar për të kryer ritet e kësaj feste në faltoret e këtij qytetit. Por festa ka vijuar edhe në ambientet e dhomave të paraburgimit pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut Berat, ku presin vendimin nga drejtësia mbi 80 persona. Në ambientet e dhomave të paraburgimit është organizuar një festë nga vetë institucioni i mitropolisë së Beratit, të cilët kanë sjellë një atmosferë paqësore në këto ambiente. Përfaqësuesi i mitropolisë, atë Kristaq Subashi, i ka këshilluar këta të rinj, duke i bekuar me fjalën e Zotit dhe duke u dhënë shpresën për të përqafuar rrugën e drejtë.