Negociatat me BE, Balla: Kuvendi do ketë rolin e tij në procesin e integrimit

Komisioni për Integrimin Europian do të quhet Komisioni për Çështjet Europiane, KÇE, pas ndryshimeve që do të bëhet në ligj për rolin e Kuvendit në këtë proces. Bashkëkryetari i këtij komisioni, Taulant Balla tha se Kuvendi ka një rol mjaft të rëndësishëm në negociatat me Bashkimin Europian për kapitujt dhe se do të jap rekomandimet e tij për pozicionet negociuse.
Këto deklarata Balla i bëri gjatë takimit në Kuvendin e Shqipërisë me ambasadorët për t’i informuar mbi ndryshimet në Ligjin për “Rolin e Kuvendit të Shqipërisë në Procesin e Anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian”.
Me shtimin e rolit të Kuvendit në fillimin e negociatave, Balla tha se qeveria do i paraqesë fillimisht Komisionit për Çështjet Europiane propozimin negociues për secilin kapitull që të jap propozimet e saj.
“Kuvendi merr një rol edhe më të rëndësishëm në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian me fillimin e bisedimeve/negociatave. Në këtë perspektivë vijnë edhe ndryshimet në Ligjin për rolin e Kuvendit në këtë proces, ku do të propozohet të shtohet si funksion i Komisionit për Çështjet Europiane (aktualisht Komisioni për Integrimin Europian) edhe shqyrtimi i pozicioneve negociuese të Qeverisë. Qeveria do të paraqesë në Kuvend (KÇE) pozicionin e propozuar negociues, përpara përcaktimit/miratimit të pozicionit negociator për secilin kapitull. Komisioni për Çështjet Europiane do të japë rekomandime për pozicionet negociatore. Kjo është një përfshirje reale e Kuvendit, natyrisht edhe e opozitës, në procesin e negociatave”, tha Balla.
Në takim ishin të pranishëm ambasadorët e vendeve anëtare të BE, të cilët dhanë mendimet për rolin dhe mbështetjen që i duhet dhënë Kuvendit gjatë negociateve.
/rtsh.al/