Orgocka fiton në takimin ndërkombëtar të dramës
U zhvillua këto ditë në Maqedoni edicioni i tetë i takimit ndërkombëtar të dramës “Aktori i Europës”. Në këtë aktivitet kulturor morën pjesë trupa dhe aktorë nga Greqia, Rusia, Maqedonia, Mali i zi, Sllovenia, Kroacia etj. Nga Shqipëria mori pjesë regjisori dhe aktori i njohur Dhimitër Orgocka me monodramën “Vetëvrasja e luleve”, shkruar nga Namik Dokle. Kjo monodramë trajton problemin e gjakmarrjes, por jo si një fenomen vetëm shqiptar. Monodrama dhe loja e aktorit nga Shqipëria u vlerësua si më e mira e takimit. Dhimitër Orgocka realizoi edhe regjisurën e veprës. Kryetari i jurisë, Jordan Plevnesh, poet dhe ambasador i Maqedonisë në Paris, e cilësoi veprën si një shfaqje të shkëlqyer, ndërsa ish-ministri i Kulturës i Maqedonisë, drejtori i Teatrit të Bitolës, Bllagoj Stefanofski, e cilësoi si një shfaqje të mahnitshme. Juria e nderoi këtë shfaqje dhe aktorin korçar, Orgocka, me çmimin e parë të takimit.
#