E Diel, 1 Nëntor 2026

Negociatat për zgjedhjet, PD-PS shtyjnë firmosjen për të premten

SHKRUAN: Nevila Perndoj 31-03-2011 16:03

TIRANË- Mungesa e kryetarit të grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, në raundin e dytë të bisedimeve për zgjedhjet 8 Majit, paralajmëroi se as tryeza e djeshme nuk do të dilte me firmosje të marrëveshjes. Në tryezën e dytë të thirrur nga Partia Demokratike nuk kanë qenë të pranishëm kryetari i grupit parlamentar i PS-së, Gramoz Ruçi, dhe as kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule. Opozita ka preferuar dje të përfaqësohet vetëm me ekspertin e PS-së, Damian Gjiknuri, duke i kaluar negociatat në nivel ekspertësh, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje të përbashkët me PD-në vetëm ditën e premte.

Partia Socialiste shkoi dje me propozime të reja, që në thelb nuk ndryshonin katër kushtet kryesore të parashtruara dy ditë më parë, pikërisht transparenca post-zgjedhore, lista e zgjedhësve, ligjshmëria në KQZ dhe kartat e identitetit. Megjithatë, në dokumentin e propozuar dje nga PS-ja në realizimin e katër kushteve të saj janë modifikuar disa propozime teknike që mund të gjejnë konsensus edhe nga PD-ja. Të vetmet çështje që nuk mund të gjejnë konsensus janë transparenca post-elektorale, që kërkon ndryshim të Kodit Zgjedhor, dhe pajisja e makinave të leximit për verifikueshmërinë e kartave të identitetit ditën e zgjedhjeve.

“Partia Socialiste, në funksion të tryezës së zhvilluar edhe dje, e nisur edhe nga qëllimi i mirë për të arritur një marrëveshje për ato pika esenciale që ne i kemi nxjerrë problem për zgjedhjet vendore, kemi bërë një sërë propozimesh te drafti që ka përgatitur Partia Demokratike, pra si një vullnet i mirë për të gjetur një zgjidhje para këtyre zgjedhjeve, pikërisht për ato kushte që ne i kemi quajtur esenciale për zgjedhjet vendore. Përveç pjesës që i takon transparencës post-zgjedhore dhe që nuk ka efekte të menjëhershme në proceset e filluara, asgjë tjetër nuk ka të bëjë me Kodin, pra vetëm aspekti i transparencës postzgjedhore, gjë që fillon i shtrin efektet pas përfundimit të zgjedhjeve vendore”,- tha Gjiknuri. Por pikërisht te ndryshimi i Kodit, Partia Demokratike e ka dhënë përgjigjen që dje. Bashkëhartuesi tjetër i Kodit Zgjedhor, eksperti demokrat Oerd Bylykbashi, ka deklaruar dje se për ndryshimet në Kod duhet marrë më parë mendimi i OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias.“Çdo lloj elementi që përbën ndryshim në kuadrin ligjor të zgjedhjeve, të përfshihet në Kodin Zgjedhor pas një vlerësimi paraprak nga OSBE/ODIHR dhe Komisioni i Venecias. Janë të vetmit ata që mund të certifikojnë kualitetin e këtyre ndryshimeve, në mënyrë që të ruhet standardi zgjedhor”, - tha dje Bylykbashi pas takimit të zhvilluar. Ai shtoi se Partia Demokratike do të shikojë me kujdes të gjitha propozimet e depozituara dje nga PS-ja për të dhënë një përgjigje vetëm nesër, ku palët pretendojnë se do të gjejnë pika të përafërta për të arritur në një zgjidhje të përbashkët. “Ne do t’i shohim me kujdes të gjitha propozimet, kemi marrë kohën e përbashkët deri ditën e premte, për t’i gjykuar me kujdes”,- shtoi ai. Edhe sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, deklaroi dje pas tryezës se ndryshe nga dy ditë më parë, PS-ja kishte depozituar dje propozime racionale. “Në një vlerësim të parë brenda propozimeve që ka sjellë Partia Socialiste, ka gjëra racionale që kontribuojnë për ta plotësuar më mirë marrëveshjen dhe për të mbërritur në një dokument që të pranohet nga palët dhe për ta nënshkruar atë me seriozitetin që meriton një fushatë zgjedhore e vendosur në parametrat e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it”, tha Rama, duke shtuar se marrëveshja mund të firmoset ditën e premte për ato çështje që burojnë nga rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe që lidhen me prekshmërinë e Kodit Zgjedhor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›