E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Do ndërtoj Bibliotekën Universitare të Tiranës

Lulzim Basha, kandidati për kryebashkiak në Tiranë, ka takuar një grup të rinjsh, studentë të Juridikut, pasi këta të fundit e kanë ftuar Bashën në një festë të tyren, ndërsa kandidati i PD-së për kryebashkiak u tregoi edhe rreth projektit që ai ka për studentët, ndërkohë që ata janë duke ndjekur jetën akademike. Basha u tha të rinjve që ka në plan projekte konkrete për infrastrukturën e tyre, në mënyrë që kjo të ndikojë në një kualifikim sa më të mirë. “Unë ju premtoj se sapo të nis punën si kryebashkiak, do të filloj ndërtimin e Bibliotekës Universitare të Tiranës për të gjithë studentët, siç e kanë të gjithë kryeqytetet e tjera të Europës” , u shpreh Basha. Kandidati për kryebashkiak i ftoi të rinjtë që t’i shkruajnë në adresën e tij në facebook, për të gjitha sugjerimet që ata kanë për nevojat e tyre dhe për transformimin e Tiranës. “Unë do të bëj gjithçka, do të krijoj të gjithë lehtësirat, në mënyrë që Tirana që kthehet në Parajsë për investitorët dhe kështu mundësitë e punësimit të të rinjve të rriten”, iu drejtua Basha studentëve. Paralelisht me vizitën e Bashës, nga kampi socialist vijnë akuzat për të. “Tirana nuk ka nevojë për një Lul, nuk ka nevojë për një Sali”, kështu u është drejtuar deputeti socialist Eduard Shalsi disa banorëve në njësinë 9. Duke folur me ta në një bashkëbisedim spontan, Shalsi nënvizoi se “Luli duhet të ishte para drejtësisë. Luli, tha Shalsi, s’mund të flasë për drejtësi e transparencë, pasi prej dy vitesh i fshihet drejtësisë”. Gjatë takimit në njësinë 9 Shalsi ka deklaruar se Lulzim Basha është personi i fundit për të cilin mund të kenë nevojë qytetarët e Tiranës, duke i ftuar ata të votonin Edi Ramën.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›