Nehat Kulla si Ilir Xhakja
Nehat Kulla, i ashtuquajturi “Gjenerali” i dënuar me 20 vite burg për vrasjen e Halim Gjuzit, shoferit të ish-ministrit të Brendshëm Halit Shamata, duket se ka zgjedhur të njëjten taktikë juridike si Ilir Xhakja në përballje me drejtësinë. Ashtu si vrasësi i kryekomisarit, edhe Nehat Kulla, po përpiqet të rikthejë çështjen për rigjykim në shkallën e parë me qëllim prishjen e vendimit të dhënë për të. Kulla i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të prishur vendimin e tij prej 20 vitesh heqje lirie dhe për ta rikthyer çështjen e tij në gjykatën e Kavajës. Sot trupi gjykues i gjykatës kushtetuese dëgjoi palët dhe u tërhoq për një vendim. Avokatët mbrojtës të Kullës kanë deklaruar se Nehat Kullës, i është mohuar e drejta për të patur një proces të rregullt ligjor në të gjitha shkallët e gjyqësorit. Disa nga shkeljet e pretenduara janë zgjatja e afateve hetimore nga ana e prokurorisë dhe caktimi i përkthyesit për dëshmitarin italian, pa e njoftuar. Gjithashtu Kulla pretendon se gjykata shkallës së parë e Durrësit nuk ka pranuar asnjë dëshmitarë, apo provë të mbrojtjes së tij, por vetëm ato të prokurorisë. Po ashtu ne Gjykatën e Lartë Kulla pretendon se eshte cenuar e drejta per tu mbrojtur, pasi gjyqi ka vazhduar megjithe mungesat e avokatëve te tij. Gjykata e Shkallës së Parë, Durrës dhe ajo e Apelit e kanë dënuar Nehat Kullën me 20 vjet burg, për akuzën e vrasjes së Halim Gjuzit, në 1998 në afërsi të Golemit, vendim ky i lënë në fuqi edhe nga Gjykata e Lartë. Me të njëjten strategji Ilir Xhakja ka fituar të drejtën për të lëvizur i lirë pak kohë më parë, megjithëse mbi të rëndonin krime të rënda, siç është ajo e vrasjes.