E Diel, 1 Nëntor 2026

Ilir Meta: Koalicioni PD-LSI, i qëndrueshëm për 4 vjet, PS-ja në opozitë nuk është tragjedi për Shqipërinë

Kreu i LSI-së komenton shtyllat e negocimit për kabinetin e ri qeverisës “Berisha2”, ndërkohë që i bën thirrje kryetarit mandatprerë të PS-së që të qetësohet e të mendojë se si do t’i çojë katër vitet e pritshme në opozitë


TIRANE – Kreu i LSI-së, Ilir Meta, në prag të nisjes së negociatave politike me PD-në, për formimin e kabinetit qeveritar, deklaron se qeveria e re do të jetë e qëndrueshme dhe do të funksionojë plotësisht, duke përshkuar 4 vitet e ardhshme kalendarike. Në një intervistë të tijën për TV Klan, kreu i LSI-së, Ilir Meta, shpjegon edhe cilat do të jenë shtyllat mbi të cilat partia e tij do të negociojë me Berishën për krijimin e qeverisë së re të integrimit. Meta u shpreh se kjo qeveri, vjen nga një vullnet politik, shumë i fuqishëm, ashtu sikurse është e nevojshme një opozitë të fuqishme, që të kontrollojë qeverinë. Liberalizimi i vizave dhe zhdukja e varfërisë dhe integrimi i vendit në BE, janë disa nga pikat themelore të njehsuara të programit të të dy forcave politike, PD-LSI. Për sa i takon “vajtimit”, të kryetarit mandatprerë socialist, Edi Rama, për humbjen e zgjedhjeve, Meta e këshillon që ta marrë me lehtësi dhe të heqë dorë nga mendësitë e vjetruara, pavarësisht se u propagandua si përfaqësues i politikës së re. Ai shton më tej se dalja sërish e PS-së në opozitë nuk është tragjedi për Shqipërinë. Rreth një muaj e gjysmë pasi kanë përfunduar zgjedhjet parlamentare, si ju duket vendimi që keni marrë për bashkëqeverisje me PD-në? Pas kaq kohësh mund them me bindje të plotë se jam po aq i bindur sa edhe para se të deklaroja pranimin e ftesës, për bashkëqeverisje. Ishte vendim i vlefshëm, i drejtë, i dobishëm, jo vetëm për LSI-në, por në radhë të parë për vendin, për stabilitetin e tij, për zhvillimin dhe integrimin e vendit. Dhe fakti që ky ka qenë një vendim kaq i drejtë ka të bëjë me atë qetësim të situatës e cila nuk duhet të harrojmë se ishte tepër e konfliktuar, në mënyrë artificiale, ndërsa tani mjafton të shikoni qetësinë këtu në plazhin e Dhërmiut dhe në të gjithë plazhet e Shqipërisë, ku qytetarët i janë kthyer jetës normale, për të rikonfirmuar edhe njëherë drejtësinë e atij vendimi. A kanë filluar negociatat për qeverinë e re dhe çfarë prioritetesh programore keni? Nuk ka asnjë negociatë, pasi është deklaruar nga të dy palët që kjo do të ndodhë në një periudhë sa më pranë limiteve kushtetuese për mbledhjen e parlamenti të ri, për formimin e qeverisë së re, për dy arsye, të cilat janë shumë të qarta dhe konstruktive. E para, qeveria aktuale duhet të përmbushë detyrimet e saj deri në fund të mandatit dhe deri në formimin e qeverisë së re. Dhe e dyta, të dy palët kanë një program, si Partia Demokratike që është forcë qeverisëse ashtu edhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Do të thotë se programi ynë dhe prioritetet tona janë të qarta. Mes dy programeve të forcave politike, ka përputhshmëri në shumë elementë dhe një gjë e përbashkët e programit të koalicionit është pikërisht integrimi evropian dhe reformat që duhen bërë, për të përshpejtuar këtë proces madhor për vendin. Në këto vite që do të qeverisë PD – LSI, janë zgjedhjet lokale dhe zgjedhja e Presidentit të Republikës, a mendoni se do të jetë e qëndrueshme kjo qeverisje? Absolutisht vendi ka nevojë për një qeverisje të qëndrueshme. Vendi nuk ka nevojë për eksperimente të dështuara siç kanë ndodhur me qeveritë teknike. Shqipëria ka nevojë për një qeveri me përgjegjësi politike. Do të thosha se kjo qeveri lind nga një vullnet politik shumë i fuqishëm, ashtu siç kemi një opozitë të fuqishme që të kontrollojë qeverinë në interes të vendit dhe në këtë drejtim dua të shpreh se ky koalicion do të jetë jo vetëm i qëndrueshëm, do të jetë jo vetëm i suksesshëm, jo vetëm efikas, por edhe një koalicion që besoj se nuk do të funksionojë asnjë ditë më pak se katër vitet e ardhshme kalendarike. Ne jemi të hapur për zgjidhjet më të mira edhe në dobi të interesave tona dhe në dobi të koalicionit të ardhshëm. E gjithë kjo do të realizohet në harmoni dhe në emër të figurave dhe personaliteteve që mund të nxjerrë politika. Por ajo që është më e rëndësishme është fryma e bashkëpunimit, si brenda koalicionit, si brenda një qeverie, si brenda institucioneve. Këto janë produktet kryesore, për të plotësuar një koalicion, për të plotësuar një qeveri. Ju personalisht do të jeni pjesë e kësaj qeverie? Unë doja të thosha se jam pjesë e këtij koalicioni dhe kjo është e rëndësishme. Sidoqoftë, unë nuk do të jem pa punë, pasi jam deputet. Më e rëndësishme, gjykoj, është vullneti politik, i koalicionit dhe qeverisë së ardhshme, për të zgjidhur problemet që shqetësojnë shqiptarët, që nga liberalizimi i vizave dhe mundësisht, nëpërmjet një programi të veçantë tek zhdukja përfundimtare e varfërisë, që realisht është një problem i madh, për shumë shtresa shoqërore në vend. Që nga zgjidhja e disa problemeve jetësore për moshën e tretë. Ndërsa ku do të jem unë dhe çfarë do të jem unë. Ky koalicion, në thelb, ka aspiratat më të rëndësishme të vendit, unë nuk kam asnjë lloj kushtëzimi. Ndërkohë, ka pasur reagime nga kampi i majtë që ju keni “tradhtuar” të së majtës, nga aleanca që lidhët me Berishën? Mua më vjen keq, për këtë mendësi kaq të vjetër nga lidershipi aktual i Partisë Socialiste, i cili propagandoi për politikë të re. Do të thosha që ta marrë me qetësi pasi nuk është fundi i botës. I ftoj të gjithë ta marrin me qetësi. Është një opozitë e fortë. Do të jetë një opozitë me një numër të tillë deputetësh. Unë do të isha i lumtur nëse do të isha kryetari i opozitës, sepse përgjegjësia është po aq sa e qeverisë edhe pse qeveria është e detyruar të ndërmarrë reforma dhe shpesh herë me kosto të pashmangshme, për vetë atë. Nuk e kuptoj këtë depresion. Unë mendoj se ata duhet të jenë të kënaqur që në këtë koalicion, është një forcë e majtë, si LSI-ja, e cila do të forcojë dimensionin social në qeverisjen e ardhshme.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›