E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moskujdesi për kujtimet

Kohë më parë zyrtarët e Kuvendit të Komunës deklaruan se disa nga monumentet që “zbukurojnë” sheshet e shumta të Prishtinës do të riparohen, e të tjerat do të zhvendosen në lokacione tjera. Deri më sot nuk u vërejt ndonjë veprim në këtë drejtim. Njësoj siç shpesh nuk vërehen as shumica e përmendoreve të vendosura kuturu. Nga Albana S. Muja më 06 maj 2011 në ora 12:14

Megjithëse janë veprat e para artistike me të cilat përballet një huaj që e viziton Prishtinën, gjendja e monumenteve në Prishtinë është larg të së dëshiruarës. Shumica e tyre duken të lëna pas dore dhe pa asnjë përkujdesje institucionale. Del e vështirë të definohet se kush do të duhej t’i mirëmbante përmendoret dhe lapidarët e kryeqendrës së Kosovës. Drejtoria për Kulturë e Kuvendit të Komunës së Prishtinës gishtin e drejton nga Drejtoria për Urbanizëm, e kjo e fundit të kthen prapë tek e para.

Luljeta Ceku, drejtoreshë e Urbanizmit në Kuvendin e Komunës së Prishtinës, i tha gazetës se detyrë e Drejtorisë që e drejton është vetëm mirëmbajtja e hapësirave përreth, e jo edhe përkujdesja dhe mirëmbajtja e përmendoreve dhe lapidarëve në kryeqytet. Sipas saj, detyra e mirëmbajtjes së përmendoreve dhe monumenteve iu takon Drejtorisë për Kulturë dhe Drejtorisë për Shërbime Publike. Paraprakisht, zyrtarët e Drejtorisë për Kulturë nënvizuan se kjo detyrë i takon Drejtorisë së Urbanizmit.

Përmendore që shpesh nuk vërehen

Përderisa në Kuvendin Komunal duket se ende nuk ka një koordinim të mirëfilltë për rregullimin e kësaj çështjeje, ka të atillë që gjithë çështjen e përmendoreve e shohin si një mungesë profesionaliteti, sidomos në përzgjedhjen e lokacioneve për vendosjen e tyre.

Qoftë edhe përmes një vështrimi sipërfaqësor konstatohet se përmendoret, si ajo e ish-presidentit amerikan, Bill Clinton, e heroit Zahir Pajaziti, e Skënderbeut, apo edhe të Nënës Terezë dhe të profesorit Fehmi Agani, mezi bien në sy. Kështu, përpos që nuk mirëmbahen, falë vendeve të përzgjedhura kuturu për vendosjen e tyre, përmendoret shpesh humbin edhe vetë qëllimin – atë të përkujtimit.

Arkitekti, Ilir Gjinolli, mendon se, përkundër faktit që Prishtina ka shumë monumente nga periudha të ndryshme kohore, të cilat simbolizojnë ngjarje dhe të arritura të ndryshme të shoqërisë kosovare, ato shpesh nuk janë në harmoni me vendin ku janë vendosur.

“Për të marrë vendim se si duhet të trajtohen ato, nevojitet një mendim profesional i një ekipi multidisiplinar, i cili i trajton ato nga shumë aspekte. Mirëpo, për shumë monumente të vendosura pas luftës së vitit 1999 diskutabile është pozita, për të cilën zakonisht është vendosur pa ndonjë analizë paraprake të rrethit dhe relacionit të saj me prapavijën”, shprehet Gjinolli.

Ndërkohë, pas paralajmërimit se Kuvendi Komunal do të intervenojë në riparimin, por edhe në “shpërnguljen” e disa prej përmendoreve aktuale, për qytetarët duket se mbetet shqetësim se çka në të vërtetë do të bëhet me to. Aq më tepër kur gjendja aktuale e pothuajse të gjitha monumenteve është e tmerrshme.

Sipas drejtoreshës së Urbanizmit, znj. Çeku, disa prej këtyre monumenteve, përveçqë do të riparohen, do t’iu ndërrohet edhe vendi.

Si shembull, ajo sqaron se përmendorja e Skënderbeut është paraparë të rishqyrtohet. Respektivisht, të shqyrtohet postamenti i përmendores dhe i amfiteatrit në raport me Sheshin e Pavarësisë.

Paralelisht, Çeku tregon se edhe për Sheshin Zahir Pajaziti Drejtoria për Urbanizëm Ndërtim dhe Mbrojtje të Mjedisit tashmë ka hartuar një detyrë projektuese, me qëllim të hartimit të projektit ideor urbanistiko-arkitektonik. Për këtë nevojë është shpallur edhe tenderi dhe, pas përzgjedhjes së zgjidhjes më të mirë, do të mund të dihet se si dhe ku do të pozicionohet përmendorja e Zahir Pajazitit, ndonëse ajo sigurisht që do të mbetet në kuadër të tërësisë së Sheshit, pohon Çeku.

Ndërkaq, sipas arkitektit Gjinolli kjo përmendore “në organizimin e tanishëm të hapësirës, është vendosur disi në rrugë. rrjedhimisht, në atë pozitë ajo fare përjetohet si monument”.

“Bile, jam i sigurt se çdokush, pasi ta ketë parë atë (përmendoren) njëherë, kur herën tjetër të kalojë pranë andej, as që do të jetë koshient se aty ka një monument”, thekson Gjinolli.

Nga do të “shkojë” përmendorja e Nënës Terezë?

Drejtoresha e Urbanizmit, Luljeta Çeku, pohon se përmendorja e Nënës Terezë është paraparë të vendoset në oborrin e Katedrales së Nënës Terezë.

“Ipeshkvia tashmë ka organizuar konkursin për shtatoren e re të Nënës Terezë. Ne shpresojmë se do të bëhet përzgjedhja e duhur nga bocetat e prezantuara në këtë konkurs”, u shpreh ajo.

Ndërkohë, pas largimit të shtatores së Nënës Terezë nga fontana, mbi të cilët është vendosur , do të bëhet riparimi i plotë i fontanës dhe asaj do t’i kthehet funksioni i mëparshëm.

Përmendorja e Fehmi Aganit, imazh i keq për Universitetin

Përmendorja e profesorit të dikurshëm të Universitetit të Prishtinës, dhe njërit prej themeluesve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fehmi Aganit, brenda një kohe shumë të shkurtër ka pësuar dëmtime të shumta - si tërësi urbanistiko-arkitektonike – nga vetë faktori njeri. Gjendja aktuale e përmendores është për turp, shprehet Çeku.

“Aq më tepër, kur ky monument ndodhet në hapësirën e Qendrës Universitare. Andaj, mendoj se edhe riparimi i këtij monumenti do të duhej të trajtohej së bashku me hapësirën e Qendrës Universitare, që edhe është synim i kamotshëm i të dy institucioneve”, shton Çeku.

Nga ana tjetër, Gjinolli edhe këtë monument e sheh të vendosur në vend të gabuar.
“Monumenti i profesorit Fehmi Agani është i vendosur në një lokacion të papërshtatshëm, sepse as aty nuk është menduar për hapësirën që e rrethon atë. Megjithëse, edhe vetë plani rregullues ‘Qendra 2’ parasheh hapësira të veçanta për monumentet e vendosura në kuadër të Qendrës Universitare.

Monumenti është i vendosur në një vijë të qarkullimit shumë intensiv të këmbësorëve, kështu që ai absolutisht nuk ka se si të përjetohet si një monument”, përfundon ai.

Gjinolli për sheshet e përmendoret

“Përmendorja e Nënë Terezës ka qenë, me sa di unë, subjekt i një konkursi shpërblyes ndërkombëtar. Mirëpo edhe këtu kemi një problem me pozitën, sepse - tash për tash - para Katedrales nuk kemi shesh, dhe, përderisa kjo hapësirë të mos kthehet në shesh, siç është paraparë me planin rregullues ‘Qendra 2’, cilado pozitë e përmendores nuk do të jetë e përshtatshme”, shprehet arkitekti Ilir Gjinolli.

Kjo, ngase sipas Gjinollit, “nuk bëhet sheshi për shkak të përmendores, por përmendorja është një prej elementeve të sheshit, që zakonisht paraqet bërthamën e tij”.
“Bile, në histori janë të rralla sheshet ku para një katedrale vendoset shtatorja. Sepse, sipas Zucker’it, ky është një tip tjetër i sheshit. Sheshi i dominuar, i cili zakonisht dominohet nga një ndërtesë monumentale, nuk mund ta durojë edhe një monument.

E sheshet në historinë e qyteteve evropiane, që sipas të gjitha gjasave përgjegjësit e Kishës Katolike të Kosovës kanë dashur t’i ndjekin (lexo kopjojnë), janë të dominuar zakonisht nga katedralet”, sqaron ai tutje.

Gjinolli madje ka vërejtje edhe për obeliskun e Newborn’it. “Newborn për mua është një simbol i të gjitha përpjekjeve të shoqërisë kosovare për liri. Pra, i të gjitha gjeneratave, i atyre që kanë luftuar me armë, apo edhe në ndonjë mënyrë tjetër. Mendoj se ai duhet ta ketë një pozitë e cila e mundëson përjetimin nga të gjitha anët e qytetit. Para afro dy vitesh, në kuadër të një projekti, kemi pas propozuar që monumenti Newborn të vendoset në majën e Kodrës Arbëria - mbi fabrikën e tullave, si element i një parku të madh rekreativ të qytetit. Meqenëse madhësia mund të jetë problematike, ndoshta një diskutim me autorët e veprës, mund të rezultojë me ndërtimin e një kopje dimensionesh më të mëdha, e cila do të ishte proporcionale ndaj pikave më të largëta të përjetimit. Sikur të mendohej me kohë, së pari për lokacionin, edhe monumenti do ishte më i përshtatshëm”, përfundon Gjinolli.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›