Nën drejtimin e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, Ksenofon Krisafi, u mblodh sot paradite Grupi i Punës për evidentimin e problemeve dhe për trajtimin e mbetjeve urbane
Nën drejtimin e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, Ksenofon Krisafi, u mblodh sot paradite Grupi i Punës për evidentimin e problemeve dhe për trajtimin e mbetjeve urbane të qarqeve Tiranë e Durrës, identifikimin e instrumenteve të duhura institucionale dhe ligjore për zgjidhjen e kësaj çështjeje.
Në këtë takim të radhës së Grupit të Punës, të ngritur me Urdhër të Kryeministrit, Nr.107, datë 2.6.2004, u diskutuan dhe u ballafaquan mendimet e paraqitura nga specialistët e gjashtë ministrive, pjesëmarrëse në këtë Grup, lidhur me evidentimin e problemeve dhe për trajtimin e mbetjeve urbane të qarqeve Tiranë e Durrës.
Në fillim të takimit, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Ksenofon Krisafi vlerësoi punën e kryer nga të gjithë përfaqësuesit e ministrive dhe të OJQ-ve përkatëse.
Pas diskutimeve, u vendos që katër përfaqësues të këtij Grupi Pune, nga ministri të ndryshme, t'i paraqesin deri në fund të kësaj jave një material të plotë Grupit të Punës lidhur me kuadrin juridik dhe problemet eventuale të projekt-marrëveshjes për ngriten e impiantit për përpunimin e mbetjeve të ngurta në qarqet Tiranë dhe Durrës.