I nderuar zoti Kryetar, Të nderuar kolegë deputetë, Duke vlerësuar kërkesën për këtë mocion për debat të grupit parlamentar të PDR për situatën ekonomike në vend dhe ecurinë e refo
I nderuar zoti Kryetar,
Të nderuar kolegë deputetë,
Duke vlerësuar kërkesën për këtë mocion për debat të grupit parlamentar të PDR për situatën ekonomike në vend dhe ecurinë e reformave, duke e vlerësuar si një platformë interesante dhe në ndihmë të debatit edhe parashtesën e z.Tepshi, duke i gjykuar këto si një mundësi më shumë për të davaritur mjegullën që ekziston apo mbillet përqark për interesa politike apo të tjera, më lejoni të nënvizoj që në fillim se Shqipëria është në rrugë plotësisht të mbarë nga pikëpampja e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik.
Viti 2004, si në programim po ashtu edhe në realizimet e 5 muajve të parë rezulton më i suksesshmi si për zhvillime ekonomike e shoqërore, ashtu dhe për përshpejtimin e konsolidimin e ritmeve të reformave kryesore. Më lejoni të theksoj që në fillim se nuk mund të pajtohem me vlerësimet e interpeluesve për gjendjen ekonomike në Shqipëri, gjykuar mbi bazën e efektit multiplikator të reformave që e nxisin dhe e përshpejtojnë këtë zhvillim. Jam këtu për të dhënë informacionin e duhur dhe për të korigjuar vlerësimet e gabuara apo të pasakta për shkak të mosnjohjes apo dhe shtrembërimit të së vërtetave për arsye politike.
Është e njohur se burimet ekstensive të rritjes dhe zhvillimit ekonomik e social përgjithësisht janë ezauruar, prandaj ka vite që nëpërmjet reformash të thella strukturore është konsoliduar një rritje e qëndrueshme mesatare në nivelet 6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto çdo vit. Kjo masë rritjeje është parashikuar të realizohet edhe për vitin 2004. Ky realitet mbështetet në programe dhe orientime efikase të resurseve kombëtare të zhvillimit, në strategji dhe dokumente të hartuara nga qeveria shqiptare në bashkëpunim të ngushtë me institucionet kryesore financiare ndërkombëtare, vecanërisht me FMN dhe BB.
Mbështetur dhe për shkak të kësaj pune këmbëngulëse, të strukturuar qartë dhe thellësisht shkencore, sot ekonomia e Shqiptërisë nuk është më variabël i zhvillimeve të konjukturave apo i prirjeve kaotike të tregut, por funksion i programimit nëpërmjet një Strategjie Kombëtare për Zhvillim Ekonomik dhe Shoqëror. Ky dokument themelor shpreh angazhimin e qeverisë për ta bërë dhe Shqipërinë pjesë të strategjisë globale për zhvillim ekonomik dhe reduktim të varfërisë, siç është Programi i OKB për Objektivat e Zhvillimit të Mijëvjeçarit.
Sivjet është hedhur dhe një hap tjetër shumë i rëndësishëm programues dhe zbatues i instrumenteve të ndërhyrjes së shtetit në ekonomi, i cili e lidh ngushtësisht Strategjinë Kombëtare për Zhvillim Ekonomik me procesin e integrimit evropian, veçanërisht nëpërmjet dokumentit dhe planit të veprimeve për Partneritetin Evropian". Harmonizimi i këtyre dy dokumenteve po jep dhe do japë efekte shumë pozitive jo vetëm në rritjen e qëndrueshme të ekonomisë kombëtare, njëkohësisht do shërbejë si bazë për arritjen e zgjerimin e rrjetit të standarteve të tregjeve të botës moderne në ekonominë e vendit, ku për shkak të marrëveshjeve shumëpalëshe siç është angazhimi në OBT dhe dypalëshe siç janë Marrëveshjet e Tregëtisë së Lirë, edhe sipërmarrja e ekonomia shqiptare po shfaqet konkuruese duke përmirësuar standartet e prodhimit dhe të shërbimit.
Për të bërë një sintezë të shqetësimeve të grupit parlamentar të PDR për debat po jap disa tregues real duke njdekur strukturën e termave dhe të temave që ju trajtoni në parashtresën tuaj:
Së pari më lejoni t'ju siguroj se Qeveria shqiptare ka arritur tashmë në mënyrë të pakthyeshme të garantojë stabilitet makroekonomik, ritme të larta dhe të qëndrueshme të rritjes, programe të qarta dhe pjesëmarrje të strukturuar të komuniteteve dhe aktorëve kryesorë të interesit në përpunimin dhe zbatimin e politikave të zhvillimit. Të gjitha këto janë lehtësisht të monitorueshme sepse janë trasparente për të gjithë.
Qeveria shqiptare ka vlerësuar me realizëm dhe detaje fenomenin e varfërisë dhe po punon për ta reduktuar atë me shpejtësi, veçanërisht për kategorinë e varfërisë ekstreme.
Qeveria shqiptare i njeh problemet dhe sfidat e sipërmarrjes vendase dhe po ndërmerr hapa konkretë për stimulimin e saj dhe për përmirësimin thelbësor të klimës për sipërmarrje, duke forcuar partneritetin e biznesit me administratën publike dhe me programet shtetërore.
Qeveria shqiptare i njeh problemet dhe dobësitë e sistemit në tranzicion dhe po vazhdon t'i kurojë dhe t'i kapërcejë ato me ritme të sigurta.
Qeveria shqiptare në këtë sfidë kombëtare për zhvillim të qëndrueshëm dhe për reduktimin e varfërisë bashkëpunon jo vetëm me partnerët ndërkombëtarë, por në mënyrë të veçantë me partnerët lokalë të sipërmarrjes, shoqërisë civile dhe partnerëve socialë.
Duke vlerësuar shqetësimin tuaj të nderuar kolegë të PDR për të gjitha çështjet që janë ngritur në kërkesën për debat, si dhe në Projekt Rezolutën e paraqitur, unë ju ftoj duke ju vënë në dispozicion gjithë informacionin që gjykojmë se është thelbësor për të arritur në konkluzione dhe për të ndërmarrë mbi këtë bazë iniciativa për më shumë konsensus në spektrin parlamentar gjithashtu, që nxisin më shumë stabilitet dhe përshpejtim të rritjes së vendit dhe kurimit të sëmundjeve të rritjes. Këtë dua ta vë në funksion të një kontributi përfaqësuesish seriozë për të reduktuar sherret politike spekulative.
Zotërinj deputetë,
Viti 2003 shënoi një kthesë pozitive në ritmet e rritjes së Produktit të Përgjithshëm Bruto (PBB). Në terma realë ajo arriti nivelin prej 6%, krahasuar me 4,7% që ishte rritja për vitin 2002. PBB për frymë gjatë vitit 2003 u rrit me 25,2%, duke arritur në nivelin 1950 USD/fryme, nga 670 USD që ishte në vitin '96, që vlerësohet nga statistikat shtetërore si viti më i mirë i qeverisjes së Partisë Demokratike.
Inflacioni mesatar vjetor shënoi rënie gjatë vitit 2003 duke arritur në 3,3%, por brenda kufijve prej 2-4% të objektivit të parashikuar, në marrëveshjet me FMN gjithashtu, nga 5.3% që ishte në fundvitin 2002. Një tregues tjetër, që dëshmon për forcim të stabilizimit makroekonomik, është ulja e defiçitit fiskal nga 5.6% e PBB në vitin 2002, në 4,6% (përfshirë grantet) e PBB në fund të vitit 2003. Financimi i defiçitit është realizuar në masën 70.5% (ose 3,2% e PBB) nga burimet e brendshme dhe vetëm 29.5% (ose 1,3% e PBB) nga huatë e jashtme, duke sjellë përmirësime thelbësore në raportet e parashikuara të defiçitit që ishin përkatësisht 49% dhe hua të jashtme 51%.
Alokimi i burimeve drejt destinacioneve apo përdorimeve më efiçente është shoqëruar me përmirësime të ndjeshme në teknologji të prodhimit dhe të shërbimeve, por dhe përmirësime stimuluese të kapaciteteve të administratës publike.
Investimet totale në vitin 2003, në terma nominalë, ishin 23,75% më të larta sesa në 2002, duke arritur në 22,3% të GDP, nga 20,4% që ishte niveli i investimeve në raport me PBB për vitin 2002. Ndërkaq, investimet private shënuan një rritje më të lartë prej 39,96%, duke arritur në 18,21% të PBB, nga 14,73% në vitin 2002, ndërsa investimet publike për vitin 2003 pësuan një tkurrje të lehtë në terma nominalë.
Niveli i papunësisë, sipas regjistrave të Zyrave të Punës për vitin 2003 rezultoi 15%, nga 15.8% që ishte në vitin 2002 dhe 16% në vitin 2001.
Tregtia e jashtme gjatë vitit 2003 njohu zhvillime të qarta pozitive, duke arritur një volum rekord i tregtisë së jashtme prej 2.3 miliardë USD. Eksportet në veçanti në 2003 u rritën me 37% krahasuar me vitin 2002, përkundrejt një ritmi prej 25% të rritjes së importeve. Për rrjedhojë është zgjeruar më tej hapja e ekonomisë së vendit ndaj tregjeve rajonale e globale dhe kjo po shndërrohet në mënyrë të qartë dhe të qëndrueshme në një faktor nxitës për rritjen e qëndrueshme ekonomike. Kështu, në strukturën e importeve vërehet një nivel i lartë i importit të teknologjisë që korenspondon me ritmet e larta të investimeve publike e private dhe me orientimin e qartë të ekonomisë kombëtare drejt prodhimit dhe shërbimeve të reja konkuruese. Në sajë të politikave nxitëse dhe mbështetëse të sipërmarrjes private vendase dhe të zbatimit të strategjisë për absorbimin e varfërisë ekstreme, në zonat e cilësuara më të varfërat, gjatë vitit 2003 u evidentua një tregues jashtëzakonisht domethënës: rritja e numrit të subjekteve të reja ekonomike nga 25 deri në 60% sipas hartës së zonave në varfëri ekstreme.
Lëvizja e kapitaleve dhe resurseve të sipërmarrjes vendasr drejt zonave më pak të zhvilluara ka një shkak. Ajo erdhi pikërisht për shkak të reformave të orientuara qartë drejt këtyre zonave për një zhvillim harmonik në të gjithë territorin e vendit, të shoqëruar me decentralizimin e qeverisjes dhe pronave publike.
Një komponent i rëndësishëm i rritjes dhe tregut në të cilën ajo zhvillohet është sistemi bankar, i cili si pasojë e reformave gjithnjë e më efikase të qeverisë, forcimit të autoritetit të ligjit, sidomos efikasitetit në dukje më të madh të luftës kundër informalitetit, evazionit fiskal, korrupsionit, kontrabandës etj, po ndihet gjithnjë e më i sigurt. Për këtë arsye shënojmë se sistemi bankar vendas vetëm gjatë vitit 2003 gjeneroi për sipërmarrjen private dhe konsumatorët shqiptarë 920 milion USD kredi të re. Impresionuese janë dhe raportimet e këtij fillim viti, ku kredia e re vazhdon të rritet me ritme shumë të larta.
Nuk mund të mohohet se një ndikim të veçantë në këtë progres ka siguria dhe suksesi i reformave ekonomike të qeverisë që garantojnë për të shtatin vit rradhazi stabilitet makroekonomik, stabilitet të kurseve të këmbimit, stabilitet të çmimeve dhe kontrollit të inflacionit dhe të tregjeve. Për këto arsye kostoja e lekut në sistemin e kreditit në Shqipëri ka rënë nga 35% që ishte në vitin '98, në 10% në vitin 2003 me një tendencë të qartë forcimi të vazhdueshëm të tij.
Pra, thellimi i mëtejshëm i reformave të nxitura nga programe shtetërore të strukturuara qartë dhe të mbështetura nga ekspertiza dhe financimet ndërkombëtare ka krijuar një mjedis të gjallë dhe inkurajues për zhvillimin e sipërmarrjes private. Sektori privat ka përfituar dhe po riprodhon përfitime për të gjithë ekonominë nga shëndoshja e klimës ligjore dhe makroekonomike në vend. Kjo ka ardhur si rrjedhojë e progresit të shënuar në drejtim të lehtësimit të barrierave administrative për biznesin, të përmirësimit të komunikimit dhe dialogut midis sektorit privat dhe administratës publike, por sidomos nga zgjerimi i oportuniteteve të tregut për shkak të shtrirjes së tregjeve përtej kufijve ekonomikë shtetërorë nëpërmjet zbatimit të Marrëveshjeve të Tregëtisë së Lirë.
Në përmirësimin e klimës së investimeve private sidomos kanë ndikuar dhe zbatimi i rekomandimeve të sugjeruara nga studimi i posaçëm për lehtësimin e barrierave i kryer nga FIAS në bashkëpunim me qeverinë shqiptare, ku në proçesin e zbatimit të këtyre rekomandimeve janë përfshirë gjerësisht jo vetëm institucionet shtetërore, por edhe komuniteti i biznesit, shoqëria civile dhe aktorë të tjerë të interesuar. Ky studim serioz është shndërruar në një plan veprimi me masa konkrete në fusha të tilla si: tatimet, doganat, toka për ndërtime, apelimi, liçensimi dhe kontrolli, i cili u parapri nga një reformë radikale siç ishte heqja e kërkesës për liçensim në sektorin e industrisë jo-ushqimore.
Masat e marra kanë ndikuar pozitivisht në ecurinë e zhvillimit të sipërmarrjes në tërësi. Përveç rritjes së rëndësishme të investimeve të sektorit privat një tregues i rëndësishëm është dhe rritja me 45 % e numrit të ndërmarrjeve të reja të krijuara gjatë vitit 2003 krahasuar me 2002.
Ky progres është bërë i mundur mbështetur në një politike të qartë stimulimi dhe konsolidimi nga ana e Qeverisë për ndërmarrjet e vogla e të mesme, ose siç përdoret shkurt SME-ve. Duke miratuar Kartën Europiane të SME-ve, qysh këtë vit Shqipëria do të ketë asistencën dhe mbështetjen financiare specifike edhe të Komisionit Evropian apo të shteteve partnere anëtare të tij për nxitjen dhe zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla e të mesme.
Aktualisht në mbështetje të SME-ve, qeveria ka garantuar dhe ka aktivizuar financime prej afro 50 milion USD, më konkretisht një fond prej 10 milion euro nga qeveria gjermane nëpërmjet Procredit Bank, një fond prej 6 milion USD nga USAID për SME prodhuese, si dhe 30 milion euro nga qeveria italiane për zhvillimin e këtyre sipërmarrjeve në Shqipëri, nga të cilat 25 milion euro do jenë linjë kredie, 2.5 milion euro për krijimin e Fondit të Garantimit të Kredive dhe 2.5 milion euro grant asistence teknike për berjen operacionale të Fondit te Garantimit te Kredive. Marrëveshja Financiare ndërmjet dy Qeverive do të nënshkruhet brenda muajit korrik të këtij viti.
Për t'i ardhur sa më mirë në ndihmë SME-ve, qeveria që unë drejtoj është duke përgatitur një paketë të plotë aktesh ligjore dhe nënligjore që do mundësojnë fillimin e funksionimit në Shqipëri të shërbimeve "lizing" sipas standarteve evropiane, të cilat konsistojnë në mundësimin e marrjes me qera apo pagesa me këste për një kohë të gjatë të makinerive, pajisjeve apo shërbimeve të domosdoshme për të nisur apo zhvilluar sipërmarrje të reja. Të gjitha këto nuk mund të arriheshin dhe garantoheshin pa stabilitetin makroekonomik për të cilin fola më lart.
Një ndër arritjet më të spikatura të politikave qeverisëse në fushën e ekonomisë dhe të garantimit më të mirë të lirisë së tregut, është edhe heqja përfundimisht dorë nga ndërhyrja në treg nëpërmjet subvencionimit të çmimeve, duke mbajtur ende nën subvecion vetëm energjinë elektrike deri në vitin 2005. Ky liberalizim çmimesh dhe i tregut është shoqëruar natyrshëm me masa të posaçme buxhetore për të trajtuar familjet në nevojë që nuk kanë ende kapacitet për të përballuar shtrenjtimin e kostove. Pra, i vetmi rol i pastër që i ka mbetur shtetit është ai i rregullatorit në treg, rol i cili po përmirësohet me ngritjen edhe të institucioneve të reja që garantojnë standarte evropiane të tregut si Agjencia e Sigurimit të Depozitave, Autoriteti i Konkurencës, i Mbrojtjes Konsumatoreve, i Akreditimit, i Antidumpingut etj.
Nga ana tjetër, reduktimi tarifave doganore ka qënë një tipar i viteve ‘90, ndërsa shpjetësia e liberalizimit është rritur dukshëm pas vitit 2000, ku pesha e produkteve që i nënshtrohen tarifës doganore "Zero" është rritur nga 17.2 % në 25.5 % të nomeklaturës së mallrave, ndërkohë që numri i produkteve mbi të cilat aplikohet tarifa maksimale doganore ka rënë nga 27.5, në 23.2 %.
Legjislacioni ynë fiskal është bashkëkohor, është i qartë dhe i thjeshtë dhe kështu konsiderohet edhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Përmirësimet në këtë legjislacioni që vazhdojnë, do e sjellin atë krejtësisht me standarteve e Bashkimit Evopian ku vendi ynë po përafrohet dhe integrohet.
Sistemi i taksave në Shqipëri është ende në nivelin e vet mesatar të tarifave dhe taksave dhe prandaj është ende ndër më të ulëtit në rajon dhe në Evropë. Bazë e këtij sistemi është TVSH-ja aplikimi i të cilës garanton barazinë horizontale dhe vertikale të kontributeve fiskale në vartësi të fitimit që subjektet realizojnë. Eshtë e vërtetë se në shumë shtete të zhvilluara aplikohet një sistem TVSH-je i diferencuar për kategori të ndryshme mallrash dhe shërbimesh. Por në vendin tonë diferencimi në trajtim për nxitje të tregtimit të mallrave apo shërbimeve të ndryshme, si dhe mbrojtja e konsumatorëve për momentin po realizohet nëpërmjet sistemit doganor, pra tarifave doganore, dhe atij të akcizave. Natyrisht që ka dhe nuk mungon vullneti për të arritur deri në një sistem TVSH-je të diferencuar, por në kushtet aktuale që po përjeton Shqipëria lidhur me nevojën e forcimit të mëtejshëm të luftës kundër informalitetit në ekonomi, kundër evazionit fiskal, transaksioneve kesh, kontrabandës dhe korrupsionit, ky diferencim konsiderohet nga qeveria dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, të cilët puojmë me marrëveshje, si i parakohshëm.
Qeveria e kësaj maxhorance ka zgjedhur rrugën e vetëdeklarimit dhe mbi këtë bazë të dialogut me komunitetin sipërmarrës lidhur me zbatimin e legjislacionit fiskal dhe jo rrugën e terapisë shok apo të arbitraritetit administrativ mbi subjektet. Dhe kjo rrugë na ka dhënë rezultate shumë inkurajuese për të kuruar në një kohë sa më të shkurtër fenomenet negative që shqetësojnë zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të vendit.
Më lejoni të kujtojmë se ritmet e rritjes së të ardhurave doganore e tatimore që thesarizohen në buxhetin e shtetit, mbeten në mënyrë të qëndrueshme më të larta se ritmet e rritjes së PBB. Ky realitet dëshmon se suksesi i luftës kundër informalitetit, evazionit, korrupsionit etj, është i matshëm dhe i garantuar. Zhurma që bëhet nga disa segmente të sipërmarrjes për pasiguri në treg, nuk lidhet me legjislacionin fiskal e doganor, aq më pak me ndonjë politikë represive të qeverisë, por pikërisht me rezistencën që subjekte të caktuara i bëjnë aksionit ekzekutiv dhe luftës pa kompromis kundër fenomeneve negative të tregut për të siguruar mirë administrim fiskal më efikas. Gjykoj se politika dhe veçanërisht përfaqësues të Kuvendit të Shqipërisë nuk duhet të shndërrohen në avokatë apo zëdhënës të imformalitetit, por të vazhdojnë të nxisin aksionet që e përthajnë atë, të bashkëpunojnë në rrugë institucionale me qeverinë dhe administratat fiskale për të sjellë edhe në tregun shqiptar barazinë e të gjithëve para ligjit, shmangien e abuzimeve apo favorizimeve për segmente apo aktorë specifikë të tregut.
Megjithëse nuk është atribut apo nomenklaturë e drejtpërdrejtë e qeverisë, sistemi bankar ka njohur rritje lehtësisht të evidentueshme gjatë qeverisjes socialiste. Mjafton të kujtojmë se në vitin 1997 ekzistonin vetëm 4-5 banka të nivelit të dytë. Kundrejt 15 kompanive piramidale rentiere që ndërtoi rregjimi i mëparshëm, sot numërohen 15 banka, mes të cilave dy janë me kapital tërësisht shqiptar. Ne jemi besoj njëlloj krenarë që në këtë sistem u shtua edhe një aktor prestigjoz siç është Reiffaizen Bank.
Përveç bankave private në tregun financiar dhe atë të kapitalit, sot funksionojnë krahas instituteve apo subjekteve të sigurimit edhe fondacionet e kreditimit të ekonomisë, të cilat vazhdojnë të plotësojnë një pjesë të nevojave për burime financiare në sektorë të zhvillimit rural në mënyrë të veçantë, bujqësi, agroindustri, konsumin familjar etj.
Siç e përmenda më sipër, zhvillimet dinamike të sektorit privat pasqyrohen gjithashtu dhe nga ecuria e kreditimit të këtij sektori nga sistemi bankar. Gjatë vitit 2003, teprica e kredisë u rrit me 11.9 miliardë lekë, ndërsa kredia e re e lëvruar gjatë vitit 2003 ishte 92.6 miliardë lekë ose 48 % më shumë se në vitin 2002. Edhe në 4 mujorin e parë të këtij viti tendenca e rritjes së volumit të kredisë së re vazhdon, duke arritur në 36% më shumë se e njejta periudhë e vitit të kaluar. Struktura e portofolit të kredisë, për shkak të reformave të thella e të gjithanshme të tregut që ka ndërmarrë qeveria shënoi një zhvendosje drejt kredisë afatmesme dhe asaj afatgjatë, duke reflektuar prirjen e sistemit bankar për financim të projekteve të investimit nga sektori privat.
Nga pikëpamja sektoriale, tregtia vazhdon të mbetet ai më i preferuari për kreditim nga bankat e nivelit të dytë, i cili zë pjesën më të madhe në portofolin e kredisë se sistemit bankar, por shihet një prirje pozitive në drejtim të kreditimit të industrisë përpunuese dhe të bujqësisë si dhe te individëve për blerje të pasurive të patundshme.
Vëmendje të veçantë qeveria i ka kushtuar sektorëve me rëndësi strategjike për zhvillimin, modernizimin dhe integrimin e ekonomisë kombëtare siç janë energjia elektrike dhe infrastruktura e telekomunikacioneve.
Sektori i energjise elektrike operon në bazë të dy dokumenteve shumë të rëndësishme si Dokumenti i Politikave te Sektorit Elektrik, që përmbledh një sërë reformash të cilat synojnë krijimin e një sistemi energjitik të shëndoshë dhe të stabilizuar, të aftë për të përballuar furnizimin pa probleme të të gjithë konsumatorëve në rritje; si dhe Strategjinë Kombëtare të Energjisë me të cilën synohet afrimi i çmimit drejt kostos me qellim krijimin e premisave per ta bërë më efiçent sektorin elektrik nga pikëpamja e menaxhimit. Reformat qe jane parashikuar te ndermeren perfshijne programe afatshkurta, afatmesme dhe afatgjata. Prandaj pretendimi se rritja e çmimeve te energjise elektrike eshte e vetmja rruge qe po ndiqet per reformimin e Sistemit Elektroenergjetik është nonsens i plote dhe aq me teper tani, kur i gjithe ky proces zhvillimi dhe transformimi bazohet sic theksova ne dokumenta dhe plane veprimi shumë dimensionalë.
Gjate periudhës që po raportoj KESH sh.a ka treguar seriozitet ne realizimin e programeve te zhvillimit, duke rritur qartësisht efektivitetin e menaxhimit.
KESH sh.a e mbylli bilancin e vitit 2003 me nje fitim neto prej 3,8 miliarde leke, duke likuiduar humbjet e mbartura nga vitet e kaluara, te cilat llogariten afersisht në po këtë vlerë si dhe duke shenuar nje kthese pozitive, e cila po vazhdon edhe kete vit. Kjo performance e mire pasqyrohet ne treguesit e 4-mujorit, ne rritjen e prodhimit, ne uljen e importit, ne permiresimin e aftesise paguese, ne ruajtjen e nivelit te programuar te humbjeve ne rrjet prej 42.2 % si dhe te arketimeve të konsumit ne nivelin 90 % te energjise qe shperndahet.
Deri në fund të vitit, si pasojë e një progami të detajuar nga Qeveria, do të instalohen edhe 110 mijë matësat e fundit individualë të energjisë elektrike. Me këtë mbyllet përfundimisht një nga plagët më të mëdha të tregut të energjisë dhe të kësaj kompanie që e menaxhon atë.
Reformat dhe investimet që KESH po kryen në mënyrë komlekse dhe po shtrihen si në sistemin e transmetimit, atë të shpërndarjes dhe të konsumit. Kjo që po realizohet aktualisht në KESH, nuk është një reformë e thjeshtë, por një transformim substancial epokal madje, që së bashku me shtesat e burimeve që prodhojnë energji dhe integrimin e sistemit tonë energjetik me atë rajonal e evropian, garantojnë fundin e një krize që po e vuajmë prej dekadash. Këto shndërrime kanë rritur ndjeshëm besimin e partnerëve ndërkombëtarë tek qeveria dhe vetë kompania duke mundësuar që vetëm për vitin 2004 investimet me burime financimi të brendëshëm dhe të huaj të arrijnë në 240 milion USD, nga 90 milionë USD që u realizuan në vitin 2003 dhe 40 milionë USD që u realizuan në vitin 2002. Në këtë raportim nuk përfshihen marrëveshje të nënshkruara dhe të mbështetura dhe nga BB dhe Banka Eurpopiane për Rindërtimin dhe Zhvillim si ajo për TEC e Vlorës etj. Rasti i KESH është shembulli më i qartë i efektivitetit të reformave të thella që ka ndërmarrë qeveria që unë drejtoj.
Një rëndësi po kaq vitale për ekonominë kombëtare ka edhe sistemi i transporteve dhe telekomunikacioneve. Një ndër objektivat prioritare të Qeverisë, në fushën e transportit dhe telekomunikacioneve ka qënë dhe mbetet zgjerimi dhe rritja e kapaciteteve përpunuese të infratsrukturës së këtyre shërbimeve vitale. Për këtë qëllim, ashtu si edhe në vitet e kaluara, në vitit 2003 investimet e infrastrukturës, si ato te Buxhetit të Shtetit dhe nga burime të huaja, janë përqëndruar kryesisht në ndërtimin e dy Korridoreve Kombëtare, Veri – Jug dhe Lindje – Perëndim, pa lënë pas dore rrugët turistike, rrugët ndërkufitare, rehabilitimin e Portit të Durrësit, Vlorës, Shëngjinit, Sarandës, ripërtëritjen e transportit hekurudhor, si dhe në modernizimin, rehabilitimin e zgjerimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Rinasit, për të cilin nesër do të mbyllen me sukses negociatat me Airport aprtners, të kryesuar nga kompania e njohur Hochtif e Gjermanisë.
Përparësi për vitin 2004 i është dhënë sektorit të infrastruktures rrugore, si një sektor me fuqi multiplikatore për rritjen ekonomike, në të cilin janë adresuar mbi 70 % të investimeve totale të sektorit të transportit. Gjithashtu është programuar që 50 përqind e buxhetit suplementar për investime të përdoret për infrastrukturën rrugore. Në këtë mënyrë investimet totale për infrastrukturën rrugore për vitin 2004 kapin shifrën 250 milionë USD. Me financime të buxhetit të shtetit gjatë periudhës 2000 – 2004 janë kryer apo vazhdojnë punime në rehabilitimin e mjaft rrugëve turistike ku ndër më kryesoret janë: Rruga e Divjakes, Rruga e Semanit, Rruga Orikum – Dhërmi, Rruga e Velipojës, Rruga Koplik – Razëm, etj., si dhe kanë filluar punimet në disa rrugë ndërkufitare si Rruga e Muriqanit, Rruga Sopot – Qafë Morinë, Rruga e Liqenasit, etj. Të gjitha këto segmente do të bëjnë të mundur, përveç të tjerash, edhe mbështejen për zgjerimin e shkëmbimeve tregtare me vendet fqinjë.
Jashtë vëmendjes së programeve tona të zhvillimit, pavarësisht përqëndrimit në projektet e infrastrukturës rrugore, nuk kanë mbetur dhe investimet e nevojëshme dhe të konsiderueshme për rritjen e kapaciteteve përpunuese në portet e Durrësit, Vlorës, Shëngjinit dhe Sarandës dhe po vazhdon programi i investimeve sipas masterplaneve përkatëse.
Një progres i shpejtë dhe cilësor është shënuar edhe në sektorin e telekomunikacioneve. Ky treg sot është përfundimisht i shumëllojshëm dhe i krahasueshëm me standartet botërore si përsa i përket telefonisë fikse, të lëvizshme, si dhe shërbimeve me vlerë të shtuar, aksesit në internet, etj.
Investimet shtetërore dhe private ne tregun e telekomunikacioneve në harkun kohor 2000-2003 llogariten rreth rreth 500 milionë USD. Ndërkohë për vitin 2004 parashikohet te investohen rreth 2.1 miliard lekë.
Si rezultat i liberalizimit të tregut, Albtelecom-i po përballet natyrshëm me një konkurencë të ashpër dhe për t'iu përgjigjur këtij realiteti të ri në treg, ai ka ndërmarrë një plan masash të karakterit organizativ dhe të marketingut, ku përfshihet përmirësimi i menaxhimit edhe ndryshimi i strukturës së tarifave që u bë në tremujorin e parë 2004.
Zonja e zotërinj,
Gjithë ky progres dhe transformim i ekonomisë shqiptare gjykoj se duhet vlerësuar me nota pozitive dhe realiste, pasi po ruhen ritme të larta dhe të qëndrueshme, po ruhen këto ritme të rritjes në kushtet e hapjes me rajonin dhe tregjet globale, pra në kushtet e një konkurence ku ekonomia jonë ndeshet për herë të parë, pra nuk e kishte provuar më parë këtë fërkim.
Në këtë kuadër, nisur edhe nga premisat e pragmatizmit, më lejoni të theksoj qeveria e ka vlerësuar bashkepunimin rajonal si nje kompnonete të rëndësishme të zhvillimit të kapaciteteve dhe të aftësive konkuruese të sipërmarrjes dhe të administrimit publik vendas përballë sfidave të Integrimit Europian.
Tashme ne kemi nenshkruar 8 Marreveshje te Tregtise se Lire (MTL), 5 prej te cilave, ato me Maqedonine, Kroacine, Bullgarine, Rumanine dhe Kosoven, jane ne zbatim.
Perveç liberalizimit në kuadër të MTL-ve, po punohet per perfundimin e Marreveshjeve dypaleshe per "Standartizimin", "Konformitetin", "Metrologjine" dhe "Akreditimin", te cilat, jo vetëm do të mbështesin zbatimin e efektshëm të këtyre marrëveshjeve, por edhe do te krijojnë kushtet për një prani më të madhe dhe më të sigurtë të produkteve shqiptare në tregjet rajonale.
Sot ka shumë abuzime në lidhje me efektivitetin dhe përfitimin e ekonomisë shqiptare të këtyre marrëveshjeve me fqinjët. Më lejoni t'ju bëj me dije se si rezultat i zbatimit te MTL-se me Maqedonine, eksportet bujqesore shqiptare jane dyfishuar ne krahasim me periudhen para hyrjes ne fuqi te saj. Në tregun maqedonas gjatë 2003 kanë hyrë 20 produkte të reja agroushqimore si vezë, domate të freskëta, patate, fruta, perime, lëngje frutash, ujra, pije etj. Tendencat janë në rritje. Kjo është një provë tjetër e fuqizmit të sipërmarrjes shqiptare tonë në kushtet e një konkurence të hapur.
Ne kuader te Marreveshjes se Stabilizim Asocimit që negociohet drejt përfundimit me BE, duke e konsideruar Integrimin Europian si objektivin me te rendesishem te te gjithe procesit te integrimit ekonomik te Shqiperise, ne po punojmë intensivisht për përgatitjen e ofertës të mallrave shqiptare, si pjesa kyçe e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë Shqipëri-BE. Kjo ofertë synon të harmonizojë interesat e buxhetit të shtetit me ato te Komunitetit te sipërmarrjes vendase, politikat sektoriale me angazhimet ne kuader te OBT-se dhe me parametrat e Regjimit Preferencial Tregtar të Bashkimit Europian.
Proceset integruese dhe politikat liberalizuese ne kuader rajonal dhe europian mbeshteten ne zbatimin e rregullave te OBT-se. Duke synuar nxitjen e prodhimit vendas, nisur nga fakti se OBT perben mjedisin ku paraqiten në mënyrë transparente dhe të argumentuar vështirësitë që ndeshen gjatë procesit të zbatimit te politikave kombëtare tregtare, duke synuar nxitjen e prodhimit vendas. Mjedisi i OBT është aq demokratik sa e lejon Qeverinë të argumentojë vështirësitë që ndeshen në zbatimin e politikave kombëtare tregtare dhe të të kriojë më shumë hapësira për mbrojtjen e sipërmarrjes vendase. Ne kemi kërkuar mirekuptimin me vendet anëtare të OBT dhe vetë organizatën për zgjatje të periudhës tranzitore të implementimit te reduktimeve tarifore per disa produkte. Si rrjedhojë, angazhimet e vitit 2004 jane zhvendosur per tu zbatuar pas një periudhe tre vjeçare.
Të nderuar zotërinj deputetë,
Progresi i sipërmarrjes kombëtare është parë i lidhur ngushtë edhe me nxitjen apo thithjen e investimeve të huaja direkte, të cilat janë të domosdoshme për të strukturuar ritmin e qëndrueshëm të rritjes ekonomike dhe më lejoni të përmend se Vodafon, Panafon, Lokhid Martin, General Electric, Sheraton, Rogner, Mediterrean Club, Reifeissen Bank, Banco di Roma, Alfa Pisos Bank, Aeroport Partners, Darfo, SIEMENS, Alcatel, Daimler Craisler, Volksvagen, Peugeot, Renault, Fiat, Hyndai etj, etj, janë tashmë disa nga gjigandët e ekonomisë botërore që operojnë, investojnë dhe janë pjesëmarrës aktivë që sjellin standarte bashkëkohore në tregun shqiptar.
Unë ju siguroj se në fokus të gjithë procesit të reformave dhe transformimeve janëvënë vetëm interesat e shtetasve, mirëqenia e tyre në rritje si dhe mbështetja e shtresave në nevojë duke reduktuar dhe tharë hartën e varfërisë.
Në përmbushje të detyrimeve të programuara për shtresën e pensionistëve, reforma e pensioneve e realizuar nga ne ka garantuar rritjen reale te te ardhurave mujore te tyre, duke perballuar edhe efektet negative te inflacionit. Pensionet jane rritur çdo vit me 10% per qytetin dhe 20-25% per fshatin. Per tre vitet e fundit se bashku, rritja e mases se pensionit ka qene 36,4%, kundrejt 12% që ka qenë rritja e çmimeve. Fondi i sigurimeve shoqërore që mbështet këtë politikë pensionesh per vitin 2004 është 44 miliardë lekë nga 27.7 miliardë lekë qe ishte ne vitin 2000.
Përsa i përket ndihmes dhe shërbimit social, objektivat e qeverisë synojnë qartësisht uljen e varfërisë me aksion ekzekutiv kompleks ku futen: rritja e efektivitetit te perdorimit te fondeve te ndihmes ekonomike; plotesimi sasior e cilesor i nevojave per personat me aftesi te kufizuar; zgjerimi i shpërndajes gjeografike të prezencës dhe asitencës, decentralizimi dhe rritja e pergjegjesive te pushtetit vendor per realizimin e sherbimeve parësore sociale për komunitetet. Ne zbatim te ketyre politikave Qeveria ka percaktuar një fond të konsiderueshëm që përbën 6% te shpenzimeve te buxhetit te shtetit ose 1,5 % te PBB për ndihmën ekonomike.
Zotërinj deputetë,
Bëra këtë pasqyrë faktesh që do të pasurohet edhe më nga diskutimet e ministrave për të dëshmuar se Shqipëria ka një progress të qartë dhe të qëndrueshëm. Ky progres nuk është spontan, por produkt i matshëm dhe i garantuar për shkak të hartimit, zbatimit dhe koordinimit të projekteve dhe programeve për zhvillim që sintetizohen në Strategjitë Kombëtare të Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe të Reduktimit të Varfërisë, në dokumentin "Për partneritetin Evropian", programit Buxhetor Afatmesëm, në planin e marticës për marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, tërësia e strategjive kombëtare, rajonale e sektoriale.
Në këtë fazë të re dhe krejtësisht cilësore reformash dhe transformimesh ku kemi mbërritur, është konsoliduar si një faktor i mëtejshëm garantues një marrëdhënie krejtësisht partneriale dhe funksionuese mes qeverisë, komunitetit sipërmarrës, qarqeve akademike, kërkimore e shkencore, partnerëve social, shoqërisë civile etj.
Gjej rastim të theksoj edhe njëherë se vlerësoj sensibilitetet e cilitdo për zhvillimet dhe integrimin e ekonomisë kombëtare, ashtu dhe gatishmërinë për të dhënë kontribute në progresin e mëtejshëm të vendit në proceset integruese. Por ky partneritet dhe kontribut i ofruar, nëse nuk bazohet në arritjet dhe sfidat reale të zhvillimit kombëtar, mbetet pjesë e demagogjisë apo nihilizmit tradicional ballkanas që vetëm shton konfliktet në vend të produkteve dhe frenon rritjen.
Për shembull nuk jam dakort me përfundimet e kërkuesve të këtij mocioni mbi mungesën e rolit e qarqeve akademike dhe veçanërisht atë të Fakultetit Ekonomik në këtë proces. Njerëzit më të shquar dhe më të aftë të këtyre komuniteteve janë përherë prezentë në hartimin e programeve dhe diskutimin e problematikave të ekonomisë shqiptare, si dhe në bordet vendimarrëse dhe Këshillat Mbikqyrëse të Kompanive, Bankave Qendrore apo instiotucionmeve të tjera që veprojnë në ekonomi. E them këtë sepse ata janë prezentë edhe me objeksionet e tyre të vlefshme dhe të pazëvendësueshme në të gjitha këto instanca. Prandaj mendoj se kë një keqkuptim në rolin e strukturave të shoqërisë demokratike. Qeveria nuk ka synuar dhe asnjëherë nuk do të synojë të "korruptojë" pavarësinë e qarqeve akademike, do të respektojë pavarësinë e tyre duke marrë përherë në konsideratë gjykimin e tyre të vyer e të pavarur. Unë ju bëj me dije se aktualisht kam anëtarë të kabinetit qeveritar disa ish-pedagogë të Universitetit Shqiptar, ndërsa Strategjia Kombëtare për Zhvillim Ekonomik dhe Social, paketat fiskale të hartuara çdo vit si dhe plan-bizneset e shoqërive strategjike reflektojnë edhe kontributin e vyer të profesorëve të Fakultetit Ekonomik apo aktorë të shumë të njohur të shoqërisë civile.
Në përfundim unë e vlerësoj shqetësimin dhe idenë e deputetëve të Partisë Demokrate të Re për impenjimin e tyre në propozimin e një pakti politik kombëtar që ka për synim zhvillimin e përshpejtuar ekonomik të vendit, sepse gjithnjë kam qënë i bindur se me konsensuse politike kombëetare për reformat themelore vendi zhvillohet edhe më shpejt. Kjo nuk do të thotë aspak se gjendja është ashtu siç pretendoi ju të nderuar deputetë mocionistë, sepse sigurisht Partia Socialiste dhe qeveria e Koalicionit për Integrim i zotëron të gjitha kapacitetet për të përshpejtuar edhe më tej ritmet e këtij zhvillimi që unë ju paraqita. Por çdo bashkëpunim opozitar mbetet i vyer, pikërisht sepse mungon .
Për këtë arsye, grupi ynë parlamentar, duke respektuar primaritetin dhe iniciativën e deputetëve të PDR-së, do të paraqesë variantin e vet që e mbeshtet nismën për konsensus zhvillimi integrues te përshpejtuar.
Ju faleminderit!