-Fjala e plotë e Kryeministrit dhe Kryetarit të PSSH- Kryeministri Fatos Nano ka marrë pjesë sot në Konferencën e Partisë Socialiste të Tiranës. Në këtë aktivitetet Kryeministri dhe Kry
-Fjala e plotë e Kryeministrit dhe Kryetarit të PSSH-
Kryeministri Fatos Nano ka marrë pjesë sot në Konferencën e Partisë Socialiste të Tiranës. Në këtë aktivitetet Kryeministri dhe Kryetar i PSSH Fatos Nano pasi ka uruar të gjithë pjesëmarrësit në këtë konferencë për përvjetorin e PSSH, në fjalën e tij u shpreh:
"Kam kënaqësi që në këtë ditë të shënuar për të gjithë ne, jo vetëm anëtarë të PS, por dhe aleatët tanë progresistë në mbarë shoqërinë dhe vendin, si dhe për partnerët tanë të zhvillimit e të integrimit të përshendes konferencën tuaj, të kësaj organizate që është më e madhja dhe më e suksesshmja e socialistëve shqiptarë.
Anëtarësia e gjerë e socialistëve të kryeqytetit dhe ju të nderuar delegatë vazhdoni të mbeteni në vlerësimin tim themeli, shtylla dhe burimi i energjisë, i vizionit dhe i mençurisë edhe për transformimin rrënjësor që ka pësuar kryeqyteti, edhe për transformimin rrënjësor që ka pësuar PS, dhe për transformimin rrënjësor që ka pësuar Shqipëria në 7 vjet të qeverisjes sonë, prandaj i meritoni të gjitha përgëzimet. PSSH është këtu pra, është vigjilente dhe e angazhuar dhe pavarësisht nga shqetësimet që ndajmë së bashku kjo tregon pjekuri, përvojë dhe të ardhme.
Unë kam besim se ju jeni garancia e përmbushjes së të gjitha angazhimeve tona edhe qeverisëse, edhe elektorale, pra ju jeni edhe garancia e fitores së zgjedhjeve parlamentare të vitit 2005.
Unë e di mirë Organizata juaj është një shembull i gjallë i vitalitetit politik dhe organizativ të mbarë PS. Edhe këtë herë me ristrukturimin që i bëtë organizatave socialiste dhe forumeve tuaja përfaqësuese duke i afruar më pranë njerëzve, interesave dhe problemeve të tyre të gjithë llojet e "udhëheqësve",- që e kishin harruar prej vitesh jetën e partisë dhe tashmë i janë rikthyer asaj,- ju kontribuat për të rritur besimin e socialistëve anëtarë dhe të zgjedhësve simpatizantë se kjo parti nuk vegjeton, pra nuk e pranon as moçalin, as kënetën. Aq më pak, edhe sot treguat, që nuk i honepsni ata që dalin nga ne, rriten me mbështetjen tonë dhe pastaj e pështyjnë Partinë si moçal.
Për këto arsye motra dhe vëllezër, jam sot këtu për të vazhduar punën së bashku. Pavarësisht se ndonjë pjellë e jona do të na prishi festën, kjo është një ditë pune, sepse pa punë nuk arrijmë të festojmë vit pas viti siç kemi bërë së bashku. Për të vazhduar punën së bashku kam vendosur të trajtoj dhe ndaj me ju disa vlerësime dhe shqetësime që nuk janë të ndryshme nga ato që sapo paraqiti Edi Rama, që nuk kanë të bëjnë me të ardhmen personale të Fatos Nanos, por vetëm me të ardhmen e pushtetit të socialistëve dhe progresistëve, sepse me këtë qeverisje reformatore lidhet e ardhmja europiane e Shqipërisë, e atdheut tonë të dashur. Ato janë shumë të ndryshme nga akuzat dhe shpirti mohues dhe konfliktual i Berishës dhe i Metës.
Shqetësimi im lidhet me fatin dhe konsolidimin e progresit të gjithanshëm që Shqipëria ka realizuar për shkak të qeverisjes sonë. Shqetësimi im lidhet dhe me rrezikun e ndërprerjes së progresit dhe reformave nëse me sherret dhe ego të sëmurë lokale ndihmojmë sadopak Berishën që të kthehet në pushtet.
Shqetësimi im lidhet me fatet e investimit tonë të përbashkët shumëvjeçar politik dhe njerëzor, profesional dhe militant, material dhe shpirtëror, në dobi të familjeve tuaja por dhe të mbarë komunitetit shqiptar. Shqetësimi im pra, lidhet me të ardhmen e fëmijëve tanë që presin prej nesh pasaportën evropiane dhe jo rikthimin e gogolit Berisha.
Them shqetësim pasi nga shtëpia e përbashkët që kemi ndërtuar nga themelet, kur morëm mandatin për të qeverisur në vitin 1997, sot kanë nisur të hidhen plehra, ndotjet e të cilave, nga segmente të caktuara të politikës, por edhe të një media të interesuar, etiketohen si produkte dhe prirje të mandatit tonë 7-vjeçar. Natyrshëm PSSH është një organizëm i gjallë. Ajo është vitale sepse ka ditur të jetë konkuruese si partia më e demokratizuar në vend në historinë e pluralizmit, përndryshe nuk do të ishim sot anëtarë të Internacionales Socialiste, e cila ka njohur këtë progres dhe transformim të jashtëzakonshëm. Por si çdo organizëm i gjallë edhe PS ka jashtëqitjet e saj. Nëse ata që praktikojnë hedhjen e plehrave në ambjentin tonë të përbashkët sot, vendosin të hidhen edhe vetë jashtë saj, kjo nuk do të thotë se kjo shtëpi është e keqe, kjo do të thotë thjesht që kjo shtëpi nuk mban plehëra brenda. Aq më pak, kjo nuk do të thotë që atyre apo Berishës duhet t'u dhurojmë shtëpinë moderne dhe evropiane që kemi ndërtuar. Prandaj nuk besoj se mund të na prishë kush festën dhe, për shkak të militantizmit tonë karakterial dhe programor, as të ardhmen e PSSH-së.
Duket se ka ardhur koha t'i japim fund kësaj polemike shterpë. Ka ardhur koha të bëjmë një dallim të qartë dhe ndarës për një varg termash dhe konfliktesh të cilët vazhdojnë të përdoren rëndom në formë abuzive. Ne duhet të dallojmë qartë demokracinë nga kriza, normalitetin demokratik nga moralizime që lidhen me interesa private, pra kaosin nga rregulli dhe disiplina.
Vazhdon edhe pas Kongresit prej muajsh një debat i brendëshëm, i cili tenton me forcë abuzive të shkëpusë vëmendjen jo vetëm të drejtuesve, por edhe të vetë partisë nga punët, nga sfidat, nga progresi dhe problemet reale me të cilat po përballemi, dhe ka të drejtë shoku Edi, do të përballemi pa u lodhur dhe pa pushuar asnjë sekondë në 400 ditët që kemi përpara. Pra 400 ditët që kemi përpara nuk mund të vazhdojnë të jenë një gallatë fshati ku të gjithë kacafyten për kaçarrumin e misrit. Përfundimisht Partia Socialiste nuk mund të jetë një lojë "Kala Dibrançe" ku të gjithë rendin për të vënë të ndenjurat në kurrizin e shokut.
Kohët e fundit abuzohet veçanërisht me termin krizë, madje ka edhe shokë mes nesh që kanë rënë në këtë grackë dhe përpiqen të gjejnë justifikime për të ashtuquajturën krizë.
Të dashur shokë,
Që të arrish në konkluzionin që një vend është në krizë ka disa parametra, kryesisht ekonomikë, por edhe politikë e moralë që duhet ta mbështesin këtë përfundim. Në këndvështrimin politik po, ka një krizë në Shqipëri. Por kjo nuk është kriza jonë, kjo është kriza e ca llojeve të opozitave që po paraqiten të paafta për t'u përballur me ne fituesit në pothuajse të gjitha betejat elektorale të derisotme, dhe jo sepse ne manipulojmë apo dhunojmë zgjedhjet, por sepse idetë tona kanë përparësi, karakteri, morali, nderi me të cilin ne u shërbejmë zgjedhësve kur na votojnë, ka epërsi.
Programi ynë është i përqafuar nga një shumicë konstante në Shqipëri, programi ynë është i njëjtë me ndryshimet që ka nevojë Shqipëria dhe rajoni, që sugjerohen nga partnerët më të mëdhenj që na shoqërojnë dhe mbështesin në rrugën e kapjes së standarteve të botës moderne dhe të integrimit në të. Pra kjo krizë e opozitës apo e të gjitha opozitave vjen nga paaftësia për të gjeneruar ide dhe opsione alternative politike, prandaj kanë zgjedhur të operojnë vetëm me shpifjet dhe me nxirjen e realitetit.
E dëgjova sërish platformën e stërkonsumuar të Ilir Metës. Dallimi im me të, dallimi i tij me ne, është që ne jemi më kritikë se ai, por ne i kemi në programet dhe në aksionet politike dhe qeverisëse korrigjimin e këtyre gjërave. Kjo nuk është partia-shtet që dominon këdo dhe çdo nivel të administrimit të gjërave.
Ne jemi promotorë i transformimit dhe i zhvillimit të vendit. Ne udhëheqim ndryshimin. Ne sigurisht vuajmë dhe lëngojmë po aq sa shoqëria shqiptare në ndryshim dhe natyrisht mbajmë edhe kostot më të mëdha të cilat sot paraqiten edhe në forma standarte, demokratike, siç janë të gjitha llojet e protestave qytetare apo aspak të civilizuara. Pra, tek ne ka persona në krizë, të cilët përpiqen sërish të përcjellin krizën e vetvetes tek gjithë partia. Partia vazhdon të jetë e hapur, e duruar dhe në reformim të vazhdueshëm dhe Partia Socialiste di ta bëjë këtë gjë. Ne nuk mund të humbasim papritmas atë gjë që dimë të bëjmë më mirë, vitalitetin dhe aftësinë për ndryshime.
Ne do të jemi realisht në krizë ditën kur do ngushtojmë hapësirat e lirisë dhe demokracisë sonë të brendëshme në dobi të disave dhe në dëm të disa të tjerëve. Ne do jemi realisht në krizë kur të tjetërsojmë idealet dhe interesat programore, karakteriale dhe njerëzore, që na kanë bashkuar vite e vite militantizmi dhe sakrificash për të transformuar veten dhe vendin, ideale dhe interesa që prandaj na mbajnë të bashkuar me anëtarësinë dhe maxhorancën e zgjedhësve shqiptarë.
Natyrisht, zgjedhësit nuk janë po ata, përtërihen. Dhe ne kemi treguar dhe do të vazhdojmë të tregojmë se kemi karakterin dhe energjitë për ta ndjekur ndryshimin e shoqërisë shqiptare, ndryshimin e elektoratit shqiptar në procesin e hapjes dhe të ballafaqimit me një botë që ndryshon gjithashtu.
Ne nuk jemi dhe nuk do të jemi në krizë sepse disa përfaqësues të mandatuar të Partisë apo të maxhorancës kanë lënë punën, ndërsa disa të tjerë janë punësuar part time tek Berisha, apo në biznese informale, apo në media opozitare. Unë e di që ka ministra që punojnë dhe flasin, që ka ministra që punojnë dhe nuk dinë të flasin, që ka ministra apo ish-ministra, Kryeministra apo ish-kryeministra që nuk bëjnë asnjë punë të mbarë për ju, por që dinë të flasin dhe të shesin sapunin për djathë. Mua më vjen mirë që ju vazhdoni të mbështesni në termin e dytë tre-vjeçar, Edi Ramën, Kryetarin e Bashkisë, që di edhe të punojë edhe të flasë.
Pra ne nuk mund të jemi në krizë vetëm sepse disa nga të mandatuarit tanë që kanë humbur besimin tuaj, vazhdojnë të kenë neveri për ju, për "kongresmenët", apo sipas mendjes së tyre për fshatarët socialistë, vota e të cilëve, juaja dhe e të gjithë delegatëve apo e anëtarëve të partisë Socialiste në të gjithë Shqipërinë u ka dhënë shtëpi luksoze në mes të Tiranës, u ka dhënë trainime jashtë shtetit, i ka shëruar nga sëmundje të shërueshme – të pashërueshmeve nuk kemi ç'u bëjmë as ne - falas në spitalet më të mirë të botës, u ka dhënë vila në bregdet apo llogari financiare të fshehura në offshore-et e botës moderne, ku ne i çuam dhe i integruam. Janë këta kongresmenë socialistë apo fshatarë socialistë,- Shqipëria 50% popullsi fshatare është, - që u kanë dhënë këtyre zotërinjve pasaportizimin dhe lejen për t'u kapardisur në kafenetë e Sheratonit apo Rognerit në Tiranë, duke sharë e shpifur për maxhorancën tonë dhe duke i ndërruar kryeministrat pa kongrese. Dhe kanë degraduar deri atje sa sot po hiqen edhe si viktima të shërbimeve sekrete që i gjurmoka.
Më lejoni të them sërish si Kryetar dhe si Kryeministër, nuk kam nevojë të përndjek askënd, por kjo nuk quhet përndjekje, sepse pas 13 vjet përvoje, së bashku kemi arritur të depërtojmë mirë dhe t' ua njohim saktë karakterin dhe moralin edhe kongresmenëve, edhe kokoshëve. Unë nuk mund të abuzoj me taksat tuaja për të ndjekur apo përgjuar bie fjala Dritan Priftin për një shkak themelor, parimor dhe moral: i përndjekuri politik nuk përndjek politikisht. Por ka edhe dy arsye të tjera, thelbësore:
Ky Prifti që shan sot Gramoz Ruçin për mungesë reformimi është biri i një nëpunësi të nderuar, mik i Gramoz Ruçit dhe i imi, të ish- Komitetit Qëndror të Partisë së Punës.
E dyta, ky Prifti ka ardhur në zyrën time dhe ka pranuar se ajo që zbuluan disa shërbime informative të vendeve partnere se prapa "Geri Kokalarit" si prodhues dacibaoist, që u shpërnda nëpër botë e nëpër shtyp, përveç të tjerave, ishte edhe Dritan Prifti, i cili investimin e maxhorancës sonë për ta arsimuar në SHBA dhe për t'i krijuar kushte të lidhet me postë elektronike me botën moderne nga shtëpia e tij në Tiranë apo në plazh, e ka përdorur dhe vazhdon ta përdorë për të sharë dhe shpifur kundër maxhorancës së "kongresmenëve dhe fshatarëve".
Ne nuk mund të jemi në krizë vetëm sepse bashkëshortja e ish kryeministrit godet me vezë tabelat e qitjes, që në vend të Brezhnjevit dhe Karterit dikur, sot kanë portretet e dy Kryeministrave, të Fatos Nanos dhe Bashkim Finos.
Ne nuk mund të jemi në krizë vetëm sepse disa të dëshpëruar për privilegjet e humbura apo aferat e ndërprera nga qeveria Nano, nga qeveria "Nano 4" dhe jo nga ajo "Nano 1", nuk mund t'i ndërprisnim aferat e fëlliqura të të gjithëve që në '97, sot janë bërë pjesë e grupimit shqiptar të anarkistëve, antiglobalistëve dhe antiintegruesve.
Më thoni të nderuar delegatë, si mund të qëndrojnë deputetë te maxhorancës sonë progresiste në një protestë ku parrulla kryesore politike ishte "Mos e shisni Shqipërinë"?
Shoqe dhe shokë,
Shqipëria as shitet as blihet, edhe sikur të dojë Nano dhe Berluskoni. Shqipëria po integrohet me dinjitet me hallet dhe limitet e saj, por po integrohet me dinjitet dhe në mënyrë të pakthyeshme.
Shqipëria nuk mund të izolohet dot më dhe prandaj ka kosto çelja, Marrëveshjet e Tregtisë së Lirë, ballafaqimi me aftësitë konkuruese të botës, dhe bërja pjesë e realiteteve dhe ekonomisë globale.
Nëse ka të marrë që besojnë se General Electric ka ardhur për t'u pasuruar në Shqipëri, apo për të dhënë zarfa mua apo ndonjë ministri, i mëshiroj.
Nëse ka të marrë që mendojnë se mund ta hajë kush se Lokheed Martin ka blerë qiejt e Shqipërisë, nëse ka të marrë që duan ta lënë Shqipërinë vatër plehrash dhe dioksine kanceroze vetëm që të mos "shitemi", atëherë udhë të mbarë o në partinë e Berishës, o në partinë e Hysni Milloshit, o në partinë e Muho Asllanit.
Nëse ka matrapazë politikë që nën sloganet dhe spekullimet e proteksionizmit të sipërmarrjes vendase duan që të detyrojnë Qeverinë dhe shqiptarët të pranojnë pseudo-shërbimet dhe pseudo-kontratat e tipit "dopio Koç" përballë shërbimeve dhe mallrave të botës moderne, unë i garantoj se nuk do të kenë sukses edhe sikur të thyejnë mbi portretin apo fytyrën time edhe kokrrën e fundit të vezës që ka shtatë vjet që e ngrohin. Ne nuk mund të lejojmë që parrulla qesharake dhe pa asnjë vlerë "Nano ik!" të shndërrohet në "PS shporru!", "Teknologji moderne jashtë" apo "Europë e Bashkuar mbrapa gardhit!"
Nëse ka administratorë publikë (dhe ka) që bëjnë pazar me detyrën për t'u përkëdhelur fshehurazi nga sipërmarrja apo media informale, kjo nuk mund të jetë fytyra e kësaj maxhorance, por kjo mbetet një sfidë kryesore që ne po e përballojmë pavarësisht rezistencës që po rritet dhe e dimë që ekziston për shkak të aksionit tonë aspak tolerant në goditje të evazionit, korrupsionit, kontrabandës, pastrimit të parave në biznese informale apo prona të patundëshme pa tapi legale.
Dhe a e dini se çfarë ndodh kur ne godasim abuzimin, korrupsionin, informalitetin apo paaftësinë? Nuk kanë mbiemra apo krahina interesat e qelbura, gjithkush mund të viktimizohet prej tyre. Para pak ditësh miratova politikisht shkarkimin që një Këshill Mbikqyrës i një sh.a.-je të rëndësishme i bëri nga detyra të afërmit të një deputeti socialist. A e dini se cili ishte reagimi i tij ultimativ?
O më ktheni të afërmin në punë, ose ika tek grupi i Metës!
Çfarë na qenka ky grupi i Metës? Koshi ku mblidhen të gjithë të pakënaqurit që goditen nga vendimmarrja jonë e shëndoshë dhe pastruese? Apo bunkeri nga kërcënohen pas frëngjive socialistët dhe progresistët me tërsëllëmën e Berishës?
Qofsha i gabuar, por unë jam i bindur që ju nuk bini pre e presioneve të tilla skandaloze dhe prandaj nuk do të kthejmë në punë asnjë që abuzon me detyrën dhe ligjin, dhe prandaj nuk do të kandidojmë për deputetë asnjë nga ata që kafshojnë dhe bërtasin kundër PS, dhe fërkojnë duart që socialistët të shtypen nga Berisha në pushtet. Po ta bënim këtë do të ishim në krizë dhe nuk shmanget kriza me pajtime false të stërprovuara dhe të konsumuara.
Disa pak nga të mandatuarit tanë në mënyrë të dukshme po demostrojnë,- e vërtetë është i dashur Edi, se janë të lodhur në detyrat e tyre përfaqësuese dhe për pasojë kanë ca kohë që kanë rënë në pozicione komode të kotësisë, të parazitizmit, apo të mbrojtjes së lëkurës personale dhe, të gjitha këto shpien ujë tek opozita. Por lodhja e tyre nuk është lodhje e të gjithë socialistëve të cilët me devocion dhe pa asnjë përfitim personal i janë përkushtuar mbrojtjes dhe përsëritjes së vazhdueshme të vlerave dhe të fitores së socialistëve. Dhe unë jam i bindur se ju këtë e bëni jo për të vënë kunetërit apo motrat në punë, por për të mirën e atdheut tonë të përbashkët. Në këtë përpjekje që është boshti i karakterit tonë politik, vërshon patriotizmi dhe prandaj edhe fryma jonë socialiste, një prej shembujve më të spikatur të së cilës vazhdoni të jeni ju, organizata e socialistëve të Kryeqytetit.
Çështja është se këta tipa, këto llastica politike kur duan të bëjnë opozitën e bëjnë më shëmtuar edhe se vetë Berisha. Nuk ishte Berisha që demonstronte përballë selisë së qeverisë suaj, por ishte një dopio Muç, një dopio Prift dhe një dopio Kryemadh. Besoj se të gjithë jemi dakort se me këtë demonstrim ata rivërtetuan publikisht se për kë punojnë dhe ç'dëshirojnë. Për këtë arsye, le të bëjnë detyrën institucionet e partisë. Politikisht unë e konsideroj se ata janë atje ku zgjodhën të jenë: në rrugë dhe kundër nesh, jashtë radhëve tona. Sot Meta foli nga jashtë PS-së njëlloj si Berisha, prandaj ju e trajtuat si Berisha.
Po sjell shembuj të tjerë. Para pak ditësh miratova anullimin nga APP të një tenderi shumë të madh (rreth 13 milion dollarë) sepse u konstatuan shkelje dhe parregullsi që do të sillnin një abuzim skandaloz të fondeve publike. Më erdhën në zyrë dy deputetë dhe më përgëzuan. Nuk po e kuptoja tamam arsyen, sepse detyrën bëra. Më thanë, shpëtove veten, se qarkullonin fjalë që ky tender do kalonte, pavarësisht shkeljeve, se Nano kërkonte pjesën e vet. E pra këto shpifje, që humbjet dhe vjedhjet që bëjnë bastardët edhe në emrin tim, nuk mund t'ia faturojnë më shefit të qeverisë, të cilit i paska dalë nami për korrupsion. Këto gjëra nuk dalin përvec se prej të lodhurve apo pelivanëve të penetruar në gjirin e maxhorancës sonë. Ata duhet ta kenë të qartë se në pushtet, me ju, socialistët dhe progresistët e ndershëm, përfundimisht nuk mund të bashkëjetojnë më.
Shoqe dhe shokë,
Përfitoj nga rasti t'ju riftoj: shkunduni, jini vigjilentë, përfitoj nga rasti të përsëris për të gjithë se fuqia e Partisë Socialiste është aftësia e saj vetkorrigjuese dhe vitaliteti për të ndjekur ritmin e reformave dhe zhvillimeve të vendit në integrim. Unë jam më i shqetësuar sesa Edi për stanjacionin e lëvizjes "Kuvendimi i Madh". Por ne do ta shpërthejmë këtë lëvizje kapilare me të gjithë kapacitetin e programuar dhe kjo është prova për secilin veç e veç dhe për të gjithë së bashku.
Ne nuk mund të pranojmë filozofimet sipas së cilave na paska konsumuar koha e gjatë në pushtet. Ka të drejtë Edi, kush është konsumuar le të iki tek mamaja. Ne gjykojmë se koha e gjatë në pushtet, dhe ju siguroj se edhe më e gjatë ka për të qënë, na ka dhënë më shumë eksperiencë, na ka dhënë mundësinë të përgatisim në bashkëpunim me spektrin progresist të shoqërisë dhe të sipërmarrjes, por dhe me partnerët tanë euroatlantikë programe dhe kapacitete zhvillimi afatgjatë për vendin. Prandaj jemi konkurues. Në sajë të këtij ushtrimi politik dhe qeverisës, por në radhë të parë për shkak të karakterit tonë politik të mbrujtur nga idealizmi, ne do ta përmbushim detyrën tonë historike; integrimin e plotë të Shqipërisë në institucionet e komunitetit euroatlantik përballë çdo opozite arkaike, primitive apo antiglobaliste.
Ju e shihni, opozita kryesorte shtatë vjet pas rrëzimit të shtetit që solli ajo ka humbur sensin e shtetit përfundimisht, por ajo nuk ka mbetur vetëm shtatë vjet prapa. Shihni të gjithë sulmet, alternativat, apo kërcënimet e saj. Mbajnë era myk. Janë 60-vjet mbrapa.
Në të kundërt, partia jonë është e re. Dhe, që ta rinojmë më tej partinë tonë, do t'ju ftoja motra e vëllezër të shtrëngoni rradhët, të shumëfishoni angazhimet, të merrni mbi vete më shumë përgjegjësi. Përndryshe e keni vënë re, se sa herë dështon operacioni ciklik i radhës i Berishës "Nano ik!", këtë temë e marrim brenda nesh.
Unë e respektoj ligjin si gjënë më të shenjtë prandaj e respektoj edhe rregullin e demokracisë që përmbushet përmes votës së lirë. Mbi këto dy shtylla kam vendosur të qëndroj pa u tundur dhe pa bërë asnjë lëshim për qejfin apo kënaqësitë e cilitdo, sepse Partia Socialiste, maxhoranca dhe fatet e vendit nuk janë lodra në duar fëmijësh kapriciozë, por janë realitete historike që i kemi krijuar me mund e sakrifica, me burgje dhe masakra, me dashuri dhe përkujdesje në dobi të miliona shqiptarëve, edhe këtu, edhe nëpër botë.
A kemi mosarritje? Patjetër.
A kemi probleme? Patjetër.
A ka varfëri? Patjetër.
A ka korrupsion? Patjetër.
Por dallimi ynë me të korruptuarit që bërtasin "kapni hajdutët" është angazhimi real dhe progresi real në luftë për t'i absorbuar dhe për të thithur këto fenomene tepër shqetësuese, të trashëguara apo që rezistojnë edhe përballë shtetit që vepron nga viti në vit dhe prandaj ato po përthahen dhe po përthithen ashtu siç po përparon dhe po zgjerohen hapësirat e lirisë dhe sipërmarrjes për cilindo vit pas viti. Unë nuk e fsheh se nga njëra anë jam i shqetësuar për thelbin komunist dhe antiglobalist, apo fshataresk të protestave të fundit të opozitës, apo të ndonjë pjese false të shoqërisë civile, por nga ana tjetër jam krenar ashtu si edhe ju që edhe në Shqipëri, për shkak të klimës dhe hapësirave të lirisë që ne krijuam, gjallon demokracia, vitalizohet opinioni publik, emancipohet shoqëria shqiptare në trendet e botës moderne dhe natyrisht korrigjohet edhe qeveria edhe qeverisja.
Unë kam bindjen se vetë jeta do të vazhdojë të korrigjojë veprimin shoqëror dhe thelbin e lëvizjeve civile dhe politike. Por ju garantoj se nuk kam ndërmend t'i jap me emfiteozë ato 50 metrat e bulevardit para Kryeministrisë, që Edi i rregulloi trotuaret para ca ditësh, për atë që bërtet apo kërcënon më shumë, qofshin këta politikanë, qofshin biznese që fshihen pas medias së lirë.
Me këtë rast desha të sqaroj një keqkuptim që ndeshet edhe mes nesh. Ka nga ne që i tremb protesta e ligjëshme, qoftë kjo edhe e opozitës, qoftë e atyre që fshehin interesa politike apo afariste nën petkun e shoqërisë civile, qoftë kjo protestë e sinqertë qytetare e shtresave në nevojë, apo që mendojnë se janë të tilla. Ne kemi hyrë përfundimisht në një nivel të ri të zhvillimit të vendit dhe funksionimit të demokracisë, ku e drejta për të demonstruar dhe protestuar është ligjore dhe mbrohet me ligj si e drejta apo liria e fjalës, por jo e shpifjes.
Në këtë fazë të re të zhvillimit Tirana po i ngjan gjithnjë e më shumë edhe nga liria dhe nga lëvizja qytetare, jo vetëm nga infrastruktura apo mjedisi, kryeqyteteve të tjera të Europës: Romës, Londrës, Parisit. Në këtë fazë të re qeveria ka për detyrë të bashkëjetojë me protestën, ta respektojë atë dhe ta lexojë me qetësinë dhe qartësinë e nevojshme. Nëse dikush trembet apo "blihet" nga këto protesta (ose kërkon t'i blejë vetë protestat), unë përsëris në emrin tuaj se Shqipëria asnjëherë nën qeverisjen e socialistëve dhe të progresistëve, nuk është kthyer dhe nuk do të kthehet në Shqipërinë e Berishës kur demonstruesit gjakosesin nëpër sheshe, kur gazetarët tridheshin si në mesjetë dhe gazetat digjeshin thua se në Shqipëri qeveriste inkuizicioni.
Ky është standarti i demokracisë i kultivuar nga ne dhe i shijuar nga të gjithë, prandaj nuk do ta shkelim kurrë!
Për të gjitha këto që thashë, për të gjitha ato që ju realizoni në jetën tuaj të përditëshme në të mirë të familjeve tuaja, por edhe të Shqipërisë sonë të dashur, unë dua të veçoj dhe të promovoj shembullin tuaj, shembullin e organizatës së lavdishme socialiste të kryeqytetit, me energjitë dhe iniciativat reformatore të së cilës unë jam i bindur, gjithë PS në të katër anët e vendit do të marrë shembull dhe do të lëvizë për të fituar zgjedhjet e vitit të ardhshëm!
Rroftë Partia Socialiste e Shqipërisë!
Na shkofshin punët mbarë!