E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nën rrezikun e përligjjes së përdhosjes

Ai sistem shoqëror që lamë pas, enverizmi,  fliste shumë për parimet, por luante edhe më tepër me to, gjithmonë në synimin që poltrona e tij dhe karriget përreth të lakenjve të vet, të mbeteshin të paprekura. Mjafton të shohim disa lëvizje:
1.Dikur, pas L.II.Botërore, në vigjilje të luftës së ftohtë, lëvizja pacifiste pushtoi zemrat e adhuruesve të shtetit të Stalinit, në fushatën hipokrite kundër Perëndimit luftënxitës. Në këtë valle hynë edhe njerëz që kishin bërë emër në letërsinë perëndimore, por ishin dritëshkurtër në politikë. Propaganda shurdhuese se Bashkimi Sovjetik, që kishte jetësuar Perandorinë e Kuqe, sipas kritereve të Pietrit të Madh,  ishte vendi më paqësor në Botë, - kjo zhurmnajë kishte bërë, pra, - kishte bërë  një shpëlarje të vërtetë të trurit në miliona njerëz naivë, kundër “kapitalizmit grabitqar”, në përgjithësi dhe, veçanërisht, kundër “imperializmit amerikan”.
Vendi ynë ishte ndër më të zellshmet në këtë propagandë staliniste.
2. Pas nja pesëmbëdhjetë vitesh, vendi ynë u shpall promotori i luftës kundër “revizionizmit”. Pacifizmi u mallkua: u quajt kapitullim ndaj imperializmit. Dolën jashtë qarkullimit vepra të përkthyera nga shkrimtarë të mëdhenj: Disa moshave iu kujtohet sesi vepra “Tre shokët” e  Remarkut jo vetëm që u zhduk nga fondi i bibliotekave, por ishte vënë në listën e zezë të librave  të ndaluar. Lagush Poradeci tregon një skenë të përvajtueshme të djegies së veprave me vlerë të madhe të bibliotekës së tij vetjake, në shqip, në gjermanisht, në rumanisht, në frëngjisht.
3. Lëvizja feministe, në mbrojtje të të drejtave femërore, bashkë me disa rrëshqitje të saj, pati përhapje të gjerë, dikur, në botën perëndimore dhe përtej. Natyrisht E. Hoxha nuk mund të dilte si përvetësues édhe i kësaj lëvizjeje. Kuptohet. Ishte lëvizje e përtej detit tonë. Megjithatë, pa e përmendur me emrin që cituam, kjo u bë objekt i rëndësishëm i njërit prej plenumeve tona. Iu la në qendër të vëmendjes klasës “hegjemone” punëtore. Gratë përbënin gjysmën e popullit. Si çdo nismë e kohës që kishte teprimet e saj, edhe në këtë rast, në hovin e parë, nuk kishte gjyq divorci që të mos përfundonte në favor të femrave. Dikujt i kujtohet sesi vrau veten një grua, së cilës ia morën erzin nëpër këmbë. U provua, së pari, se ishin thashetheme. Kjo u shtrua në plenum. Atëherë le të guxoje t’i bije me shpullë bashkëshortes, palé t’i punoje edhe rrëngje të tjera, siç e kishte bërë të zakonshme më vonë, kur ndryshuan erërat, Edvin Rama.
Sidoqoftë, edhe pas rrëzimit të diktaturës, liria për të drejtat e gruas ishte më e qenësishme. Shtypi i lirë e kishte në rend të ditës kronikën shoqërore, qoftë edhe për sensacion. Mujshia mashkullore, në cenim të të drejtave të femrave, i pasqyronte rastet e keqpërdorimit të seksit femëror. Jo vetëm rastet e bujshme, të nxitjes për prostitucion apo të veprave mashtruese të meshkujve në këtë drejtim, por edhe rastet më të thjeshta të kapadaillëkut mashkullor. Çuditërisht u bë një përjashtim për zvetënimin njerëzor të E. Ramës, në lidhje me femrat. Dy apo tri rastet më të mprehtat të keqtrajtimit të tij ndaj femrave, duhej të mbeteshin nën surdinë. E drejta e privatësisë! Dhe mbetën të tilla, të heshtura, edhe nga shtypi ynë e nga mediet tona në përgjithësi, gjer në kohën kur një gazetar i nxori në dritë të diellit. Çudia qëndron në atë, se i njëjti gazetar sot fton në studion e tij njerëz që të mbrojnë E. Ramën ndaj atyre huqeve që vetë gazetari ia kishte nxjerrë në shesh: Jo vetëm mizorinë në marrëdhënie me bashkëshortet, por edhe karakterin e mbrapshtë, madje cinik, të Edvinit si familjar: Qëndrimin ndaj së ëmës, ndaj të atit, ndaj bashkëshortes, ndaj të birit.
I akuzuari për veset e tij të karakterit të mbrapshtë, nuk do të ishte një person aq i rrezikshëm, nëse nuk do të ishte kryetar i bashkisë dhe kryetar (paçka se i dyshimtë) i Partisë Socialiste. Madje edhe me mëtime për të qenë kryeministër! E për këto ofiqe të trefishta ka një prapavijë rrënimtare: Në radhë të parë janë ata, një pjesë e bollshme e të cilëve, duhej të përgjigjeshin në gjykatat tona për krimet që kishin bërë në kohën e E. Hoxhës. Është kjo mbështetje e fortë dhe e dhunshme që ka gjetur njeriun e përshtatshëm në personin e E. Ramës, që të bëhen festat për ovacionet ndaj Enverit në Pezë, që të lëngështohet ligji për lustracionin, që të asfiksohet zëri i lirë në PS kundër LMN-së (Lëvizjes për Mendimin Ndryshe) dhe të bëhen përçapje për përmbysjen e qeverisë, kur zgjedhjet e 28 qershorit 2009 u deklaruan nga i gjithë faktori ndërkombëtar, si ndër më të mirat në vendin tonë. Ajo që të çudit, është se disa gra “të emancipuara”  ia falin Edit ato veprime, por nuk i përgjigjen dot arsyetimit të deputetit demokrat E. Paloka: - A do t’ia falnin bashkëshortit të tyre?
Më ka bërë përshtypje ajo që më tha një miku im, i paralizuar nga çka pas hequr në diktaturë, e tani merret me studime historike: -Po më përftohet në mendje Rasputini, që u shenjtërua në oborrin e Car Nikollës nga gratë e pallatit, vetëm se Caresha donte të shpëtonte careviçin nga hemofilia, përmes hipnozës së Rasputinit! E dinë ato gra sesi u katandisën, në rrjedhë të kohës! Në rastin tonë, kusuret do t’i mbartin në kurriz gratë e burrat e të gjithë Shqipërisë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›