E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rënia e Jordanisë: Fëmijët e Gazës që ëndërrojnë shkollën

Ayman është një djalë 14-vjeçar me zë të ëmbël, që jeton në qytetin e Jabalias, në Rripin e Gazës. Familja e tij është e varfër dhe prindërit kanë shitur mobiliet për të paguar ushqimin dhe shkollën për fëmijët. Kohët e fundit, pasi ka marrë ndihma ushqimore nga qeveria, babai i Ayman, një i papunë që nga marsi i 2006-s, është detyruar të shesë qumështin për të paguar rrugën e kthimit. Ayman mëson shumë në shkollë dhe në të ardhmen ëndërron që të ketë një karrierë të mirë

Por, në klasën e vogël ku marrin dije edhe 47 nxënës, kushtet e mësimit janë shumë stresuese. Veç të tjerash, shtëpia nuk është një strehë e sigurtë: shpërthimi i fundit që ndodhi në Jabalia ishte plot 200 metra larg shtëpisë ku jeton Ayman. Shpërthimet dhe bombardimet kanë terrorizuar të motrën 5-vjeçare, e cila vazhdon të zgjohet natën e trembur.

Përvoja e Aymanit është shumë e zakonshme në lagjet e populluara dhe të shkatërruara të Gazës, ku njerëzit më pak të përgjegjshëm për shkatërrimet janë ata që vuajnë më shumë. Në të vërtetë, mes 840.000 fëmijëve të Gazës, ku 588.000 janë refugjatë, historia e Aymanit është më e mira në krahasim me atë të fëmijëve të tjerë. Sipas të dhënave të fundit, për muajin e kaluar, të paktën 33 fëmijë (djem dhe vajza) palestinezë janë vrarë dhe shumë të tjerë janë plagosur ose gjymtuar, janë djegur nga flakët e shpërthimeve në shtëpitë ose oborret e tyre.

Më 28 shkurt, 4 fëmijë që po luanin me top, u goditën nga një predhë, e cila i shpërfytyroi aq shumë saqë u thërritën familjet e tyre për t‘u njohur trupat.

Ayman, vëllezërit e tij dhe të gjithë fëmijët e Gazës, e shohin ekzistencën e tyre të përditshme shumë të pavlerë; një mbytje e ngadaltë dhe mizore e shpirtit dhe ëndrrave të tyre. Në vend që të shijojnë ditët dhe të mendojnë për të ardhmen, janë burgosur në një burg virtual. Gjërat që çdo fëmijë duhet t‘i ketë të garantuara, u janë rrëmbyer nga të tjerët: e drejta për të luajtur, për të shkuar në shkollë, për pasur mjaftueshëm ushqim, dritë për të studiuar mbrëmjeve dhe një shtëpi ku të ndihen më të sigurtë. Pesha e një prej konflikteve më të gjatë në botë peshon mbi shpatullat e tyre, duke u shkatërruar fëmijërinë dhe duke i lënë me pasoja psikologjike, të cilat ndoshta nuk do të mund të shërohen më kurrë.

Dikur palestinezët cilësoheshin si një ndër popujt më të arsimuar të Lindjes së Mesme. Sot, pas shumë vitesh dhunë, izolim dhe varfëri, tradita e tyre krenare për një arsim të shkëlqyer, është bërë copë e çikë. Pesë muajt e fundit, rreth 2000 fëmijë të Gazës janë detyruar të braktisin shkollën. Nuk u ka mbetur gjë tjetër veçse të ndajnë mes tyre librat e grisur që të marrin sadopak dije.

Provimet semestrale në janar të 2008-s, që janë zhvilluar në shkollat e Gazës nga Unrwa (Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Ndihmat dhe Punën), agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë, regjistruan mungesë të theksuar dijesh në testet e matematikës 50-60% dhe 40% në arabishten, gjuha e mëmës e fëmijëve palestinezë. Pavarësisht përfundimeve të nxjerra nga kjo agjenci, Ayman ngulmon: "Dua të jem një njeri i ditur. Dëshiroj të bëhem një inxhinier që të rindërtoj vendin tim".

Ndërkohë që festojmë "Ditën e djalit palestinez", i tregojmë botës se kriza e Gazës është një katastrofë e shkaktuar nga dora e njeriut. Bota duhet ta dijë se kushtet e sotme janë të këqija ashtu si gjithmonë, që kur ka filluar pushtimi. 79% e familjeve të Gazës jeton në varfëri, ndërsa 8 në 10 persona varen nga asistenca ushqimore. Thuajse gjysma e krahut të punës janë të papunë, ndërkohë që industria e vendit është duke u shembur. Sistemet hidrike dhe kanalizimet nuk funksionojnë, papastërtitë vazhdojnë të grumbullohen nëpër rrugë.

UNICEF lufton kundër kohës për të rivendosur gjendjen normale te të rinjtë e Gazës, duke ngritur kurse shkollore për të ndihmuar fëmijët në ndjekjen e mësimeve; gjithashtu janë vënë në funksion programe sportive dhe socio-kulturore; organizata po bashkëpunon me autoritetet e shkollave për të krijuar hapësira mbrojtëse për lojërat ku fëmijët mund të jenë të siguruar.

UNICEF dhe bashkëpunëtorët e tij po punojnë për të risjellë ujë, produkte higjienike dhe mjekësore familjeve dhe spitaleve, ndërkohë grupi i psikologëve i mbështetur nga UNICEF-i janë shpërndarë në të gjithë zonën, duke ndihmuar prindërit dhe fëmijët palestinezë për t‘i bërë ballë stresit emocional.

Por ndërkohë që UNICEF-i bën gjithçka që mundet për të ofruar inkurajim në mes të katastrofës së Gazës, vetëm liderët politikë mund t‘i japin fund këtij makthi të tmerrshëm. Tani ka ardhur momenti për një angazhim të ri. Koha e vështirë dhe vrasjet e shumta duhet të marrin fund.

Fëmijët palestinezë dhe izraelitë meritojnë të rriten në paqe. Liderët e të dyja palëve, të ndihmuar edhe nga komuniteti ndërkombëtar, duhet të bashkohen për një dialog, pasi është rruga e vetme për t‘i bërë të mundura gjërat. Babai i Ayman, me qetësi, thotë: "Fëmijët janë shpresa ime e vetme". Fëmijët e Gazës janë një rreze drite në errësirë. Meritojnë një mundësi që të shkëlqejnë.

"Në territoret përreth janë të ndaluara të drejtat më elementare të fëmijërisë, lojërat, ushqimi mjaftueshëm, dritë në shtëpi për të studiuar, një vend ku të ndihen të sigurtë"


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›