E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nëna e 44-vjeçarit: Na e vranë maskat dhe na e hodhën në lumë

TIRANE - Djalin ma vranë dhe ma hodhën në lumë”. Kështu ka deklaruar nëna e 44-vjeçarit, i cili u gjet i pajetë në ujërat e lumit të Tiranës. Ajo për asnjë moment nuk e ka pranuar se e ka vrarë ajo djalin e saj dhe më pas ta ketë hedhur në lumë. “Nuk ka nënë që vret fëmijën e saj. Unë nuk kam pasur konflikte me djalin tim. Atë na e vranë të tjerët dhe pastaj e hodhën në lumë. Na e vranë këtu tek dera e shtëpisë. Erdhën disa persona me maska”, - pohon nëna e 44-vjeçarit nga Babrruja.

Vetëm pak ditë më parë, forcat e policisë gjetën në ujërat e lumit të Tiranës trupin e 44-vjeçarit Agron Fisniku, i cili prej disa ditësh ishte hedhur në lumë. Pas identifikimit të viktimës, policia vuri në pranga babain e 44-vjeçarit, Ruzhdi Fisnikun, dhe bashkëshorten e tij, të cilët dyshohet se në bashkëpunim me djalin tjetër të tyre kanë vrarë me thikë djalin e tyre, Agronin. Burime nga forcat blu sqarojnë se fillimisht çifti i të moshuarve e kanë pranuar pjesërisht fajin dhe krimin makabër, por më pas ata kanë ndryshuar version. Duke u nisur nga gjendja mendore e të moshuarve, policia ka mbajtur në ambientet e saj vetëm Ruzhdi Fisnikun dhe ka lënë të lirë bashkëshorten e tij.

Kjo e fundit, njihet në lagjen ku banon si një njeri me probleme, që nuk ka sjellje normale. Fqinjët pranë banesës së familjes Fisniku në Babrru, kanë sqaruar se 44-vjeçari ka qenë një njeri me sjellje normale, i cili shkonte edhe në punë, ndërsa familjarët e tij kanë pasur probleme mendore dhe shpesh në banesën e tyre dëgjoheshin të bërtitura në orët e vona të mbrëmjes. Policia bën me dije se ka gjetur në banesën e familjes Fisniku gjurmë gjaku dhe thikën e krimit, të cilat janë përdorur si prova kryesore. Sipas policisë, krimi është kryer natën dhe pasi e kanë vrarë 44-vjeçarin, prindërit e tij e kanë hedhur në lumë me karrocë dore. 

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›