E Diel, 1 Nëntor 2026

Kukan-Berishës: Atmosfera e qetë të vijojë dhe gjatë procesit të zgjedhjeve

berisha-kukanTiranë- Kryeministri Berisha priti në një takim Komisionin Ad Hoc të Parlamentit Evropian, i cili ndodhet në Shqipëri me rastin e zgjedhjeve parlamentare, të kryesuar nga zoti Eduard Kukan, kryetar i delegacionit të PE për marrëdhëniet me Evropën Jug Lindore dhe të përbërë nga anëtarë të Parlamentit Evropian të gjitha grupeve politike.

Siç njofton zyra e shtypit e Kryeministrisë, Kukan i konfirmoi Berishës se qëllimi i vetëm i këtij delegacioni është për të dëshmuar edhe njëherë mbështetjen e fuqishme të PE dhe të mbarë spektrit politik të deputetëve të tij ndaj Shqipërisë dhe projektit të shqiptarëve për anëtarësim sa më të shpejtë në BE.

Duke u ndalur tek fushata elektorale zoti Kukan dhe deputetët e PE vlerësuan atmosferën e qetë e të civilizuar në kuadër, të së cilës u zhvillua gara intensive e partive politike për tu prezantuar qytetarëve programet dhe platformat e tyre për mandatin e ardhshëm.

Deputetët evropian uruan që kjo situatë e qetë dhe e civilizuar, ashtu siç është zhvilluar deri në këtë moment, të vijojë gjatë procesit të zhvillimit të zgjedhjeve, edhe në ditët në vijim si një dëshmi tjetër e pjekurisë të shoqërisë shqiptare dhe nivelit të demokracisë së saj si një vend që ecën përpara drejt statusit të vendit kandidat dhe të ardhmes evropiane.

Berisha u rikofirmoi deputetëve të PE vendosmërinë dhe angazhimin e plotë të qeverisë shqiptare që këto zgjedhje të jenë zgjedhjet më të mira të zhvilluara ndonjëherë në Shqipëri në përputhje me standardet ndërkombëtarë.

Ndihem shumë i lumtur, – u shpreh Kryeministri Berisha për numrin e madh të delegacioneve dhe vëzhguesve ndërkombëtarë që ndodhen sot në Shqipëri, të cilët do të kenë mundësi drejtpërsëdrejti të vëzhgojnë mbarëvajtjen e këtij procesi, i cili padyshim do të jetë procesi zgjedhor më i miri i zhvilluar në Shqipëri gjatë këtyre 22 viteve. Votat e qytetarëve shqiptarë do të numërohen bazuar në sistemin më të mirë, më transparent dhe më të sigurt të numërimit që mund të ekzistojë çka përbën një garanci të plotë që rezultati do të reflektojë besnikërisht vullnetin e qytetarëve shqiptarë,- tha Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›