Nëna e Alketa Canit: Iliriani e rrahu tre ditë para vrasjes, ajo kishte frikë ta denonconte

Alketa Cani
Nëna e Alketa Canit, që mbeti e vdekur nga plumbat e bashkëshortit, Ilirianit, thotë se ai e rrihte atë.
Duke folur për gazetën Shqip, Fluturie Agalliu thotë se ai e kishte kërcënuar se do e vriste nëse ajo e linte.
Unë gjithmonë e kam ditur që Iliriani ma dhunonte vajzën. Jeta e sime bije ka qenë mjaft e vështirë dhe ajo ka duruar shumë prej atij njeriu. Ai pinte vazhdimisht, por tre vitet e fundit e tepronte jashtë mase dhe nuk sillte asnjë lek në shtëpi. I kishim ndërprerë marrëdhëniet me atë njeri. Vajza ime rropatej për të nxjerrë lekë. Punonte me orare të zgjatura për të rritur fëmijët.
Nëna e Alketës rrëfen se si ai tre vite më parë e dhunoi atë aq shumë, sa e bëri për spital.
Im bir shkoi për tu sqaruar dhe gjendja u acarua shumë keq, saqë u përleshën me njëri- tjetrin. Iliri i theu nofullat tim biri dhe që prej asaj kohe nuk iu thamë më asgjë.
Fluturia thotë se edhe tre ditë përpara se të vriste, Iliriani e kishte rrahur vajzën e saj.
I thashë që ta denonconte në polici, por ajo më tha se nëse do ndodhte sërish, atëherë do ti kërkonte ndihmë policisë. Ishte tepër vonë sepse nuk pati rast, thotë e ëma, duke kërkuar drejtësi dhe dënim maksimal për Ilirianin./ep