E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSBE: Maqedonasit të mësojnë shqip, aty ku janë pakicë

Shkup Propozimi i Komisarit, Kurt Volebek, për zgjidhjen e problemeve

Kompromisi për arsimin e integruar pritet të jetë lëshimi pe nga ana e palës maqedonase për mësimin e shqipes, aty ku maqedonasit janë pakicë. Kjo lë të nënkuptohet se në komunat shqiptare, ku maqedonasit janë pakicë, ata ta kenë të obligueshëm mësimin e shqipes, pra në pyetje të ishte çështja e reciprocitetit. Kjo, siç mëson jo zyrtarisht “Koha Ditore”, mësohet të jetë arsyeja kryesore e aksionit të ndërmarrë nga ana e përfaqësuesit për pakicat në OSBE, Knut Volebek, me zyrtarët qeveritarë në vend.
Siç mësohet, variantet që maqedonishtja te nxënësit shqiptarë të mësohet nga klasa e parë bien në ujë dhe, sipas të gjitha gjasave, ajo ngelet që të mësohet nga klasa e tretë, derisa varianti tjetër është që te pala maqedonase arsimi i integruar të fillojë të aplikohet nga klasa e katërt ose e pestë. Ndërkohë qëndrimi wshtw konfirmuar edhe nga Zyra e OSBE-së në Shkup lidhur me këtë projekt që shkaktoi debat madje edhe politik. Sipas tyre, “gjithçka që është e përfshirë në këtë projekt do të vazhdojë edhe më tutje”. Madje zëvendëskryeministri Abdilaqim Ademi të mërkurën ka realizuar një takim me komisarin e lartë të OSBE-së, Knut Volebek. Ademi në këtë takim ka njoftuar Volebekun për vërejtjet që sekretariati për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit ka për strategjinë për mësim të integruar, që është përgatitur nga OSBE-ja. Sipas Ademit, në këtë projekt për arsim të integruar, përveç shqiptarëve, duhet të përfshihen të gjithë faktorët në vend, pasi vetëm në këtë mënyrë “të gjitha bashkësitë etnike do të ndiheshin të barabarta”. 
“Marrëveshja e Ohrit tenton të ndërtojë një shoqëri shumetnike në të cilën të gjitha bashkësitë etnike të ndihen të barabarta dhe në këtë frymë duhet të jetë edhe strategjia për mësim të integruar. Arsimimi është baza më e mirë për integrimin e bashkësive etnike në vend dhe të gjithë faktorët duhen inkuadruar në implementimin e kësaj strategjie”, ka thënë zv.kryeministri Ademi, duke shtuar që këto vërejtje duhet që në të ardhmen të harmonizohen dhe të miratohen nga institucionet relevante, në mënyrë që në periudhën e ardhshme të fillojnë të implementohen. Volebek ka realizuar takim edhe me liderin e Demokracisë së Re (DR), Imer Selmani, ku arsimi i integruar ka qenë në qendër të vëmendjes. Ditë më parë, edhe në takimin midis kryeministrit Nikola Gruevski me Komisarin Volebek është biseduar për propozim-strategjinë për arsim të integruar përgatitur nga ekspertë të OSBE-së dhe institucionet relevante të Maqedonisë, me ç'rast të dy bashkëbiseduesit kanë konkluduar se implementimi i masave dhe rekomandimeve në këtë dokument duhet të japë rezultate në periudhën e ardhshme.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›