Nënë Tereza, Arkivii filmit shfaq sotfilmime të panjohura
TIRANE- Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit, në bashkëpunim me Qendrën Televizive të Vatikanit, në kuadër të 100-vjetorit të lindjes së Nënë Terezës, si dhe në kuadër të vitit jubilar të shenjtores të shpallur nga qeveria shqiptare, do të shfaqë pamje filmike të panjohura. Sipas një njoftimi të AQSHF-së, ato janë materiale ekskluzive arkivale nga veprimtaria e Nënë Terezës. Këto materiale të rralla, që tashmë janë pjesë e fondit arkival të AQSHF-së, janë mundësuar nga Televizioni i Vatikanit. Aty përmblidhet një pjesë e veprimtarisë bamirëse së Nënës Terezë në Kalkuta të Indisë, disa nga takimet e saj në vite me Papa Gjon Palin II, vizita e saj në Shqipëri përkrah Papa Gjon Palit II në prill 1993, mitingjet madhështore në Shkodër e në Tiranë, si dhe takimet me presidentin Sali Berisha dhe personalitetet e larta të vendit. Shfaqja e tyre do të bëhet sot në orën 11:00, në kinemanë e AQSHF-së. Më tej, këto materiale do të shfaqen në ambiente të hapura në datën 25 gusht 2010, ora 20:00, në qytetin e Beratit, si dhe një ditë më pas, më 26 gusht 2010, pranë Muzeut Historik Kombëtar.
(s.g/GSH/BalkanWeb)
(s.g/GSH/BalkanWeb)