E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nënë Tereza, një konferencë vetëm për televizionet

Prezantohet programi i datës 26 gusht për 100-vjetorin e bamirëses

Pak ditë larg 26 gushtit, ditës që shënon 100-vjetorin e lindjes së Nënë Terezës, Ministria e Kulturës ka shpallur një program që pretendohet i detajuar për këtë datë. Zëvendësministrja Suzana Turku ka mbajtur dje një konferencë shtypi, për të shpallur programin e aktiviteteve në vazhdim. Konferenca, për të cilën mediat e shkruara u njoftuan vetëm me e-mail në më pak se një orë para daljes së zëvendësministres Turku në mesditë, sipas zëdhënëses së shtypit, Lorisa Ylli, i ishte dedikuar vetëm mediave televizive. Informacioni i vënë në dispozicion është një program i ardhur nga zyra e shtypit, në të cilin mbeten të paqarta shumë detaje. Sipas programit, aktivitetet e datës 26 gusht do të nisin që në orën 8:30, me një nisje nga Tirana drejt katedrales “Nënë Tereza” të Vaut të Dejës, ku në orën 10:15 do të mbahet një meshë solemne. Në orën 11:30-13:30 është parashikuar kthimi në Tiranë dhe pushim në ambientet e “Sheraton”-it, ku më pas do të prezantohet projekti i Memorialit të Nënë Terezës nga fondacioni kulturor “Nënë Tereza”. Prej asaj që u mësua, zëvendësministrja Turku ka sqaruar se ndryshe nga sa ishte parashikuar në fillim, ku u tha se në datën 26 gusht do të vendoset guri i parë i themelit të memorialit, do të bëhet vetëm një prezantim i projektit. Një grup pune i kryesuar nga zëvendësministri i Turizmit, Nikoll Lesi, në përbërje të të cilit janë z. Neritan Ceka, drejtori i Institutit të Monumenteve, z. Apollon Baçe, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar z. Luan Malltezi, drejtori i Qendrës së Studimeve Albanologjike, z. Ardian Marashi e të tjerë specialistë, prej disa muajsh po shqyrtojnë projektin e hartuar nga arkitekti Marin Biçoku, një projekt i cili me shumë gjasa do të përpunohet në muajt në vazhdim, pasi pika e zgjedhur, te “Kolonat” është një kompleks arkitekturor, në të cilin ndërhyrjet duhet të studiohen mirë. Pas paraqitjes së projektit, programi vazhdon me një drekë që do të ofrohet nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve z. Ferdinand Xhaferaj, për të ftuarit pjesëmarrës, të cilët më pas do të akomodohen në hotele. Deri më tani nuk dihet emri i asnjë të ftuari për të kremtuar 100-vjetorin e lindjes së Nënë Terezës. Në orën 17:00 është parashikuar një vizitë e të ftuarve në ekspozitën me foto dhe objekte të Nënë Terezës, organizuar nga Muzeu Historik Kombëtar dhe fondacioni kulturor “Nënë Tereza”. Programi vazhdon me koncertin “Rruga e jetës sime” në Teatrin e Operës kushtuar figurës së Nënë Terezës, ndërsa të ftuarit i pret më pas një darkë e ofruar nga Kryeministri i Shqipërisë. z. Sali Berisha në ambientet e Pallatit të Brigadave. Sipas njoftimit, aktivitetet e tjera të parashikuara e që nuk u realizuan deri më tani, sipas një kalendari që qëndron prej disa javësh i varur në pjesën ballore të Ministrisë së Kulturës dhe në Teatrin e Operës, do të organizohen në datat 20-30. Bëhet fjalë për ekspozitën “Shqipëria vend shenjtorësh” në Bibliotekën Kombëtare, shfaqje të filmave dokumentarë në ambiente të hapura, organizimin paralelisht të aktiviteteve kulturore artistike në disa qytete të Shqipërisë, emisione të televizioneve të ndryshme kombëtare kushtuar jetës dhe veprës së Nënë Terezës. Ndonëse në program nuk parashikohet, mësohet se do të ndahen edhe çmimet e konkurseve për krijimtarinë më të mirë muzikore dhe çmimi për esenë më të mirë. Në shumë vende të botës, 100-vjetori i lindjes së Nënë Terezës po përcillet me aktivitete të shumta.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›