E Diel, 1 Nëntor 2026

Sindikata: Nuk ka pakt, greva ndaj Kurum do të vazhdojë

Përplasja Punëtorët e metalurgjikut nuk punojnë prej tri ditësh, pas konfliktit me drejtuesit

Greva e 300 metalurgëve të Elbasanit ka hyrë në ditën e tretë, ku edhe dje të gjithë metalurgët e dy uzinave, asaj të çelikut dhe Petëzimit, janë paraqitur vetëm para portave të uzinave, por nuk kanë pranuar të nisin punën. Konflikti mes punëtorëve dhe drejtuesve të “Kurum” lindi disa ditë më parë, ku njëri prej shefave turq ushtroi dhunë ndaj një metalurgu.

Ndryshe nga herët e tjera, shkrirësit e çelikut dhe farkëtuesit e petëzimit të hekurit, kanë udhëtuar me mjetet e tyre drejt kompanisë turke “Kurum”, pasi kjo e fundit ka ndërprerë transportin e punëtorëve për qytetin e Elbasanit dhe Cërrikut, prej nga është dhe fuqia më e madhe punëtore. Gjatë dy netëve, metalurgët nuk i kanë ndërprerë turnet e dyta dhe të treta, por me të vetmin ndryshim. Ata janë bërë barrikadë e portave të dy uzinave, me qëllim që drejtuesit e kompanisë të mos kryejnë veprimet e blerje-shitjes me subjekte private vendase apo të huaja.

Në fakt, që prej katër ditësh me dhjetëra kamionë të ngarkuar me hekurishte nga Kosova, Mali i Zi, Maqedonia dhe qytetet e Shqipërisë, qëndrojnë pezull, duke mos shkarkuar mallin, sikurse edhe mjete të tjera në janë në pritje të ngarkesave me lingota çeliku apo tuba hekuri të dimensioneve të ndryshme. është folur edhe për mundësinë e ardhjes së metalurgëve të Bulqizës në shenjë solidarizimi, por krerët e sindikatës qendrore kanë shpjeguar se një lëvizje e tillë ka kosto dhe humbje të mëdha për firmat përkatëse, pasi do ndërpritej puna. Përfaqësuesit e sindikatës së metalurgëve të Elbasanit nuk kanë pranuar të bëjnë marrëveshje me përfaqësuesit e palës shqiptare, pasi sipas tyre ata janë të shitur tek administrata turke dhe kërkojnë drejtorin administrativ turk të degës së Elbasanit për negociata. Përderisa nuk është arritur asnjë marrëveshje greva e metalurgëve të Elbasanit, sipas sindikalistëve do të vazhdojë dhe paralajmërojnë grevë urie pa afat.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›