E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nënë e bijë u helmuan nga qumështi i sultjashit

Ky ka qenë konkluzioni i ekspertizave të mjekësisë ligjore për ngjarjen e së enjtes mbrëma më 2 tetor, kur rezulton të kenë ndërruar jetë nënë e bijë, 78 dhe 56 vjeçe ne banesen e tyre. 

TIRANE- Xhile Sina dhe e bija Burbuqe Pepa, janë helmuar nga qumështi i sultjashit që kishin përgatitur për të ngrënë në darkë. Ky ka qenë konkluzioni i ekspertizave të mjekësisë ligjore për ngjarjen e së enjtes mbrëma më 2 tetor, kur rezulton të kenë ndërruar jetë nënë e bijë, 78 dhe 56 vjeçe. Ngjarja e rëndë u mësua të nesërmen (të premten), kur një e afërme e familjes së Pepës, e cila është edhe fqinjë e saj në fshatin Shën M’ri të komunës Shëngjergj të Tiranës, ka dyshuar për mungesën e lëvizjeve në banesën e kunatës dhe ka hyrë për të parë brenda shtëpisë. Policia e cila mbërriti në vendngjarje, dyshoi qysh në fillim se tragjedia kishte për shkak helmimin e ushqimit, por u deshën autopsia dhe ekspertizat e mbetjeve të ushqimeve të gjetura në stomakun e viktimave, për të vërtetuar shkencërisht se çfarë kishte ndodhur. Mjekësia ligjore i ka dërguar së fundmi rezultatet e saj në prokurorinë e rrethit Tiranë, aty ku ndodhet dosja e hetimeve për ngjarjen. Në fakt Xhilja kishte shkuar në shtëpinë e së bijës dhe e kishte ndihmuar këtë të fundit në punët në fushë. Bashkë me djalin e Burbuqes dhe të shoqen e këtij ato kishin drekuar. Në orët e pasdites, meqë Burbuqja ishte bashkë me të ëmën, i kishte lejuar të birit që bashkë me nusen të dilnin për vizita familjare. Askush nuk e kishte menduar se pikërisht atë natë nënë e bijë do të kishin pasur nevojë më shumë se kurrë për një person tjetër, që të kuptonte gjendjen e tyre të rënduar nga reaksioni me ushqimet dhe t’i ndihmonte. Ato jenë gjetur të shtrira dhe të pajeta, ashtu siç kishin rënë në gjumë në mbrëmje në divan.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›