Çuditet me Isën
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, u është përgjigjur akuzave të liderit të LDK’së, Isa Mustafa, i cili një ditë më herët e la fajtor pse Presidenti Behgjet Pacolli votoi për zgjedhjen e Qeverisë.
Krasniqi, i cili vetë ka votuar kundër zgjedhjes së Pacollit, është befasuar nga akuzat e liderit të partisë më të madhe opozitare.
Në një bisedë të shkurt për Express, Krasniqi ka ironizuar me akuzat e Isa Mustafës, i cili nuk e përkrahu nismën e AAK’së për ta dërguar lëndën e dytë kundër Presidentit në Gjykatën Kushtetuese.
“Pse, a është bërë pjesë e koalicionit ai a”?, është shprehur Krasniqi.
Duke arsyetuar refuzimin e nismës së AAK’së, Isa Mustafa, në një konferencë shtypi të mërkurën, përdori argumentet e Pacollit për atë se kush duhet fajësuar për votën e Presidentit për Qeverinë.
“Kryetar i Kuvendit është dashur t’i thotë z. Pacolli që t’i më nuk je deputet dhe nuk duhet të jesh në Kuvend që të votosh për Qeverinë. Ai i përcakton rregullat aty dhe jo tjerët, prandaj çdonjëri duhet ta marrë përgjegjësinë në këtë çfarë ka ngjarë dhe jo problemet e të tjerëve t’i barten Lidhjes Demokratike”, ka thënë Kryetari i LDK’së.
Sipas Mustafës, Kryetari i Kuvendit është dashur t’i tregojë Pacollit se nuk bën të ulet në ulësen e deputetit dhe të votojë për Qeverinë.
Megjithëkëtë, Kryeparlamentari Jakup Krasniqi vazhdon të mbrojë qëndrimin se Behgjet Pacolli është dashur ta dijë se me marrjen e postit të Presidentit i pushon mandati i deputetit.
“Ai është dashur ta dijë se me emërimin në pozicionin e ri i përfundon i pari”, ka thënë Krasniqi.
Njeriu i cili kishte thënë se është shkelur Kushtetuta pas raundit të dytë të votimit për zgjedhjen e Presidentit, ka gjykuar edhe veprimet e Liderit të LDK’së, i cili e lëshoi rastin për ta kontestuar postin e Behgjet Pacollit.
“Realisht, ai (Isa Mustafa) më i zëshëm ka qenë para zgjedhjeve se pas zgjedhjeve, megjithatë ai e ka zgjedh atë rrugë. Është e drejtë me zgjedh mënyrën se si do ta zhvillojë opozitën”, ka thënë Kryeparlamentari Krasniqi.
Ndryshe, LDK e mbështetur nga AAK’ja ka dërguar një lëndë në Gjykatën Kushtetuese, ku pretendon se ka pasur shkelje kushtetuese kur është votuar për Presidentin Behgjet Pacolli.
Ky fakt është përdorur nga anëtari i Kryesisë së LDK’së, Eqrem Kryeziu, i cili kishte thënë se Behgjet Pacolli nuk e ka shkelur Kushtetutën sepse “nuk është President”.
Por, të mërkurën Lideri i LDK’së tha krejt diçka tjetër.
“Aktualisht z. Pacolli është President, sepse është zgjedhur me shumicën e votave në Kuvendin e Republikës së Kosovë”, ka thënë Kryetari i LDK’së, Isa Mustafa.