E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dako: Jam kundër importimit të plehrave

Në një takim me shoqata ambientaliste kryebashkiaku i Durrësit ka folur edhe për çështjen e TEC-it

Durrës Problemet e mjedisit kanë qenë në qendër të një takimi që kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, ka zhvilluar me disa organizata joqeveritare mjedisore të grupimit Ekolëvizja dhe qytetarë të Durrësit. Gjatë këtij takim, i cili është zhvilluar në formën e bashkëbisedimit, kryebashkiaku Dako jo vetëm ka informuar për projektet e bashkisë në tërësi, duke u përqendruar kryesisht te mjedisi, që është një nga fushat më të ndjeshme për shoqërinë civile, por u është përgjigjur edhe shumë pyetjeve të bëra nga të pranishmit në këtë takim. Në këtë takim me qytetarë dhe shoqata mjedisore është folur gjerësisht edhe në lidhje me TEC-in, ku kryebashkiaku Dako ka marrë falënderime të shumta për qëndrimin e tij dhe të Bashkisë së Durrësit kundër TEC-it, gjë që kryebashkiaku Dako e ritheksoi duke shprehur edhe një herë qëndrimin e palëkundur të tij dhe të bashkisë që ai drejton, kundër ndërtimit të TEC-ve në Durrës. Po kështu, Dako i është përgjigjur interesimit të qytetarëve dhe ekologjistëve që merrnin pjesë në takim edhe në lidhje me ligjin për importin e plehrave ku kryebashkiaku Dako ka shprehur edhe qëndrimin e tij: “Unë jam kundër importit të plehrave në vendin tonë. Por ajo që dua të theksoj është se përpara se të miratohen të tilla ligje duhet bërë një transparencë deri në detaje. Kjo transparencë duhej të ishte bërë me qëllim që të shikohej përfitimi i ekonomisë nga kjo histori, por edhe dëmi që i shkaktohej asaj. Ka disa vende të botës ku plehrat përpunohen nga industri modern tepër të zhvilluara, ndërkohë që në vendin tonë nuk besoj të ketë një industri përpunimi plehrash të zhvilluar dhe transparencë duhej bërë edhe në këtë drejtim, pra sa kapacitete ka Shqipëria për të bërë këtë përpunim plehrash. Pikërisht duke mos patur transparencë në këtë drejtim, si dhe një industri të mirëfilltë për përpunimin e plehrave, mendoj se nuk duhej pranuar importi i plehrave dhe siç e thashë unë jam kundër. Natyrisht për probleme të tilla janë të nevojshme edhe nismat qytetare, madje jo vetëm për problem kaq të mëdha, por nismat qytetare duhet të jenë intensive edhe për problemet më të vogla që lidhen me mjedisin, sepse vetëm kështu arrijmë ta mbrojmë atë.”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›