E Diel, 1 Nëntor 2026

Nënshtetësia italiane, rregullat e reja që duhet të plotësoni



Artan CENA
ROMË - Italia ka ndryshuar mënyrën e dhënies së nënshtetësisë për personat që kanë aplikuar, mes të cilëve dhe emigrantët shqiptarë. Kjo gjë është bërë e ditur pak ditë më parë kur në fuqi ka hyrë dekreti i sigurisë. Dekreti mbi sigurinë në këtë mënyrë ka sjellë edhe shtrëngime në marrjen e shtetësisë italiane, të cilave nuk u shpëtojnë as ata që kanë paraqitur kërkesat më parë dhe që presin përgjigjen e Prefekturave. Ligji nr. 94 i 15 korrikut 2009 me "Dispozita në çështjet e sigurisë publike", i njohur ndryshe si paketa e sigurisë, ka sjellë, mes të tjerash, ndryshime thelbësore në normat mbi marrjen e shtetësisë italiane. Para ardhjes në fuqi të këtij ligji (më 8 gusht 2009), bashkëshorti i huaj i shtetasit italian mund të paraqiste kërkesë për marrjen e shtetësisë për martesë pas gjashtë muajve rezidencë të rregullt në Itali nga data e lidhjes së martesës. Madje, nëse më pas ndodhte ndarja e bashkëshortëve, praktika për njohjen e shtetësisë shkonte përpara, pasi ishte e mjaftueshme - nga çka parashikonte ligji në fuqi - që kushtet të plotësoheshin vetëm në çastin e paraqitjes së kërkesës gjë që u jepte të interesuarve njëfarë "të drejte të fituar".
Ndryshimet
Me ndryshimet e ardhura në fuqi më 8 gusht 2009 është zgjatur koha e martesës pas së cilës shtetasi i huaj mund të paraqesë kërkesë për shtetësi për martesë me shtetas italian. Nga gjashtë muaj kalohet në dy vjet rezidencë, por ky afat përgjysmohet në rast se çifti bëhet me fëmijë, qofshin këta edhe të adoptuar. Nëse pas paraqitjes së kërkesës në Prefekturë për njohjen e shtetësisë italiane ndodh ndarja apo zgjidhja e martesës, praktika e shtetësisë hidhet poshtë, pasi normat e reja përcaktojnë - dhe kjo është risia më e rëndësishme - që martesa duhet të jetë e tillë deri në çastin e njohjes së shtetësisë nga Ministria e Brendshme. Një risi tjetër është edhe fakti që nuk do të mund të vetëcertifikohet më statusi familjar, rezidenca, apo të tjera kushte, por i duhen bashkangjitur kërkesës dokumentacioni i nevojshëm (certifikata të zyrave të Gjendjes civile) që dëshmon këto fakte. Në rast se ky dokumentacion nuk paraqitet, kërkesa nuk do të pranohet (kjo vlen edhe për shtetasit komunitarë). Vetëcertifikimet nuk do të pranohen më qoftë për kërkesat e shtetësisë për martesë qoftë për ato për natyralizim.
Pagesat
Me normën e re parashikohet gjithashtu edhe kontributi prej 200 eurosh për të gjitha kërkesat për shtetësi (për cilindo motiv qofshin) që paraqiten nga 8 gushti 2009 e këtej. Meqë ministria e Brendshme ende nuk ka përcaktuar mënyrat e kryerjes së derdhjes së shumës, kërkesat e shtetësisë po pranohen "me rezervë", që do të thotë se të gjithë ata që po dorëzojnë kërkesat për shtetësi do të mund ta bëjnë normalisht këtë gjë, por do të njoftohen më pas se si e kur të paguajnë 200 eurot.

Si do të veprohet me kërkesat e vjetra?
Nuk mund të mendojë se ka shpëtuar kush ka paraqitur kërkesë për shtetësinë para ardhjes në fuqi të ligjit 94/2009. Surpriza aspak të mira ka edhe për ata që janë në pritje të një përgjigjeje nga Prefektura prej shumë kohësh. Këtë herë, ministria e Brendshme është treguar shumë e shkathët. Madje dy ditë para ardhjes në fuqi të normave të reja ajo u ka lëshuar një qarkore (më datë 6 gusht 2009) të gjitha Prefekturave ku sqaron se si duhet vepruar me praktikat e paraqitura përpara dhe me ato të paraqitura pas datës 8 gusht 2009. Praktikat e paraqitura prej mëse dy vjetësh (që është edhe afati ligjor për përmbylljen e praktikës së shtetësisë), duhet të vazhdojnë t'i nënshtrohen normave të vjetra, në fuqi kur janë paraqitur këto praktika. Madje në rastin e praktikave të shtetësisë për martesë, ministria sqaron se ato duhet të mbyllen "me dekretin e njohjes së shtetësisë italiane pasi, pas dy vjetëve, bashkëshorti i huaj ka fituar të drejtë të plotë subjektive të shtetësisë dhe kjo nuk mund t'u mohohet më (sipas nenit 6 të ligjit nr. 91/1992)".
Ndërsa për praktikat e paraqitura gjatë dy vjetëve të fundit para ardhjes në fuqi të normave të reja (nga 8 gusht 2007 deri më 7 gusht 2009) duhet të aplikohen normat e reja. Në rastin e shtetësisë për martesë, duhet të verifikohet nëse në datën e ardhjes në fuqi të ligjit kërkuesi përmbush kushtin e dy vjetëve rezidencë në Itali pas datës së martesës si dhe, më pas, fakti që martesa është ende e vlefshme në çastin e njohjes së shtetësisë (me anë të një certifikate të re martese).
Për më tepër kërkuesit e shtetësisë për martesë që kanë paraqitur kërkesën dy vjetët e fundit para ardhjes në fuqi të normave të reja duhet të paraqesin edhe të gjithë dokumentacionin në origjinal që kanë vetëcertifikuar në çastin e paraqitjes së kërkesës (certifikatë rezidence, të çështjeve penale hapura dhe të kartotekës së gjykatës etj.).
Gjithashtu ministria ka nxjerrë edhe modularët e rinj që duhen përdorur këtej e tutje për paraqitjen e kërkesave të shtetësisë. Janë të ngjashëm me të mëparshmit, por mes dokumenteve që i duhen bashkëngjitur kërkesës numërohen të gjitha ato që më parë mund edhe të vetëcertifikoheshin si dhe dëshmia e derdhjes së 200 eurove.

Kategoritë
Marrja e shtetësisë bëhet pas një periudhe të caktuar, që është e ndryshme për kategori të ndryshme të huajsh. Kështu: për shtetas jokomunitarë, koha e qëndrimit duhet jetë të paktën 10-vjeçare; për shtetas komunitarë, koha e qëndrimit duhet jetë të paktën 4 vjet; për refugjatë politikë apo të paatdhe, koha e qëndrimit duhet jetë të paktën 5 vjet; për persona në moshë madhore të adoptuar nga shtetas italianë, të paktën 5 vjet nga data e adoptimit. I huaji, të cilit njëri prej prindërve apo njëri nga paraardhësit (deri te stërgjyshërit) ka lindur në Itali, merr shtetësinë italiane nëse në çastin e mbushjes së moshës 18 vjeç është rezident në Itali prej të paktën dy vjetëve. Në këtë rast, ama, duhet të deklarojë para se të mbushë 19 vjeç që dëshiron të bëhet italian. Ndërsa i huaji i lindur në Itali merr shtetësinë nëse ka qenë rezident, pa ndërprerje, deri në mbushjen e moshës madhore (18 vjeç), por edhe në këtë rast duhet të shprehë, para se të mbushë 19 vjeç, vullnetin për t’u bërë shtetas italian.

Koha e qëndrimit
Konsiderohet legalisht rezident në territorin italian ai që banon aty dhe që ka respektuar gjithnjë normat lidhur me hyrjen dhe qëndrimin në Itali dhe ato të regjistrimit në zyrën e gjendjes civile të komunës. Kjo do të thotë që nuk është e mjaftueshme të ketë pasur lejen e qëndrimit për të gjithë periudhën e përcaktuar si më lart; ligji parashikon shprehimisht që i huaji të jetë rezident, pra i regjistruar në zyrën e gjendjes civile në mënyrë të vazhdueshme për të gjithë periudhën, për të pasur të drejtën e paraqitjes së kërkesës për marrjen e shtetësisë. I interesuari mund të kontrollojë nëse ka apo jo rezidencë të pandërprerë duke kërkuar pranë komunës ku banon certifikatën historike të rezidencës.

Sa duhet të jenë të ardhura për të marrë shtetësinë italiane
Shtetasit e huaj rezidentë në Itali që kërkojnë shtetësinë sipas nenit 9, paragrafi 1, të ligjit 91/1992, pra për natyralizim, përveç kushtit të viteve të rezidencës duhet të plotësojë edhe kushtet minimale të të ardhurave. Edhe pse ligji mbi shtetësinë nuk thotë asgjë mbi të ardhurat, me dekretin e 22 nëntorit 1994, të modifikuar në vitin 2002, ministria e Brendshme ka vendosur që, për të ardhurat që duhet të konsiderohen për njohjen e shtetësisë italiane, duhen marrë si pikë referimi të ardhurat e të interesuarit gjatë tre vjetëve të fundit dhe të deklaruara në mënyrë të rregullt me anë të CUD-it, modelit unik apo 730. Bashkëpunëtorët familjarë që nuk kanë detyrimin të bëjnë deklaratën e të ardhurave mund të dorëzojnë një deklaratë zëvendësuese të CUD-it të përpiluar nga punëdhënësi, që dëshmojë rrogën mujore dhe vjetore bashkë me fotokopjet e kontributeve INPS të derdhura gjatë tre vjetëve të fundit dhe me fotokopjen e dokumentit të identitetit të punëdhënësit. Dhënia e shtetësisë italiane për natyralizim është fryt i një pushteti vetëgjykimor të administratës që, në fakt, shqyrton kapacitetin ekonomik të të interesuarit, ose e thënë me fjalë të tjera, që kërkuesi të ketë mjete të mjaftueshme për të mbajtur veten në mënyrë që të mos rëndojë në kurriz të kolektivitetit. Ministria e Brendshme, për dhënien e shtetësisë, falë pushtetit vetëgjykimor, ka marrë si pikë referimi për të ardhurat, sentencat e shumta të Këshillit të Shtetit; ka vendosur që kërkuesi duhet të ketë të ardhura jo më të ulëta se 8.300 euro, pikërisht kufirin e parashikuar për përjashtimin nga pjesëmarrja në shpenzimet shëndetësore. Në çastin e paraqitjes së kërkesës së shtetësisë duhen bashkëngjitur kopjet e modeleve fiskale dhe të kuponit të dërgesës telematike në Agjencinë e të Ardhurave.
Në rastin kur ai që kërkon shtetësinë nuk përmbush kushtin e kapacitetit ekonomik, me fjalë të tjera nëse i interesuari nuk arrin me të ardhurat e tij shumën 8.300 euro në vit mbahet parasysh edhe kapaciteti ekonomik i të gjithë bërthamës familjare, pra të ardhurat vjetore të secilit pjesëtar të familjes. Në këtë rast kërkesës i bashkëngjiten edhe dokumentet fiskale të familjarëve. Ligji parashikon që shtetësia italiane, në rast se plotësohen të gjitha kushtet, duhet të jepet (apo të mohohet) brenda 735 ditëve nga paraqitja e kërkesës. Është e rëndësishme që prefekturës ku është paraqitur kërkesa t’i nisen çdo vit me postë rekomandè me lajmërim marrjeje, ose të dorëzohen duke shkuar personalisht dokumentet fiskale të përditësuara.

24 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›