E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sërish “rrjedh” KEK-u, zbatohen reduktime të ashpra

Ndonëse është koha e verës dhe konsumi i energjisë elektrike nuk është i lartë sikurse gjatë sezonit të dimrit, Korporata Energjetike e Kosovës serish aplikon reduktime të ashpra për konsumatorët e saj. Blloku B2 i TC “Kosova B” ka dalë nga sistemi në ora 7.53, si rezultat i rrjedhjes në kazan, pas të cilës janë aplikuar reduktime të ashpra të furnizimit me energji elektrike.

Nezir Sinani, zyrtar pranë Departamentit për Komunikim të KEK-ut, ka thënë për Kosovapress se pas rënies nga sistemi të njësisë B2 është siguruar import emergjent prej 140 megavat energji elektrike.

“Furnizimi i konsumatorëve po bëhet sipas kategorisë ABC. Kategoria A furnizohet 24 me 0, kategoria B 4:2 në favor të dritës dhe kategoria C 3:3”, ka thënë ai.

Sipas tij furnizimi me energji elektrike për të gjithë konsumatorët pritet të përmirësohet pas orës 20.00, kur planifikohet rikthimi në sistem i njësisë B2.

Zyrtarët e KEK-ut nuk kanë bërë të ditur se sa është prodhimi aktual me energji elektrike në vend. /kosovapress/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›