Nëntëdhjetenëntë rrëfime
Raymond Quenaeu me ‘Ushtrimet e stilit’ (Exercises de style), i cili është një rrëfim i thjeshtë për autobusin e linjës S, provokoi aktoren, këtë rast regjisoren Ilire Vinca-Çelaj, për të jetësuar shfaqjen të emëruar “Udhëtimi”.
Regjisorja e shfaqjes, personazhet e Quenaeu i personifikon me aktorët Gojart Kqiku, Valire Haxhijaj dhe Gani Rrahmani, të cilët i shkojnë deri në fund rrëfimit që lidhet me autobusin e linjës S, të mesditës ku një djalë me qafë të gjatë ankohet që një udhëtar tjetër ia shkel këmbën dhe posa lirohet një ulëse ky ulet.
Dy orë më vonë e sheh të njëjtin njeri me një shok, i cili i thotë se duhet ta qepë një pullë në këmishën e tij. E veçanta tek ‘Ushtrimet e stilit’ apo ‘Udhëtimi’ është që ky rrëfim tregohet nëntëdhjetenëntë herë në nëntëdhjetenëntë mënyra të ndryshme dhe si duket kjo është edhe njëra nga arsyet që e motivuan regjisoren.
“Kjo është një ngjarje aq e thjeshtë për nga përbërja por është e qëllimshme sepse vet teksti ketë ngjarje e ritregon nëntëdhjetenëntë herë në stile të ndryshme dhe pikërisht ky është fakti që mua më ka provokuar shumë dhe që më është dukur tepër e përshtatshme për studentët për të diplomuar me një tekst të tillë sepse i gjithë fokusi shkon drejt mënyrës së aktrimit”, theksoi Vinca-Çelaj, gjatë konferencës.
Sipas saj, për këtë shfaqje gjatë punës tremujore, janë zgjedhur 17 stile të ndryshme në të cilat ka edhe pantomime, karaktere, rrëfime dhe gjithçka nga pak. “Pikërisht këto stile aktorëve u japin mundësi që të provokojnë imagjinatën e tyre dhe të luajnë e të aktrojnë në mënyrat më të ndryshme”, tha Vinca-Çelaj.
Regjisorja është e kënaqur me punën e studentëve të saj. Thotë se ishin me imagjinatë të bujshme dhe kanë punuar intensivisht. “Studentët ishin shumë kreativ, ka qenë një proces mjaft i gjatë i punës, tre muaj deri sa kemi arrit të dalim në skenë, mirëpo me punën e denjë të tyre, kjo shfaqje me të vërtet i ka plotësuar si aktorë profesionistë”, tha në fund, Vinca-Çelaj, për studentët e saj, të cilët kanë diplomuar pikërisht me këtë shfaqje.
Premiera e shfaqjes do të jetë sonte (e premte) në orën 20:00, në skenën e vogël të Teatrit Kombëtar të Kosovës, ndërsa repriza e shfaqjes jepet të shtunën, në kohën e njëjtë.
Shfaqja do ta ketë edhe një reprizë me datën 12 tetor, ndonëse synon të mbetet gjatë në repertor, aq sa të ketë kërkesa nga audienca.
Kjo shfaqje është Produksion i Fakultetit të Arteve –DAD dhe është përkrahur nga Teatri Kombëtar i Kosovës.