Nëntori i piktorëve të brezave të ndryshëm
Në Galerinë Kombëtare të Arteve të shtunën do të hapet ekspozita e grupimit të piktorëve ‘Nëntori’. Ky grupim i formuar pas viteve 1990, përbëhet nga piktorë të brezave të ndryshëm, që i bashkon zhanri dhe vazhdimësia e traditës së pikturës në Shqipëri. Një pjesë e tyre janë të përfaqësuar me vepra edhe në linjën muzeale të Galerisë Kombëtare në sallat: ‘Realizmi Socialist: 1960-1986 dhe ‘Piktura dhe Skulptura Moderniste: 1989-2001’. Kjo ekspozitë është e organizuar nga vetë grupimi. Në të marrin pjesë 29 artistë dhe do të ekspozohen rreth 50 punime në pikturë. Artistët pjesëmarrës janë: Agim Zajmi, Agron Mesi, Aleksandër Filipi, Adrian Devolli, Andi Hila, Bashkim Dervishi, Besim Tula, Brikena Berdo, Buron Kaceli, Eniela Vevecka, Gazmend Leka, Gjergji Marko, Hasan Çapari, Hasan Nallbani, Ksenofon Dilo, Kujtim Buza, Llazar Myzeqari, Llazar Taci, Ledia Kostandini, Merita Selimi, Nikolin Ivanaj, Pashk Përvathi, Petro Kokushta, Qirjako Meniko, Robert Guci, Sali Shijaku, Stefan Taci, Zef Shoshi dhe Vilson Kilica. Kuratorë të ekspozitës janë Aleksandër Filipi dhe Adrian Devolli. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më datë 16 dhjetor 2011.