Nepal, 13 të vdekur nga orteku

Orteku i rënë në një prej maleve të Nepalit, ka shkaktuar vdekjen e të paktën 13 personave. Tragjedia e rëndë ndodhi në malin Manaslu, që është edhe maja e tetë më e lartë e botës dhe ndodhet në veriperëndim të Nepalit. Në malin e lartë 8. 163 metra e që gjendet në zonën e Himalajeve, fatmirësisht 12 alpinistë mundën të shpëtonin. Pjesa më e madhe e viktimave të ortekut të regjistruar në orët e mëngjesit, janë me shtetësi franceze.
Lajmi është konfirmuar nga zv.presidentja e shoqatës së alpinistëve në Nepal, ndërsa konfirmoi se pjesë e viktimave janë edhe shtetas spanjollë, italianë dhe gjermanë. Mediat raportojnë se nën ortek mund të kenë mbetur edhe persona të tjerë. Sipas detajeve që janë bërë publike nga incidenti, raportohet se një copë akulli nga mali është shkëputur dhe ka rënë në kuotën 7.000 metra, në kohën që të gjithë alpinistët ishin duke fjetur nëpër çadra.
Mali Manaslu, ndodhet rreth 100 km në veriperëndim të Kathmandu-së. Fakti që tragjedia ndodhi në lartësinë e 7000 metrave, bëri që edhe operacioni i shpëtimit të vështirësohej së tepërmi. Qindra alpinistë shkojnë çdo vit në Himalaje për të ngjitur malet e larta. Shtatori shënon edhe nisjen e sezonit vjeshtor të alpinizmit që zgjat deri në nëntor.