Nikolliç në Nju Jork, në qendër dialogu me Kosovën

Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikolliç, ka udhëtuar drejt Nju Jorkut, për të marrë pjesë në sesionin plenar të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Siç raportojnë mediat serbe, Nikolliç do të takojë përfaqësues të lartë shtetesh, në mesin e tyre edhe sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon, me të cilin do të diskutojë çështjen e Kosovës.
Në Nju Jork, Nikolliç pritet të takojë edhe shefen për politikë të jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton.
“Nikolliç dhe Ashton do të diskutojnë `procesin politik` ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”, shkruajnë mediat serbe, duke u thirrur në deklaratat e këshilltarit të Nikolliçit, Marko Gjuriç.
Në Prishtinë dhe Beograd, së fundmi po zhvillohen debate për nisjen e një dialogu politik mes palëve. Autoritetet e të dyja vendeve po bëjnë përpjekje të arrijnë konsensus ndërpartiak për bisedimet e tilla.