E Diel, 1 Nëntor 2026

Nepravishta: Cez të kompensojë qytetarët për mbifaturimet

TIRANË- Kreu i Entit Rregullator të Energjisë, Bujar Nepravishta, i kërkoi të mërkurën kompanisë CEZ që të kompensojë qytetarët për mbifaturimet.

Duke bërë prezent raportin vjetor të ERE-s për vitin 2010 në komisionin parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese, Nepravishta theksoi se kompensimi i qytetarëve nga kompania CEZ duhet të bëhet sa më parë.

Sipas këtij raporti, gjatë vitit të shkuar CEZ shpërndarje nuk ka qenë korrekt në faturimin e energjisë, duke abuzuar ndjeshëm me sasinë e konsumuar.

"Gjatë muajve nëntor dhe dhjetor, operatori i shpërndarjes, duke përdorur termat dëm ekonomik dhe energji e pamatur në 20 mijë fatura të prera për këtë periudhë, ka penalizuar me 4 mijë kilovat orë energji konsumatorët familjarë dhe me 20 mijë kilovat orë energji ata jo familjarë".:- nënvizoi kreu i Entit Rregullator të Energjisë Bujar Nepravishta.

Duke e cilësuar si pozitiv vitin 2010 për prodhimin e energjisë, Nepravishta theksoi se gjatë këtij viti u prodhua 7.7 miliard kë/orë, ndërsa shtoi se janë siguruar 120 milionë euro nga shitja e energjisë. 

(e.m/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›