E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nëpunësi Civil si produkt partiak

Në hirearkinë shtetërore, në frymën e kushtetutës dhe në piramidën e simboleve të shtetit, vendi i administratës zyrtare është e mbetet, një nga komponentët më të rëndësishëm. Një administratë e pavarur, e qëndrueshme dhe profesionale mund të jetë një garanci e funksionimit të shtetit edhe kur segmente të tjera me vlerë, siç janë partitë politike, provokojnë apo krijojnë situata krize. Një shembull i suksesit administrativ është Italia, vend ku brenda pesë dekadash u ndryshuan 48 qeveri, por në nivelin e mesëm, ku politika ia lë vendin veprimit, ligjit, përgjegjësisë dhe stabilitetit, ndryshimi i qeverive nuk solli ndryshime. Një shembull ilustrues është kreu i tatimeve dhe i policisë në Romë, funksion i ushtruar nga të njëjtit persona përkatësisht gjatë 17 dhe 21 vjetëve. Shembuj të tillë gjenden me shumicë edhe në modelet amerikane, britanike, gjermane, franceze dhe përgjithësisht, në vendet me demokraci funksionale. Një panoramë shumë më e ndryshme paraqitet në vendet ish komuniste dhe sidomos në vende si Shqipëria, ku nuk ka ende një kufi të qartë midis vijës kur mbaron tranzicioni dhe ku fillon demokracia funksionale. Kjo është arsyeja që prej vitit 2003, të gjitha Raportet e Progresit të BE mbi Shqipërinë vënë theksin në sfidën e vendit tonë për krijimin e një administrate zyrtare, të aftë, të pavarur dhe profesionale. Natyrisht që zhvillimet në administratë nuk mund të jenë në kontrast të thellë me zhvillimet politike, pra që ato janë e mbeten pjesë e stadit shoqëror, e mënyrës sesi zhvillohet politike dhe ecën shoqëria, e mentalitetit dhe e nivelit të kulturës politike dhe ligjore. Megjithatë, rasti shqiptar mbetet i vecantë sepse është ndër rastet e vetme në Europën Lindore, ku procesi i krijimit të administratës reale riciklohet çdo dy ose katër vjet. Shqipëria nuk ka traditë administrative. Me pak përvojë gjatë viteve 20, me një model efektiv por jo afatgjatë gjatë mbretërisë së Zog, administrata u përball me pushtimet / spastrimet politike gjatë gjithë viteve 1939-1991. Fillimisht nga pushtuesit me kritere kombëtare dhe më pas regjimi komunist me kritere të qarta politike. Në sistemin komunist administrata konsiderohej e besuar e regjimit, një privilegj së pari biografik e politik dhe më pas profesional dhe teknik. Ky raport konsiderohej mëse normal në kushtet kur vendimet politike merreshin nga Byroja Politike, Komiteti Qendror, Komitetet e Partisë, Komisarët dhe sekretarët e organizatave të partisë, organe në të cilat një pjesë e madhe e drejtuesve ishin pa arsim të lartë dhe pa merita profesionale. Më 1991 procesi i depolitizimit të administrratës ishte sa formal aq edhe pa përmbajtje. Ligji detyronte të gjithë punonjësit e administratës të paraqesin një deklaratë me shkrim ku të deklarohet se nuk bëjnë pjesë në asnjë parti, organizatë apo shoqatë politike. Me këtë akt formal u premtua administrata reale, e cila më 1992 u ndesh me një fushatë spastrimesh politike nën motivimin e qëndrimit ndaj reformave. Vendin e nëpunësve por edhe të një pjese të madhe të ekspertëve e zunë listat e militantëve, të cilët për arsye të kuptueshme nuk kishin përvojën dhe formimin e duhur profesional. Më 1997 fenomeni u riciklua dhe në emër të meritokracisë administrata u spastrua nga demokratët dhe u zëvendësua nga militantë të majtë sipas kontributeve të dhëna në fushatë elektorale. Në aspektin ligjor, ligji i vitit 1996 për shërbimin civil nuk gjeti asnjëherë zbatim, kurse ligji i vitit 1999 mbi Statutin e Nëpunësit Civil, edhe pse me parime e nocione bashkëkohore, ende vijon të qëndrojnë në periferi të procesit rekrutues dhe promovues të administratës. Kushtetuta 1998, me parimin e saj thelbësor të ndarjes dhe të balancës së pushteteve, përcakton ndarje të qartë midis institucioneve politike dhe atyre publike. Në interpretim të saj, postet politike në hirearkinë shtetërore (deputetë, ministra, zv/ministra, këshilltarë dhe kabinete) u ndanë nga administrata civile (sekretarët e përgjithshëm, drejtorët dhe specialistët). Kjo do të thotë, ashtu sic ndodh edhe në SHBA, Gjermani apo Britani, ndryshimi i qeverisë dhe sjell edhe ndryshim të stafeve politike. Kurse procesi rekrutues, monitorues dhe promovues në administratë qëndron edhe më tej i shkëputur nga procesi politik, i bazuar në merita vetëm profesionale dhe apolitike. Në Shqipëri, ky parim kushtetues dhe kjo përvojë perëndimore, vijojnë të jenë ende një mollë e ndaluar. Ne kemi krijuar dhe vijojmë të mbajmë në këmbë një model antiligjor dhe në thelb, edhe kushtetues, sipas të cilit, jo vetëm rotacioni politik, por edhe ndryshimet e qeverive dhe ministrave të së njëjtës parti, sjellin ndryshime thelbësore edhe në nivelin e administratës publike. Gjatë viteve 1999-2005 administrata qëndrore u ndryshuar të paktën tre herë, aq sa herë u krijuan dhe ranë edhe kabinete qeveritare të drejtuara nga PS. Pas 2005 administrata pësoi ndryshime tërësore, fillimisht në emër të rotacionit, dhe më pas në emër të reformës. Ndryshime drastike u shënuan në rrafsh horizontal (ndryshimi i ministrave) dhe në atë vertikal (drejtori dhe institucione varësie) edhe në rastet e ndryshimit të ministrave brenda të njëjtës qeveri, ose të ndryshimit të partnerëve qeverisës. Cdo parti aleate pati hapësirë të shkarkojë stafet dhe drejtuesit e institucioneve të varësisë për ti zëvendësua ata me besnikë të ardhur nga lista e saj elektorale. Fenomeni u përsërit edhe në rast se një parti aleate ndryshoi ministri, e gjithë struktura administrative militante u zhvendos nga një ministri në tjetrën, një proces tërësisht antiligjor dhe antikushtetues. Më 2009 kabineti i ri qeveritar u krijua mbi bazën e një marrëveshjeje të re, sipas të cilës partneri i dytë qeveritar fiton 20% të vendeve në administratën e lartë shtetërore dhe institucionet e linjës ekzekutive. Në një vend normal europian, anëtar të BE-së, koalicionet partiake marrin poste (ministër, zv/ministër) dhe asnjëherë nuk pranojnë as ta mendojnë idenë e ndarjes së posteve administrative. Tek ne të dhënat janë mëse dramatike. Vetëm gjatë tre muajve të fundit janë shkarkuar / emëruar 5 sekretarë të përgjithshëm, 16 drejtorë të përgjithshëm, rreth 43 drejtorë drejtorie dhe të institucioneve qendrore. Një pjesë e madhe e tyre janë ish zyrtarë të pushuar në vite (edhe nga qeveritë e demokratëve) për korrupsion, por që sot bëjnë pjesë në partinë e majtë aleate në qeveri; një pjesë tjetër edhe pse nuk ka pasur më parë përvojë administrative për shkak të koalicionit dhe meritave politike merr detyrën e drejtuesit të lartë në ministritë dhe institucionet e linjës; një pjesë gjithashtu e madhe, për shkak të kuotave në poste të lira është e detyruar të ushtrojë përgjegjësi në funksione për të cilat nuk kanë as arsimin përkatës. I gjithë ky proces kundër rrjedhës ligjore dhe nevojave reale të administratës publike plotësohet dhe legjitimohet pikërisht nga institucionet që kushtetuta dhe ligji ngarkon për moslejimin e tij. Departamenti i Administratës Publike në vend që të bllokojë zhvillime të tilla dhe të kërkojë procedura tërësisht ligjore dhe konkurruese, i pranon ato, bëhet pjesë e tyre dhe në emër të standardeve të reja administrative, pranon madje të bëjë shpallje e të zhvillojë konkurse fiktive emërimi të nëpunësve civilë. Kështu, në një vëzhgim nga ISP rreth 85% e konkurseve për vende pune të publikuara në media dhe në DAP janë fiktive. Në 70% të rasteve fituesi është përcaktuar, duke u emëruar paraprakisht në detyrë nga titullari (ministër) dhe për pasojë, për zhvillimin formal të konkursit gjenden persona fiktivë që hyjnë në garë vetëm sa për ta bërë atë legjitime. Dhe kjo ndodh, kur 85% e të diplomuarve në Universitetin e Tiranës dhe universitetet e tjera rezultojnë të kenë probleme punësimi dhe vetëm 10% e tyre arrijnë të gjejnë një punësim në përputhje me fushën e diplomimit të tyre. Raporti i fundit i ODIHR/OSBE nxori në pah edhe aspektin tjetër negativ të përdorimit të administratës për qëllime politike, siç ishin urdhërimi nga qeveria apo institucionet politike të administratës për pjesëmarrje në mitingje elektorale dhe aktivitete të tjera partiake. Presionet politike ndaj administratës shfaqen edhe në formën e mohimit të të drejtave të saj. Kështu, jashtë çdo të drejte ligjore dhe kushtetuese, vazhdimisht shohim e dëgjojmë titullarë që penalizojnë kolektivisht administratën e tyre, urdhërojnë që ajo të punojnë pa shpërblim në ditët ligjore të pushimit apo pas orëve të punës, që akuzojnë kolektivisht stafet administrative dhe e detyrojnë atë të privohen nga e drejta ligjore e pagesës së rregullt, shpërblimit, trajnimit, etj. Natyrisht që administrata e vërtetë, civile, e pavarur dhe profesionale, është një sfidë, sfida më e vështirë dhe më e rëndësishme. Ajo nuk krijohet për një ditë, për një mandat qeveritar dhe as për një dekadë, por gjithsesi, ajo që ka ndodhur e po ndodh, në qeveritë e majta e të djathta, në qeverinë qendrore ku drejtojnë demokratët me aleatë e tyre ose në qeverinë lokale ku drejtojnë socialistët me aleatët e tyre, është mbajtja në këmbë e mentalitetit antiligjor të administratës militante dhe presionit politik si parakusht për karrierë, sukses dhe promovim. Në këto rrethana secili qytetar ka të drejtë të vejë në dyshim vullnetin dhe angazhimin real të partive politike drejtuese në institucione qendrore e vendore, për shtetin e së drejtës, reformën administrative dhe përmbushjen e kritereve publike të anëtarësimit për në BE. Sepse një parti ose një politikë që e sheh dhe e trajton shtetin si pronën e tij, që e sheh dhe e trajtoj kushtetutën si një akt moral jodetyrues dhe që në emër të reformës, meritokracisë, antikorrupsionit apo integrimit bën publikisht të kundërtën e asaj që përcakton ligji dhe kushtetuta, nuk ka dhe nuk mund të ketë aftësi, përgjegjësi e mentalitet real reformash që të mund të shkurtonin tranzicionin shqiptar e të afronin realisht standardet tona demokratike me ato të demokracive funksionale evropiane.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›