Mejtepi modern

Universitet i ri, me staf të ri, për njerëz të rinj. Kjo është moto e Universitetit të Prizrenit. Mbi këtë bazë, konkursi për rektor tashmë është shpallur.
Një bord i përbërë nga ekspertë kosovarë dhe austriakë të arsimit të lartë do të përzgjedhin rektorin e ri, i cili mund të jetë edhe ndërkombëtar. Universiteti i Prizrenit sipas ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, do të ofrojë atë që universitet e tjera nuk e ofrojnë.
Për herë të parë në Kosovë, të rinjtë mund të studiojnë lëndë të përziera. Lëndët shumë të hapura dhe të përgjithshme do të zëvendësohen me lëndë specifike. Kështu, sipas ministrit, do të krijohen kuadro të reja, të cilët nuk do të quhen më akademikë të papunë.
“Universiteti publik i Prizrenit synon të ofrojë drejtime studimi që lidhen me nevojat e ekonomisë së tregut. Do të jenë katër fusha të para që do të ofrohen. Qasja e fushave do të jenë interdiciplinare”, thotë ministri Hoxhaj.
Universiteti i Prizrenit pritet të themelohet nga njerëz të rinj, që kanë studiuar brenda dhe jashtë Kosovës. Ministria e Arsimit tashmë ka identifikuar rreth 400 të rinj, që kanë marrë tituj të ndryshëm akademikë. Ata, sipas ministrit Hoxhaj, do të ftohen të jenë pjesë e ndërtimit të Universitetit të Prizrenit.
Ai thotë se Universiteti i Prizrenit duhet ta ketë stafin e tij, e jo të marrë nga Universiteti i Prishtinës apo nga bartës të arsimit të lartë privat. Hoxhaj shton se ky universitet duhet të ketë kohezion, koherencë dhe të ketë shpirt të ri qysh në themelimin e tij.
“Stafi i ri që do të punësohet do të jetë kryesor. Rritja e pagave, që do të jetë një mijë euro, për një të ri që planifikon karrierë akademike, është mjaft atraktive që ta shohë karrierën në Universitet të Prizrenit. Ne do të dalim edhe me masa të tjera stimuluese. Është edhe ndërtimi i autosreadës nga Vërmica drejt Prishtinës, që e bën atraktiv këtë universitet”, shton Hoxhaj.
Rreth 20 hektarë tokë janë ndarë nga Komuna e Prizrenit për të ndërtuar Universitetin e Prizrenit. Themelimi i partneritetit me Austrinë dhe vende të tjera të Evropës, sipas ministrit Hoxhaj, do ta shndërrojnë Universitetin e Prizrenit në një institucion modern.
“Personalisht kam komunikuar me disa ministra të Arsimit, me disa rektorë të shteteve të ndryshme të Evropës, ngase qasja e themelimit të këtij universiteti synohet të jetë shumë akademike dhe perëndimore”, vlerëson ai.
Sipas tij, është me rëndësi që qysh në fillim të iniciohen standarde shumë të larta, në themelimin e këtij universiteti.
Ndërkohë, Dukagjin Pupovci, ekspert i arsimit, vlerëson se Kosova ka shumë nevojë për arsim të lartë. Megjithëkëtë, ai ka drojë që për funksionalizimin e këtij universiteti mungon stafi i kualifikuar akademik.
“Së pari, konsideroj se nevoja për arsim të lartë ekziston. Edhe në atë aspekt nuk mund të thuhet se nuk ka nevojë që në Prizren të ketë një universitet. Problemi kryesor është stafi akademik, i cili edhe në Universitetin e Prishtinës mungon”, shton Pupovci.
Sipas tij, nëse ofrohen kushte për të rinjtë, ata do të jenë gatshëm edhe të kthehen në Kosovë dhe të punësohen në këtë universitet.
Edhe për studime me lëndë të përziera, Pupovci thotë se do të ishte shumë e dobishme nëse edhe në Kosovë mund të futet diçka e tillë.
“Kjo nuk do të thotë që në një universitet më të vogël, siç do të ishte Universiteti i Prizrenit, diçka e tillë të jetë e pamundur, nëse prej fillimit aplikohet një sistem i tillë. Por kjo prapë kërkon njerëz të kualifikuar, edhe kërkon thjesht interesimin e të rinjve që të studiojnë dy fusha paralelisht. Në njërën thellohen pak më shumë, e në tjetrën më pak”, thekson Pupovci.
Shumë më skeptik është Jonuz Salihaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Ai dyshon se deri në shtator, Universiteti i Prizrenit mund të funksionalizohet. “Deri në shtator dyshoj që do të jetë funksional. Unë dëshiroj që të realizohet, por nuk do të jetë e lehtë”, thotë Salihaj për Express.
Austria ndihmon ngritjen e Universitetit të Prizrenit
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka pritur të premten sekretarin e Shtetit të Austrisë, Reinhold Lopatka, i cili premtoi ndihmën e shtetit austriak për ngritjen e Universitetit të Prizrenit. Kuçi ka thënë se gjatë takimit ka marrë zotimin që do të ketë investim edhe për Universitetin e Prizrenit nga shteti i Austrisë dhe ngritjen e këtij universiteti të ri.