E Diel, 1 Nëntor 2026

“Nëse drafti nuk ndryshon gjatë votimit, padi në Kushtetuese”

 

TIRANE – Miratimi pa ndryshime i draftit për ndryshime në ligjin e Prokurorisë dje në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, ka shkaktuar menjëherë reagimin e organit të akuzës dhe prokurorëve. Këta të fundit mësohet se kanë kundërshtime të forta lidhur me nenin e projektligjit, i cili nuk parashikon kthim në punë për prokurorët e shkarkuar padrejtësisht. Burimet zyrtare të Prokurorisë konfirmojnë qëndrimin kundërshtues ndaj përmbajtjes së draftit, ndërsa më tej, jo zyrtarisht konfirmohet se në rast se drafti kalon pa ndryshime në seancën e votimit në Parlament, atëherë ai do të kundërshtohet në Gjykatën Kushtetuese. “Nëse drafti kalon në seancën e votimit pa ndryshime, prokurorët e këtij vendi nuk kanë asnjë garanci nga shkarkimi i padrejtë, nga incidentet në rrugë apo nga kontrolli politik i ministrit të Drejtësisë”, thanë burimet e akuzës. Sipas tyre, për këto shkaqe ligjore nëse miratohet në përmbajtjen aktuale, drafti do të paditet në Gjykatën Kushtetuese, ku do të kërkohet shfuqizimi i tij. Burimet zyrtare të akuzës, por edhe vetë prokurorët vlerësuan se ligji në tërësi është pozitiv, porse thanë se nenet për imunitetin, kontrollin e ministrit të Drejtësisë dhe moskthimin në detyrë në rast shkarkimi të padrejtë paraqesin rrezik dhe problematikë serioze për Prokurorinë shqiptare.                                  tr.so 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›