Lamtumirë dramaturgut nobelist Harold Pinter
U nda nga jeta një nga klasikët e teatrit botëror, fitues i çmimit "Nobel" për letërsinë, 2005, dramaturgu Harold Pinter. "Kam shkruar 29 pjesë në 50 vjet. Për mua janë të mjaftueshme". Harold Pinter e pëlqente ta përsëriste shpesh këtë frazë në vitet e fundit, teksa ishte i sëmurë prej vitit 2002. Pinter, u nda nga jeta në Londër, në moshën 78-vjeçare, ndërsa la pas vepra të mëdha, që kanë shëtitur gjithë skenat e botës, madje edhe ato shqiptare. Disa prej veprave të tij më të njohura janë "Festa e ditëlindjes", "Shërbëtori", "Gruaja e leitnantit francez", etj. Vetëm një vit më parë ia shiti arkivin e tij Librarisë britanike për 1,65 milionë euro. Ishin rreth 150 kuti me letra, dorëshkrime e fotografi. Shumë të vlefshme mes tyre kapitujt e shënjuar prej miqësisë me Samuel Beckett, me të cilin ndante pasionin e tij për briketin dhe regbinë e padyshim për teatrin.