Kievo kërkon të largojë me çdo kusht Bogdanin
JETMIR HALILAJ
Aventura e Erjon Bogdanit te Kievo mund të përfundojë në muajin janar. Sipas medias italiane, klubi veronez është në kërkim të një sulmuesi tjetër dhe menaxherët e skua-drës verdheblu janë në bisedime me disa klube të huaja për të sistemuar Bogdanin në merkaton e janarit. Sipas gazetës lokale në Veronë "L'Arena", drejtori sportiv i verdhebluve, Xhovani Sartori, është në bisedime me disa klube edhe jashtë Italisë për të larguar sulmuesin shqiptar. Ai ka pohuar se interesohet për Makinuan dhe Bonacolin, dy sulmues që sipas Sartorit, do të mund të jenë më produktivë dhe mund të shënojnë më shumë gola. Ky i fundit nuk ka pasur një ecuri të mirë, kjo edhe për shkak të problemeve fizike, të cilat nuk i kanë lejuar të bëjë maksimumin e tij. Megjithatë, Bogdani ka shprehur dëshirën që ta respektojë deri në fund kontratën që ka me Kievon, por ka bërë të qartë gjithashtu, se nëse do të largohet, atëherë nuk do ta pranonte kurrë formulën e huazimit.
Përplasjet
Lëvizjet e drejtorit sportiv të Kievos, Xhovani Sartori, nuk korrespondojnë me dëshirën që ka trajneri i kësaj skuadre, Domeniko Di Karlo. Tekniku dëshiron që sulmuesi shqiptar të qëndrojë në ekip dhe ka besim maksimal tek aftësitë e tij, por fakti që Bogdani nuk ka mundur të shënojë asnjë gol deri tani, e ka bindur drejtuesin e klubit që të veprojë edhe pa miratimin e trajnerit. Bogdani, ndërkaq nuk e ka përjashtuar mundësinë e largimit nga skuadra veroneze. Në një intervistë të dhënë për "Panorama" pak ditë më parë, bomberi ka pohuar se mund të lëvizë në merkaton e janarit. "Unë dëshiroj të qëndroj te Kievo, pasi tani jam rikuperuar plotësisht dhe e ndjej se mund të bëj shumë, por nuk e di se çfarë do të ndodhë në merkato. Nuk mund të them me bindje se do të qëndroj te Kievo, por një gjë është e sigurt: nëse largohem, këtë do ta bëj për të shkuar në një ekip akoma më të mirë, në të kundërt do të qëndroj aty", është shprehur futbollisti.