E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: PS, palë në uzurpimin e Akuzës

 

Aristir Lumezi

Lëvizja Socialiste për Integrim i konsideron të turpshme procedurat që PD dhe PS ndërmorën për miratimin e ligjit të Proku-rorisë. Kryetari i LSI-së, Ilir Meta shprehu distancimin e forcës politike që drejton, nga mënyra se si po veprojnë dy forcat kryesore politike. “Për Lëvizjen Socialiste për Integrim, është e qartë se projektligji i Berishës për Prokurorinë i kontestuar nga vetë Prokuroria dhe Shoqata e Prokurorëve nuk është gjë tjetër, por një këmbim i turpshëm për miratimin nga ana e Berishës të Kodit Zgjedhor, pa përmirësuar standardet e administrimit”, tha Meta dje gjatë një prononcimi për mediat. Duke komentuar qëndrimin e Partisë Socialiste për këtë çështje, Meta përsëriti deklaratat e kreut socialist Edi Rama, i cili është shprehur se nuk do të jepte konsensus për reformën në drejtësi. “Të gjithë ju e mbani mend Kryetarin e Partisë Socialiste, një ditë pas miratimit të Kodit Zgjedhor në Parlament, ku u shpreh qartë se reformat në drejtësi nuk do t’i bëjmë më me Berishën, se Berisha nuk synon pavarësinë e drejtësisë, po se do t’i bënte kur të vinte e majta në pushtet pas zgjedhjeve. Me të drejtë të gjithë sot mund të pyesim se çfarë ka ndodhur që Partia Socialiste është bërë palë me Berishën në përpjekjen e tij finale, përmes këtij ligji për të kontrolluar dhe uzurpuar edhe Prokurorinë e Përgjithshme?” tha Meta. LSI e konsideron ndryshimin e qëndrimit të Partisë Socialiste për ligjin mbi prokurorinë, si rrjedhojë e shantazhit që kryeministri Berisha mund të ketë bërë. “Dua t’i jap këtë mesazh zotit Rama, Kryetarit të Partisë Socialiste: Në rast se ndjehesh i shantazhuar nga Sali Berisha me kërcënimin, se ai ditën e hënë mund të bashkojë votat me LSI-në, në mënyrë që t’i japë LSI-së përfaqësimin në administrimin e zgjedhjeve, që i takon për shkak të votës së shqiptarëve dhe jo për shkak të dëshirës së LSI-së, duhet të jesh i bindur se Lëvizja Socialiste për Integrim nuk do ta bënte kurrë një gjë të tillë, për shkak të integritetit të saj të lartë moral dhe njëkohësisht për shkak të asaj që ka kërkuar që në fillim, që Kodi të ketë një gjithpërfshirje dhe konsensus maksimal”, tha Meta. kreu i LSI-së u shpreh se ligji i ri i prokurorisë dëmton rëndë prokurorinë dhe në përgjithësi funksionimin e drejtësisë. “Lëvizja Socialiste për Integrim shpreh bindjen e plotë se miratimi i këtij projektligji me këto qëllime të errëta, të Kryeministrit Berisha dhe këtë ndryshim të pandershëm të lidershipit të Partisë Socialiste, që shpresojmë të reflektojë deri të hënën, do t’i sillte një dëm të jashtëzakonshëm shtetit shqiptar dhe drejtësisë shqiptare, asaj drejtësie që mungon aq shumë, të gjithë shqiptarëve në jetën e përditshme, për shkak të ndikimit të jashtëzakonshëm të politikës mbi gjykatat, mbi Prokurorinë, mbi të gjithë institucionet zbatuese të ligjit”, tha Meta.

Sollaku: Ligji nuk cenon pavarësinë
Ish-Prokurori i Përgjithshëm, Theodhori Sollaku, përshëndet ligjin e ri të Prokurorisë. Sipas tij, projektligji i paraqitur ka reflektuar mbi shqetësimet e paraqitura nga grupet e interesit dhe të misioneve të huaja që asistojnë drejtësinë shqiptare në lidhje me një paraprojekt, të bërë publik nga Ministria e Drejtësisë javë më parë. Sollaku shprehet se projekti është në përputhje me standardet e Këshillit të Evropës, veçanërisht me rekomandimin nr.19, viti 2000 “Për standardet e ndërtimit të shërbimit të Prokurorisë” dhe nuk lejon që ekzekutivi apo maxhoranca të verë nën thundër këtë institucion. “Nëse deri më sot ka ndodhur që Prokuroria ka qenë në luftë të hapur apo të ftohtë me ekzekutivin, ky nuk është faji i ligjit, por i përgjegjshmërisë së klasës politike për të zbatuar ligjet dhe kushtetutën”, tha Sollaku. Në lidhje me imunitetin e prokurorëve, ish-kryeprokurori shprehet se “është nonsens të pranojmë idenë se prokurorët kanë nevojë për imunitet nga vetja e tyre. Dhe në fakt ata nuk kanë pasur ndonjëherë imunitet”. Raportimin e Ministrit të Drejtësisë në Kuvend, për inspektimet e prokurorisë, ish- kryeprokurori nuk e konsideron cenim të pavarësisë së Prokurorisë nëse do të zbatohet drejt ligji. “Nëse do të abuzohet, siç ka ndodhur deri më sot, këtë nuk mund ta konsiderojmë si defekt të ligjit”, tha Sollaku. Ndërsa në lidhje me rekomandimet për marrje masash disiplinore ndaj prokurorëve, Sollaku mendon se kjo do të jetë një ndihmë e madhe për Prokurorin e Përgjithshëm, për të marrë më shumë informacion për punën e prokurorëve të veçantë, në kushtet e numrit të kufizuar të inspektorëve pranë tij. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›