Depresioni, hidhet nga ballkoni 43-vjeçarja
Leonora Mançe përfundoi në spital ne gjendje koma, me fraktura të shumta. Mjekët: Gjendja kritike
Sipas fqinjëve, gruaja e divorcuar, nënë e tre fëmijëve vuante nga depresioni dhe ishte mjekuar
BERAT- Depresioni për problemet e shumta familjare, shtuar pas divorcit me bashkëshortin dyshohet se kanë shtyrë nënën e tre fëmijëve të hidhet nga kati i 5-të i pallatit ku banonte. Ngjarja ndodhi mesditën e djeshme, kur Leonora Mançe (Vrapi), 43 vjeç, u hodh nga ballkoni, duke përfunduar në spital me fraktura të shumta, por për fat e gjallë. Sipas mjekëve, gruaja ka mbërritur në gjendje koma dhe pas ndërhyrjeve të shumta ka mundur të dalë prej saj. "Megjithëse doli nga koma, gjendja e saj vazhdon të jetë kritike",- thanë mjekët e spitalit të Beratit.
Ngjarja
Mesditën e djeshme, 43-vjeçarja Leonora Mançe ka dalë në ballkonin e shtëpisë në lagjen "Kushtrim" të qytetit, është ngjitur në kangjellat e tij dhe më pas është hedhur poshtë. Sipas policisë, mbështetur në dëshmitë e atyre që kanë qenë të pranishëm gjatë ngjarjes, gruaja është rrëzuar mbi kangjellat e ballkonit të fqinjës së saj në katin e dytë, e më pas ka përfunduar në tarracën e shtesës së shtëpisë të bërë nga familja që jetonte në katin e dytë. Kanë qenë pikërisht fqinjët e Leonorës, të cilët pasi kanë dëgjuar zhurmën e madhe të përplasjes në betonin e tarracës së katit së dytë kanë dalë me shpejtësi nga shtëpitë. Kur e kanë parë të gjakosur e kanë marrë dhe e kanë dërguar menjëherë në spital. Mjekët e urgjencës e kanë futur me shpejtësi në sallën e operacionit. Ndërhyrje të menjëhershme kanë bërë mjeku kirurg dhe ai ortoped, pasi sipas tyre 43-vjeçarja kishte pësuar fraktura të shumta dhe tejet serioze për jetën. "Dëmtimet kanë qenë në pjesë të ndryshme të trupit, në gjymtyrë dhe në kokë. Të gjitha të shkaktuar nga hedhja nga lartësia",- thonë mjekët e spitalit. Burimet spitalore thanë për gazetën se pacientja ka dalë nga gjendja e komas, por shëndeti i saj ende nuk është i sigurt.
Policia
Pas njoftimit nga fqinjët, policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes. Ekspertët hetimorë të policisë, pasi kanë bërë rrethimin e vendit të ngjarjes, kanë marrë nën hetim për dëshmi personat e pranishëm në ngjarje. Më pas janë pyetur edhe fqinjët e gruas, lidhur me rrethanat e ngjarjes. Më pas është përpiluar dosja përkatëse për të vijuar hetimet që do të bëjnë zbardhjen finale të shkaqeve që e detyruan gruan t'i jepte fund jetës duke u hedhur nga ballkoni.
Shkaqet
Sipas rrëfimit të fqinjëve dhe të atyre që e njihnin, gruaja kishte kohë që vuante nga depresioni. Mësohet se nëna e tre fëmijëve kishte disa vjet që ishte divorcuar nga bashkëshorti i saj, me të cilin kishte lindur 2 vajza e një djalë. Duket se divorci në familjen e saj ka qenë arsyeja kryesore e problemeve të shumta psikologjike të shfaqura më pas. Menjëherë pas ndarjes me bashkëshortin, Leonora ka kaluar në një depresion të thellë psikologjik, duke u bërë në mjaft raste edhe agresive. Sipas fqinjëve, ajo është shtruar disa herë në spital, madje dhe është mjekuar për problemet e depresionit. Fqinjët e Leonorës pohojnë se familjarët e saj e kanë çuar shumë herë në spitalin psikiatrik të Vlorës për t'u kuruar dhe kur kthehej në shtëpi përmirësimi i saj zgjaste vetëm pak ditë, e më vonë gjithçka kthehej në gjendjen e mëparshme. Sipas tyre, ajo shfaqte agresivitet të lartë jo vetëm në familje, por edhe me banorët e lagjes ku jetonte prej vitesh.